Burimi i varfërisë rrjedh nga mungesa e ujit në Shkrel të Malsisë së Madhe

Pas dështimit me sukses të një investimi prej 12 milionë lekësh në vitin 2012, bashkia e Malsisë së Madhe i ka dorëzuar tubat dhe përgjegjësitë banorëve të fshatit Qafë Gradë, duke i kërkuar ta riparojnë vetë ujësjellësin e dëmtuar – një sipërmarrje e rrezikshme që përtej vullnetit kolektiv i mungojnë mjetet dhe asistenca teknike.

Shtegu ku shtrihet tubi i ujësjellësit për në burimin e Rrjollit



Fshati Qafë Gradë në Shkrel të Malësisë së Madhe prej më shumë se dy dekadash vuan mungesën e ujit të pijshëm dhe atij për vaditje, çfarë ka shtuar varfërinë dhe i ka detyruar shumë nga banorët e zonës të migrojnë drejt zonave urbane.

«Ka 8 muaj që nuk kemi asnjë pikë ujë dhe pse tubacioni është vënë vetëm disa vite më parë», ankohet Famtir Bruçaj, kryeplaku i fshatit.

«E blejmë ujin me bote që kushton 7,000 lekë të reja dhe me të shtyjmë rreth 10 ditë. Kush ka makina shkon tek burgu i Reçit ku dhe ndodhet e vetmja çezme publike», shpjegon ai.

Kjo situatë duhet të ishte rregulluar në vitin 2012, kur bashkia e Malsisë së Madhe investoi 12 milionë lekë për të shtrirë një tubacion që lidh fshatin me burimin Rrjollit – i cili furnizon dhe qytezat e Koplikut dhe Bajzës. Por ky investim doli shpejtë jashtë përdorimi sepse tubat e ujësjellësit u vendosën jashtë kushteve teknike.

Pesë vite më vonë, ankesat e vazhdueshme të banorëve – të mbështetur nga organizata Britanike «Oxfam», kanë gjetur veshin e kryetarit të bashkisë Tonin Marinaj, e cili i ka premtuar t’i japë një zgjidhje problemit duke riparuar linjën e ujësjellësit, për të cilën banorët do të ofronin krahun e punës falas dhe një pjesë të kostos.

Por pasi bashkia ka prokuruar një pjesë të tubave për riparimin e ujësjellësit, ajo thjesht ia ka dorëzuar banorëve duke i kërkuar t’i bëjnë vetë punimet pa asistencë teknike, çfarë ka sjellë lëndime fizike të disa prej tyre, ndërkohë që sasia e tubave mbetet e pamjaftueshme për ta përfunduar projektin.

E pyetur nga BIRN për mungesën e tubave, ndërmarrja e ujësjellësit e bashkisë së Malsisë së Madhe u shpreh që sasia e tyre do të rivlerësohej. Ndërkohë, kretari i bashkisë Tonin Marinaj vlerësoi se kërkesat e banorëve ishin të drejta, po për mungesë fondesh bashkia ishte e detyruar të kërkonte një ndërhyrje provizore deri në një zgjidhje përfundimtare.

Sipas një studimi të kryer nga Oxfam, në periudhën Prill-Korrik 2016-të, mungesa e ujit prek thellë jetën e banorëve të Shkrelit dhe ndikon në varfërinë e tyre.

«Ne kryem një studim në zonë dhe përveç të tjerash… mungesa e ujit doli një nga problemet më të mëdha, si uji i pijshëm nëpër shtëpi, ashtu edhe mungesa e lerave për bagëtinë – bujqësia vuan, po ashtu», thotë Andrea Lo Iacono, drejtues i organizatës Oxfam në Shqipëri.

«Rreth 76% e banorëve deklaruan se do të donin të mbillnin më shumë toka dhe të shtonin gjënë e gjallë, por nuk munden sepse nuk kanë ujë dhe kjo thellon varfërinë e tyre», shtoi ai.

