Bujar Nrecaj shpallet «Burrë i Vitit» nga media zvicerane

Për Bujar Nrecajn, arkitektin e ri shqiptar në Zvicër, këtë vit nuk kanë të ndalur konsideratat. Revista «Luxe» e shpall atë «Burrë i Vitit» në kategorinë e arkitekturës dhe disenjit. Në një intervistë ekskluzive, ai shpalos idetë, përvojat dhe vizionin e tij për profesionin, për njerëzit dhe vendet e tij.

Bujar Nrecaj. Foto: Christian Senn.

Edicioni «Luxe Spezial Männer» për të katërtin vit me radhë nderon personalitete burra, të cilët kanë bërë bujë në Zvicër. Për të katërtin vit me radhë media i nderon katër burra në kategoritë biznes, kulturë, sport dhe disejn a arkitekturë, të cilët me shkëlqimin e tyre kanë lënë gjurmë në Zvicër. Dhe, një nga katër burrat që kanë bërë emër më 2016 në Zvicër është një shqiptar nga Kosova: Bujar Nrecaj.

Revista, e cila u shoqërohet medieve të njohura «Finanz und Wirtschaft» në Zürich dhe «Bilan» në Gjenevë, në numrin e saj të fundit, me temën «Ideale», e ka zhvilluar nga një bisedë ekskluzive me të katër laureatët si «burrë i vitit» për të kuptuar më shumë për idetë dhe motivin e suksesit të tyre: Bujar Nrecaj – arkitekt, Sergio Ermotti – CEO i bankës UBS, Sébastien Buemi – kampion bote në Formula E, dhe Dieter Meier – legjendë e muzikës.

Biseda me Bujar Nrecajn merr shkas nga nominimi i tij në listën e ngushtë të çmimit prestigjioz «Aga Khan Award for Architecture 2016» për projektin e tij «Bunateka», një bibliotekë e vendosur në oborrin e shkollës, në sheshin e përditshmërisë së fëmijëve, ku ata sillen pa drojë; një mundësi për të krijuar një marrëdhënie më të lehtë me librin.

Bujar Nrecaj që në fëmijëri, në fshatin e tij afër Prizrenit, kishte ide «që të kontribuoja njëherë dhe të ndërtoja shtëpi më të bukura». Dhe, ajo ditë zbardhi: Me shpalljen e Pavarësisë së Kosovës atij i shkrepi të shkonte në Kosovë dhe të qëndronte aty. Dhe, t’i nxirrte nga arka e imagjinatës projektet për ngritjen e vendlindjes. Para së gjithash, Bunatekën. Euforia pas Pavarësisë në Kosovë nuk mbajti gjatë, shumëkush u dëshpërua, por jo edhe Nrecaj. Kështu e përshkruan ai atmosferën e kësaj periudhe: «Për projektin, ëndrrat, të ardhmen, mendimin kritik, për zhvillimin e kësaj shoqërie fola në rrethin e miqve të mi – shumica e tyre më thanë: ti je një ëndërrimtar, kush do të lexojë libra, këtë nuk e bën dot. Mua kjo më bëri të besoja akoma më fort në këtë ide».

«Për një vit jam endur me projektin dhe modelin nëpër Prishtinë, nga ambasada në ambasadë», rrëfen për peripecitë e tij arkitekti që e kishte braktisur një projekt të çmuar në Zvicër për të kontribuuar në vendlindjen e tij. Vetëm ambasadori i Norvegjisë u magjeps nga ideja e tij dhe e pranoi financimin e Bunatekës së parë në Kosovë. Ajo është konceptuar ashtu që të mund të përhapet gjithandej në botë.

Nga e gjithë kjo situatë, arkitekti i ri nxjerr një mësim të vyer: «Kur njeriu është i bindur plotësisht në diçka dhe e ka me gjithë zemër, mund ta realizojë atë». Satisfaksioni për këtë është një luks, që arkitektit nuk mund t’ia rrëmbejë askush. Dhe, pason fraza që media e ka përzgjedhur si titull të intervistës me Bujar Nrecajn: «Kush nuk ka ëndrra, nuk ka as çfarë të realizojë».

Rezultati vërtet është modest në raport me koston dhe benifitet që ka Bunateka. Tetë janë shumë pak. Por, kjo ide tanimë ka marrë dhenë. Shoqërisë dhe elitave që e lanë arkitektin të sorollatej me dosjen e projektit nën sqetull, ai tani i lë një peshqesh: nominimin prestigjioz ndërkombëtar, ku emri i Kosovës valëvitet në një kontekst si rrallëherë kohëve të fundit. Sihariqi tjetër: ai shpallet «Burrë i Vitit» për arkitekturë nga një medie shumë e specializuar zvicerane.

Bunateka, megjithatë, nuk ishte e tëra. Bujar Nrecaj ia ka dhuruar Kosovës edhe një simbol tjetër arkitektonik dhe kulturor, të cilit media zvicerane ia kushton një pjesë të intervistës: Hotel Graçanica, hoteli i pari dhe i vetmi «boutique» në Kosovë. «Iniciativa erdhi nga ndërmarrësi zviceran Andreas Wormser, përgjegjës për refugjatët në Zyrën e parë diplomatike të Zvicrës në Kosovë», rrëfen Nrecaj. «Ai dëshironte ta ndërtonte një hotel me romë dhe t’i tërheqë turistët e t’i afrojë me vendin». Nrecaj në fillim heziton, edhe për shkak të faktit që ai do të ngrihej në një enklavë serbe. Në fund, atij i rezulton që «ideja është e shkëlqyer, natyra e mrekullueshme dhe direkt përpara sheshit qëndrojnë rrënojat e Ulpianës».

«Unë dëshiroja të krijoja hapësira, të cilat bashkë me ambientin përreth do të ishin një përjetim. Arkitektura ime duhet ta rrëfejë gjithomonë një histori», shpjegon arkitekti dhe vazhdon: «U bë një projekt multietnik, idealist, njëlloj projekti paqeje, në të cilin deri më sot bashkëpunojnë mirë shqiptarë, serbë, romë dhe zviceranë». Funksionalisht: «Projekti Graçanica për mua është një copë Zvicër në mes të Kosovës, me gjithë mikpritjen, komoditetin dhe disenjin, të cilin e vlerësojmë në Zvicër».

Nrecajt nuk i mugon besimi në shoqërinë kosovare. «Atje ka shumë potencial… Vetëm se prej politikanëve duhet të vijë shumë më shumë që ky potencial të mund vërtet të shfrytëzohet dhe të zgjerohet». Për arkitektin shqiptar në Zvicër nuk është vetëm fuqia e lirë punëtore, e cila mund t’i ndjellë investitorët perëndimorë në Kosovë. «Janë edhe mendjet, kreativiteti i djerrë, energjia e kësaj shoqërie të re, që kanë qejf të bëjnë diçka», dhe e spikat faktin që vitin e kaluar pesë të rinj nga Prishtina e fituan Nasa-Space Apps Challenge-en.

Pavarësisht të gjithave, te Bujar Nrecaj fshihen Kosova dhe Zvicra. Në pyetjen se ku e ka identitetin, ai përgjigjet: «…unë jam të dyja, që të dyja në mua janë të rëndësishme, unë identifikohem me të këtushmen dhe me të atjeshmen. Kuptimin për praktiken e gjej në Zvicër, emocionet i marr nga atje. Të qëndroj në mes, ndërmjet të dyjave, më jep një ndjenjë fuqie», përfundon ai.

MergedFile