Bullshit-Feminizmi i Ivanka Trumpit

Thua se ajo po e hedh një shtresë pluhur të imët të zanës mbi një kanal me pleh: një biznesmene, e cila gratë e pasura dëshiron t’i bëjë edhe më të pasura dhe gratë e varfra i plaçkit për të prodhuar linjën e saj të modës, po e quan veten feministe. Çka je, bre, ka thue?

Margarete Stokowski.



A guxon ta quajë veten feministe Ivanka Trumpi? Natyrisht. Kush mund t’ia ndalojë? Ivanka Trump natyrisht mund ta quajë vetën feministe, ashtu siç guxon Koreja e Veriut të testojë raketa, por kjo ashiqare dështon.

Çfarë ndodhi së fundi në samitin e W20 në Berlin? Ivanka Trump, një lloj shpirti socialdemokrat i klanit Trump, shpërndarësja e karizmit, e cila kujdeset që punët e dyqanit të ecin mirë, deklaroi: «Unë e konsideroj veten feministe, sepse besoj në barazinë e gjinive». Përndryshe, tha ajo, edhe babai i saj është «i bindur se gratë kanë potencialin dhe dijen të kryejnë një punë po aq mirë sa edhe burrat». Kjo është e mundshme sa i përket retorikës, por gjithashtu është një ecje nëpër akullin e hollë, sepse logjikisht nuk mund të përjashtohet që të mendosh se gratë duhet të punojnë po aq mirë si burrat, por me atë rast ato, megjithatë, mund të zgurdullohen duke u jargavitur ose duke i prekur mes këmbëve.

Sipas mendimit tim modest Ivanka Trump është po aq feministe sa jam unë shëruese shamane. Asnjëri nuk janë tituj të mbrojtur. Në këtë kuptim Angela Merkel nuk ka pasur nevojë t’i shmanget pyetjes nëse është feministe: ajo tha si me humor se nuk dëshironte të stoliste veten me këtë pupël dhe t’ia japë vetes këtë titull, ndërsa pak karrige më tutje rrinte ulur «First Daughter», titull ky që po ashtu nuk ekziston.

Por, sa është keq që Ivanka Trump thotë se është feministe? A është vetëm satirë apo është pak shpresë? Në të vërtetë nuk do të duhej këputur filizin e ndjeshëm të pohimit fillestar feminist, por duhet lënë të rritet pak. Por, çka nëse ky filiz rritet në tokë të helmuar?

Ekzistojnë natyrisht përherë forma të ndryshme të feminizmit. Mund të jesh feministe pa e quajtur kurrë veten të tillë. Pak është e rëndësishme nëse këtë etiketë ia ngjet vetes apo jo, sepse ajo mund të ketë shumë domethënie. Për mua feminizëm domethënë të angazhohesh që të gjithë njerëzit të kenë të drejtat dhe liritë e njëjta, pa marrë parasysh gjininë, seksualitetin dhe trupin e tyre, dhe që kjo të arrihet ne duhet të rrëzojmë disa gjëra. Për të tjerët feminizëm domethënë diçka tjetër – dhe nëse Ivanka Trump është feministe, atëherë në të ardhmen duhet thënë më qartë nëse përfaqëson një feminizëm anarkist, evangjelist, vegjetarian apo çfarëdolloj tjetër apo variantin maksimal të bullshitit, ku qëllimi është që disa grave të privilegjuara t’ua bësh jetën edhe më luksoze. Ky është varianti i Ivanka Trumpit. Sepse këtë nuk e kërkon vetëm aristokracia, por edhe elita. Gëzuar.

Pa marrë parasysh si e quan veten Ivanka Trump: ajo mbetet asistente dhe mbrojtëse e një popullisti të djathtë, në një rol që s’mund të shpjegohet me parime demokratike, por mbase paraqet pjellën më të dukshme të sistemit neofeudal të Trumpit. Meqë është e bija e dikujt, ajo si sipërmarrëse ka marrë një funksion zyrtar dhe me pjesëmarrjen në samitin e W20 ka treguar se demokracia po shkon në rrotë të s’amës.

Natyrisht ajo është grua e fuqishme, sidomos për shkak të angazhimit të saj masiv për të shpërqendruar vëmendjen në mënyrë që të luajë rolin e saj, ku si zogëz e teknologjisë informative ajo hedh një shtresë pluhur të imët të zanës mbi kanalin me pleh, të cilin po e gërryen në mbarë vendin një burrë i paaftë për politikë. Por «feministe» është nocion politik dhe jo cilësi karakteri dhe gratë e fuqishme nuk janë automatikisht feministe, por s’janë as ato që kanë arritur në kulmin e ndikimit apo janë lindur atje lart. Ivanka Trump tregoi se babai i saj e kishte përkrahur njëjtë siç i kishte përkrahur dy vëllezërit e saj. Kjo mund të jetë e saktë. Ai njëherë ka thënë për të se po të mos e kishte vajzë do të dëshironte ta njoftonte dhe kur të dy në një emision u pyetën se çfarë kanë të përbashkët, Ivanka tha «patundshmëri ose golf», ndërsa babai i saj shtoi: «Sapo desha të them seks, por patundshmëri ose golf bën po ashtu».

«First Daughter» («Vajza e Parë») pasha zotin ka një punë të rëndë, por jo aq të rëndë sa gratë që punojnë për të. Siç raporton «Washington Post» për linjën e modës të Ivanka Trumpit qepin gratë në Kinë, të cilat paguhen nën rrogën minimale, duke punuar me orare të stërzgjatura dhe në pjesën më të madhe pa sigurim apo standarde sigurie. (Kaq sa i përket «Buy American, Hire American», një slogan i babait të saj, të cilin ajo e përkrahë).

I ashtuquajturi feminizëm i Ivanka Trumpit ka për qëllim që gratë e pasura t’i bëjë edhe më të pasura dhe duke synuar këtë asaj nuk i interesojnë të drejtat themelore të atyre që punojnë për të, por as të të gjitha grave, sepse prej saj nuk është dëgjuar kritikë ndaj Donald Trumpit, i cili ka shpallur plane për ndërprerjen e financimit të organizatave, të cilat, mes tjerash, kryejnë aborte. Ndërsa Ivanka Trump paralajmëron se një pjesë e të ardhurave nga libri i saj i ri do të dhurohen për organizatat humanitare, të cilat përkrahin gratë dhe vajzat, në Shtëpinë e Bardhë me sa duket është menduar të pezullohet programi «Let Girls Learn», të cilin e kishte nisur Michelle Obama për të rritur shanset për arsimim të grave në rritje e sipër në vendet në zhvillim.

Very sad.

(Autorja është kolumniste e SPIEGEL ONLINE)