Mungesa e ujit të pijshëm ka bërë që shumë të largohen dhe të kthehen vetëm për të vjelë prodhimet bujqësore – pasurinë e vetme që kanë.

Kryeplaku Bruçaj tregon se nga Maji deri në fund të Nëntorit kur dhe përfundon vjelja e gështenjës – një nga burimet kryesore të jetesës, fshati ka rreth 1,400 banorë, ndërsa në dimër mbeten rreth 300.

Banorët e Qafë Gradës me punonjësit e ujësjellesit të Malsisë së Madhe me 27 Maj

«[Rreth] 70% e banorëve këtu trajtohet me ndihmë ekonomike. Ka prej tyre që marrin borxh për të blerë ujë», thotë Bruçaj.

Ali Vukaj, një banor i moshuar i lagjes Doç të fshatit Qafë Gradë, kujton se deri në vitin 1990-të, fshati është furnizuar me ujë tre orë në ditë dhe furnizimi bëhej nga Kroi i Kolhjekës në Bogë. Por pas rënies së regjimit komunist ujësjellësi u amortizua dhe u prish.

Sipas banorëve investimi i fundit në rrjetin e ujësjellësit në vitin 2012-të, dështoi sepse tubacioni që ngjitej në mal nuk u shtri brenda në tokë, ndërkohë që tubat e përdorur ishin jashtë kushteve teknike dhe jo siç ishin parashikuar në projekt. Projektuesit kishin përcaktuar që duhen përdorur tuba me shtypje 12 deri në 16 atmosferë, ndërsa u vendosën tuba me shtypje 6 atmoferë. Kjo bëri që ato të shpërthejnë në disa vende, pasi lartësia është e madhe dhe terreni i thyer dhe malor.

«Një vit patëm ujë rregullisht, më pas tubat u çanë në shumë vende», tha Ali Vukaj. «Nuk po kërkojmë luks por ujë për të pirë», shtoi ai.

Nevoja e madhe e banorëve dhe mosreagimi ndaj kërkesave të vazhdueshme për një të drejtë kaq jetike, shtyu Oxfam të nisë përçapjet për ta ngritur zyrtarisht këtë çështje me bashkinë dhe ndërmarrjen e ujësjellësit. Bashkë me banorët, tre javë më parë përfaqësuesit e organizatës bamirëse organizuan një takim me kryetarin e bashkisë ku është diskutuar për zgjidhje praktike me kosto të ulët.

Sipas banorëve Marinaj premtoi se gjendja do të përmirësohej një herë e mire dhe linja e furnizimit me ujë do të rikonstruksionohej plotësisht. Ai caktoi një person nga bashkia që do të bënte të gjitha koordinimet e nevojshme me ndërmarrjen e ujësjellesit në mënyrë që, së pari të bëhej verifikimi i ujësjellësit në terren për të parë ku duhej ndërhyrë dhe për të përpiluar një preventiv.

Banorët, nga ana e tyre, u zotuan për të bërë gjithë punën e mundshme fizike si dhe të mbledhin vetë një pjesë të fondit. Ndërkaq, si zgjidhje emergjente, ndërmarrja e ujësjellesit hapi një tender për rikonstruksionin e pjesshëm të 300 metrave tubacioneve përmes Agjensisë së Prokurimit Publik,  ku tek specifikimet teknike saktësonte se afati i fillimit të punimeve ishte brenda dy ditëve pas shpalljes së fituesit.

Por punët në terren shkuan ndryshe nga ç’ishte premtuar. Me datë 22 Maj, ndërmarrja ka shkuar në shtëpinë e njërit prej banorëve të fshatit, ku ka depozituar tubat e blerë dhe i ka thënë banorëve t’i çojnë vetë në mal dhe të kryejnë punimet.

«Që nga viti 2012-të kur u vu linja e ujësjellësit, çdo defekt e kemi rregulluar vetë si kemi munudur, pa asistencë teknike», tregon Selim Meti, një banor i Qafë Gradës.

