Burra që zgërdhihen për gjuajtjen me armë

Mbi debatin tmerrësisht joserioz në parlament mbi gjuajtjen me armë të krerëve të shtetit. Dhe fjalën e duhur që e mbajti deputetja Vjosa Osmani.

Foto: Shutterstock



Kur paralajmëroi interpelancën me kryeministrin në lidhje me gjuajtjen me armë të disa figurave të larta të qeverisë, kryetari i Kuvendit shpërtheu në gaz, s’mundi të përmbahej. Kjo uverturë tregoi se kampi i partive në pushtet ishte i interesuar që debatin ta zbresë në nivel humoristik. Pastaj foli kryeministri, i diskredituar tërësisht pas një sërë vendimesh skandaloze prej se erdhi në pushtet. Nuk tha gjë të re kryeministri. Përmendi traditat, kanunet, Amerikën, këtë vend të mundësive të pakufizuara edhe në përdorimin e armëve.

Më herët kryeministri kishte thënë se duhet të propozohet edhe në Kosovë një ligj «si në Amerikë», i cili parasheh gjoba me 50 euro ndaj atyre që NUK bartin armë. Një ligj i tillë nuk ekziston në Amerikë, por raporti i kryeministrit ndaj fakteve është tejet elastik. Sot thotë diçka, nesër të kundërtën. Si përherë në këto rrethana krerët e shtetit të proveniencës së luftës i referohen kanunit, traditave, zakoneve. Me një fjalë: ç’të bëjmë, shqiptari dhe arma – një dashuri e pandashme.

Një deputet i PDK-së vërshoi opinionin me cinizëm, duke akuzuar deputeten Vjosa Osmani se po e dramatizon situatën dhe «po na shtin me u ndi keq» duke përmendur viktimat e plumbave qorr, sepse, fundja, gjuajtja me armë qenka trashëgimi shpirtërore. Deri këtu mbërrin irracionalja në debatet e parlamentit të Kosovës.

Çfarë tha, në të vërtetë, deputetja Osmani? Ajo foli me gjuhën e fakteve mbi familje që kanë pësuar nga plumbat qorr, që kanë humbur anëtarë të familjes, që janë tronditur nga dukuria primitive e gjuajtjes me armë. Fjala e saj e drejtoi debatin nga humori i shkaktuar nga burrat te tragjeditë e përditshme kosovare.

Natyrisht që gjuha e argumenteve dhe e fakteve i shqetëson burrat me alltia, burrat që armën e shohin si mjet të ushtrimit të pushtetit të tyre, si instrument të nevojshëm të tavolinës, ku krahas pirunit, gotës, lugës dhe thikës patjetër duhet të jetë edhe revolja – me gaz apo me fishekë. Në këto ndeja gjuhet me armë për të festuar mposhtjen e një populli dhe talljen me të. Gjuaj – domethënë jam. Ky është mentaliteti. Marrëzinë e debatit e bënë më të madhe edhe disa deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje, duke bërë krahasime absurde në stilin: atij që gjuajti me armë nuk i shkonte për fytyre, por sikur të gjuante kryeministri, ah, po, këtij i ka hije, ky ka përvojë, e broçkulla të tilla. A mund të nënvizohet si përvojë e kryeministrit edhe hyrja në oborre të huaja dhe gjuajtja me armë? Kishte deputetë, mes tyre edhe një i partisë klienteliste Nisma, që u përpoq të amnistojë gjuajtësit me armë duke thënë se ngjarja ka ndodhur si të thuash jashtë orarit të punës. Kjo është logjika e kaubojit. A domethënë kjo se zyrtari i qeverisë duhet të respektojë ligjin vetëm gjatë orarit të punës? Po të ishte vrarë dikush në atë banketin e famshëm në rrethinën e Malishevës, a do të dilte deputeti cinik i Nismës dhe të thoshte se bëhet fjalë për një ndodhi jashtë orarit të punës?

Nuk është befasi që debatin në Kuvendin e Kosovës mbi gjuajtjen ilegale me armë e bëri racionale një grua, një nënë, ndërsa burrat e fortë të pushtetit zgërdhiheshin. Diçka për Amerikën: gjatë vitit 2017 në këtë shtet janë kryer 345 masakra me armë. Me atë rast janë vrarë 434 njerëz. 1800 janë plagosur. Në një fjalim emocional para dy vitesh presidenti Barack Obama duke folur mbi nevojën e ashpërsimit të ligjeve të armëve disa herë luftoi me lotët. Në viset tona pushtetarët zgërdhihen. Ose vajtojnë me ton pothuaj poetik se kanë qenë të persekutuar nga drejtësia. I njëjti do të ishte mirë të përgjigjej se përse ende nuk e dimë sa ka kushtuar autostrada mes Malishevës dhe Morinit dhe përse nuk e ka parë askush nga publiku atë dreq kontrate që ky e ka nënshkruar?