Burrat e lumtur të Kosovës




Shënime për Poloninë e dikurshme dhe disko-çajtoret e sotme të Kosovës.

Nga Vjosa MUSLIU

«Gjithçka që ne dimë për vendasit e tu, janë histori të burrave kosovarë që vinin në Poloni për turizëm seksi, dhe me sa më është dukur mua për çlirim nga tabutë seksuale». Pasi më thotë mirëmbrëma dhe akomodohemi në veturë, këto ishin fjalët e para të profesorit Wojciech në aeroportin e Varshavës. Universiteti i tij më kishte ftuar për të dhënë disa leksione. Si me shaka profesori po më shpjegonte se, përveç kësaj, me vizitën time ai dhe kolegët e tij do të njihnin edhe anën tjetër të Kosovës. Anën tjetër të atyre burrave që ngarendnin dikur pas copave të mishit të bardhë polak.

E kalova këtë koment sa përgjithësues aq edhe të frikshëm (sidomos për një njeri të lexuar) dhe po i thosha që trende të tilla kanë qenë të ngjashme pas rënies së sistemit në vendet lindore – e një trend i tillë është po ashtu i theksuar në dekadën e fundit edhe në vendet e Amerikës Latine. Por thellë-thellë kishte një të vërtetë të madhe në komentin e tij edhe për shumë burra të sotëm kosovarë. Para se gjithash më duhet të sqaroj se termi «burrë» këtu nuk i referohet asnjë karakteristike që sistemi patriarkal (i kodifikuar në Kanunin e Lekë Dukagjinit) ia ka atribuuar personave të gjinisë mashkullore. Mirëpo, po ashtu nuk dua ta përdor termin «mashkull», i cili i zvogëlon personat e gjinisë mashkullore në veçoritë e tyre biologjike.

Vitet e 80-ta dhe të 90-ta ishin një çoroditje e vërtetë në Poloni. Atëbotë profesori kishte takuar shumë «turistë» që vinin për arsye të njëjta në vendin e tij. Për të kishte diçka të pashpjegueshme tek ata kosovarë që kishte njohur. «Ndoshta se në krahasim me popujt e tjerë jugosllavë dija shumë pak për ta – për të mos thënë asgjë – më dukeshin herë të trazuar emocionalisht e herë gati-gati të egër». Shumica prej atyre që kishte takuar ishin të martuar, madje kishin edhe fëmijë. Pra, këta njerëz (të paktën fiziologjikisht) nuk kishin mungesë të seksit. Ajo që ata shfrynin rrugëve të Gdanjskut dhe qyteteve të tjera polake ishte një mungesë lirie njerëzore e emocionale të cilën edhe sot shumë burra kosovarë nuk e konsiderojnë si hapësirë që duhet ndarë me bashkëshortet apo partneret e tyre. Për shumë prej këtyre bashkëshortja është «gru» (lexo: nënë e fëmijëve, shtëpiake e mirë, nderi i shtëpisë), ndërsa qejfet qoftë si koncept apo veprim janë për dikë tjetër. Dhe ky koncept nuk ka ndryshuar shumë as sot.

Dikur ishin këto udhëtime nëpër Poloni, Bullgari dhe vende tjera të Lindjes. Pas luftës lagje të tëra u populluan kryesisht me bullgare, moldave e shqiptare nga Shqipëria. Izolimi e bën të veten dhe viteve të fundit histeria nacionaliste për konsumimin e prodhimeve vendore ka prekur edhe këtë «sektor». Polaket, bullgaret e moldavet janë zëvendësuar me kosovare (shpeshherë minorene), të cilat argëtojnë burra nëpër disko-çajtore me muhabete, vallëzim e ndoshta edhe me ndonjë aktivitet tjetër. Klientela përfshinë mjekë, kamerierë, gazetarë, teneqepunues, biznesmenë e furraxhi. Për psikologët kjo klientelë është kryesisht e përbërë nga njerëz që kanë pasur trauma psikologjike në fëmijëri, janë rritur nëpër ambiente të dhunës në familje, e kanë pasur të shpeshtë dhunën nga babai etj. Nuk kam dyshim se shumica e këtyre burrave janë rritur prej nënave të nënshtruara, vetë ata kanë lidhur jetën me gra që i nënshtrojnë, ndërsa këto trauma për të cilat as ndoshta nuk janë të vetëdijshëm se i kanë i shtypin nëpër disko-çajtore me performansë të grave të nënshtruara nga varfëria, nga «shefat» e tyre ose edhe nga vetë prindërit e tyre.

Disko-çajtoret janë shpikja më e re në Kosovë – një përzierje kiç e klubeve të striptizit, performansave pa klasë të burleskut dhe kafeve jugosllave. Aty çaji i zi është zëvendësuar me pije energjike, e në vend të këngëve të Zagrebit këndohen përzierje të turbo-folkut ballkanik. Aty konsumohet «Muzik live» – jo muzikë. As në këto ambiente nuk ka se si të mungojë ndonjë poster i Adem Jasharit, përbri të cilit varet ndonjë pushkë. Një kombinim i luleve të plastikës bashkë me plisin e bardhë janë dekor i këndeve. Një habitat më se shqiptar me të gjitha elementet «banale» të nacionalizmit për të cilat flet profesori i shkencave sociale Michael Billig.

Të ndodhura në periferi të qyteteve, ato janë zakonisht të ndërtuara në mes kazinosh dhe pompave të benzinës, e përbri mund të kenë edhe ndonjë furrë buke. Përpos salloneve të bukurisë, këto janë aktivitetet biznesore më popullore dhe më fitimprurëse në Kosovë. Parkingjet e këtyre disko-çajtoreve (sidomos nëpër provinca) janë përplot me vetura të të gjitha markave. Derisa po kalonim përreth një disko-çajtoreje të tillë diku në Kosovë pas mesnate, një mike e imja e përshkroi parkingun e mbushur plot si vendin «ku rrinë burrat e lumtur të Kosovës». Vetëm aty atyre nuk u kërkohet të jenë burra të mbyllur e me sedër.

Dr. Vjosa Musliu është ligjëruese në Fakultetin e Shkencave Politike në Universitetin e Gentit në Belgjikë