Bundestagu Gjerman përkrah rrugën eurointegruese të Kosovës

Prishtinë, 9 tetor - Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, priti sot anëtarin e Bundestagut Gjerman, Metin Hakverdi, i cili shoqërohej nga ambasadorja gjermane në Kosovë, Angelika Viets, me bashkëpunëtorë.




Gjatë takimit, kryeministri Mustafa theksoi përkushtimin e Qeverisë së Kosovës për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik, punësim dhe mirëqenie, sundim të ligjit si dhe agjendën integruese euroatlantike, e reformat tjera thelbësore, si pjesë e zhvillimit të vendit.

Duke folur për angazhimin e Qeverisë për proceset integruese dhe përmbushjen e kritereve të kërkuara, kryeministri Mustafa tha se Kosova tashmë pret nënshkrimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit dhe liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.

Kryeministri Isa Mustafa shprehu mirënjohjen e popullit dhe të Qeverisë së Kosovës për përkrahjen e vazhdueshme të Gjermanisë, duke theksuar përkushtimin për fuqizimin e mëtejshëm të marrëdhënieve bilaterale dhe partneritetit strategjik me Gjermaninë.

Anëtari i Bundestagut Gjerman, Metin Hakverdi, vlerësoi progresin që po arrihet në Kosovë.

Hakverdi po ashtu shprehu përkrahje për rrugën integruese evropiane të Kosovës, si dhe për proceset tjera të rëndësishme që lidhen me zhvillimin ekonomik dhe social në Kosovë.

Gjatë takimit u bisedua edhe për zhvillimet tjera aktuale në Kosovë dhe më gjerë.