Edhe kësaj rradhe, banoret kanë  çuar me krahë në mal tubacionet në një largësi 4.5 kilometra dhe kanë nisur punimet pa asnjë asistencë nga ujësjellësi, në kundërshtim të plotë me ligjin.

Bashkë me kryeplakun, banorët tregojnë se janë munduar shumë duke i ngjitur në krah në mal tubat nëpër një terren shumë të thyer. Kryeplaku  Fatmir Bruçaj tregon se disa nga banorët kanë pësuar lëndime të ndryshme fizike, pasi janë rrëzuar dhe kanë dëmtuar duart duke punuar për të shtrirë tubin pa vegla të përshtatshme.

Oxfam i ka dërguar menjëherë një letër zyrtare drejtorit të ujesjellesit, për dijeni kryetarit të bashkisë, si me email ashtu edhe me postë. Po ashtu i është  telefonuar disa herë personit që kryebashkiaku caktoi si kordinator.

«Nga çdo familje ka pasë një person që ka bërë punë vullnetare dhe ne kemi nisur ta shtrijmë tubacionin pa ditur asgjë nga kjo punë, pa vegla, as asistencë. Kemi bërë aq sa kemi mundur dhe ia kemi dalë të zëvendësojmë vetë 200 metra ujësjellës, pra shumicën e punës. I kemi kërkuar vazhdimisht ndihmë ujësjellësit gjatë gjithë kësaj kohe, por nuk kanë ardhur», shpjegon Bruçaj.

Vetëm në 27  Maj, 5 ditë pas dorëzimit të tubave, ndërmarrja e ujësjellësit ka dërguar punonjësit e saj për të punuar me banorët.  Por kjo ka zgjatur vetëm disa orë dhe punimet janë ndërprerë pasi tubacionet e blera nga ndërrmarrja nuk kanë mjaftuar. Zëvendësdrejtori i ujësjellësit u ka thënë banorëve se vetëm më 30 Qershor do të iu kthejë përgjigje nëse do të blihen edhe 100 metra të tjera tub, aq sa duhet për të përfunduar riparimin. Nëse kjo nuk ndodh, riparimi lihet me kaq.

Selim Meti dhe kryeplaku Fatmir Bruçaj, gjatë një interviste për BIRN në Qafë Gardë

Banorët janë zhgënjyer shumë. Ndërkaq, ata nuk ishin entuziastë as për vetë riparimin sepse ishte një zgjidhje e përkohshme, që do t’iu sjellë sipas përvojës së tyre vetëm 15 minuta ujë për shtëpi një herë në tre ditë, nëse përfundon. Përveç kësaj, sërish tubacioni i zëvendësuar shtrihet sipër tokës, mbi shkëmbinj e mbi shkurre ku nën ndikimin e faktorëve atmosferikë tubi çahet.

I pyetur nga BIRN drejtori i ndërrmarrjes së ujësjellësit në Malësi të Madhe Flauers Shoshi, that se përfundimi i riparimit të tubacionit do të realizohet.

«Është e vërtetë se ai nuk ka mjaftuar por inxhinjerët tanë do shkojnë në vend dhe do bëjnë relacionin e proces-vebalet përkatëse dhe do kryhen veprimet e duhura», tha Shoshi

Lidhur me këtë situatë, kryetari i bashkisë Tonin Marinaj shprehet se është vënë në dijeni nga Oxfam që ka mundësuar një takim me banorët.

«Kërkesat e tyre janë shumë të drejta pasi mungesa e ujit në këtë zonë është një njollë e errët që duhet zhdukur», tha Marinaj.

«Situata e furnizimit me ujë nuk është e mire. Po kërkojmë zgjidhje provizore deri në mundësimin e një zgjidhjeje përfundimtare e cila kërkon kohë dhe fonde. Duhet një investim i qendrueshëm. Ne e kemi ndër prioritetet tona», përfundoi ai.

(https://www.reporter.al/burimi-i-varferise-rrjedh-nga-mungesa-e-ujit-ne-shkrel-te-malsise-se-madhe/)