Bushati: Bilanci i bashkëpunimit Shqipëri-Kosovë është pozitiv

Në planin e integrimeve euroatlantike dhe thellimin e bashkëpunimit ekonomik ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës janë bërë hapa të mëdhenj, ka thënë ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Ditmir Bushati, shkruan sot Koha Ditore.




Në intervistën për «Kohën Ditore», një ditë para takimit të përbashkët të dy qeverive, Bushati ka përmendur edhe shumë procese tjera të rëndësishme që janë vënë në jetë pas marrëveshjeve të arritura në takimet e mëparshme.

Ka përmendur klimën e favorshme për ndërmarrjet tregtare dhe prodhuese, procedurat për terminal të përbashkët doganor, mbrojtjen e investimeve, zhvillimin e turizmit në të dyja anët e kufirit, integrimin e sistemit energjetik, si dhe lëvizjen e mallrave e të njerëzve, me shpresën që kjo të dinamizohet nëpërmjet përmirësimit edhe të komunikimit hekurudhor dhe ajror.

Bushati ka folur edhe për proceset e integrimit të Kosovës në nismat rajonale deri ta hapat e parë drejt anëtarësimit në BE, për bisedimet me Serbinë, por dhe për marrëveshjen e kufirit me Malin e Zi.

Po ashtu ka përmendur rolin që Shqipëria ka luajtur në këto procese dhe insistimin e saj që marrëdhënia e Kosovës me NATO-n të institucionalizohet.