Bujar Nrecaj në revistën zvicerane Luxe: «Kush nuk ka ëndrra, s’ka as çfarë të realizojë»

Arkitekti 37-vjeçar zvicerano-kosovar për projektin e tij në Kosovë u zgjodh në listën e ngushtë të «Aga Khan Award for Architecture, 2016».

Bujar Nrecaj. Foto: Christian Senn.

Çfarë domethënë për ju ky nominin?

Për mua është një nder të jesh në listën e ngushtë të AKAA-së. Nominimi, para së gjithash, i ndihmon projektit të Bunatekës, për të cilin u nominova, që të njihet ndërkombëtarisht: një bibliotekë për fëmijë dhe të rinj, të cilët nuk kanë një mundësi tjetër për të lexuar, që të ulen aty ku luajnë dhe nuk kanë drojë: në oborrin e shkollës.

Deri më sot, në vendlindjen tuaj Kosovë ka tetë këso bibliotekash. A do të bëhen më shumë?

Natyrisht, ato mund të vendosen gjiithandej nëpër botë, ku të rinjtë nuk kanë mundësi ta krijojnë një marrëdhënie me librin.

Si erdhi deri te kjo ide?

E kisha që si fëmijë në një fshat afër Prizrenit, kur doja të kontribuoja njëherë dhe të ndërtoja shtëpi të bukura. Kjo nuk m’u shqit kurrë, as gjatë studimeve dhe kur punoja si arkitekt në Zvicër. Kur më 2008 u tha që Kosova do të bëhej e pavarur – unë isha i përfshirë në një projekt që akrkitekti Edoardo Souto de Moura po e ngrinte për kampusin e Novartis – e ndjeva që duhej të isha aty! Dhe, më 17 shkurt 2008, ditën e shpalljes së Pavarësisë, shkova atje.

…dhe u ndeshët me një eufori të madhe të një fillimi të ri!

Po, te njerëzit kishte një gëzim të madh. Secili besonte se tani do të ndodhte diçka e re, e mirë. Por, pothuajse askush nuk ndërmori diçka në këtë drejtim. Unë u përpoqa që euforinë ta përkthej në diçka konkrete dhe e përpunova idenë time të bibliotekës shkollore, një pavion nga druri dhe qelqi, i cili kushton rreth 20’000 euro për ta realizuar. Duke përfshirë edhe librat. Për projektin, ëndrrat, të ardhmen, mendimin kritik, mbi zhvillimin e kësaj shoqërie fola në rrethin e miqve të mi – shumica e tyre më thanë: ti je një ëndërrimtar, kush do të lexojë libra, këtë nuk e bën dot. Mua kjo më bëri të besoja akoma më fort në këtë ide.

Si u pranua projekti juaj?

Në ndërkohë ai është integruar dhe po funksionon. Por, në fillim, për një vit jam endur me projektin dhe modelin nëpër Prishtinë nga ambasada në ambasadë – në Kosovë shpesh çmohet më shumë diçka që vjen nga Evropa Perëndimore. Më në fund, ambasadori norvegjez pranoi ta financojë bibliotekën e parë shkollore, pasi të gjithë të tjerët refuzuan. Unë e mësova një gjë: Kur njeriu është i bindur plotësisht në diçka dhe e ka me gjithë zemër, mund ta realizojë atë. Dhe, ja ku është! Kënaqësia për këtë është një luks, të cilin nuk mund të ma rrëmbejë askush. Nëse nuk ke ëndrra, nuk ke as çfarë të realizosh.

Si po pranoheni në Kosovë? Jo si një i larguar i atabluar, i cili kthehet dhe gjithçka e di më mirë?

Në arkitekturë është gjithandej kështu, edhe në Zvicër. Ti bën diçka, tjetri mendon se do ta bënte më mirë. Ajo që unë e bëj këtu, si atje, është tërhejqja nga egoja ime prej arkitekti, dhe për të krijuar me njerërëzit e për njerëzit diçka që atyre u pëlqen, për ç’gjë janë krenarë. Unë përpiqem ta bëj një arkitekturë që e ka forcën për të kontribuar. Nga kjo pikëpamje është një privilegj të jesh arkitekt! Nuk është fjala vetëm për estetikë, arkitektura nuk domethënë katër mure dhe një kulm përmbi. Për të krijuar një hapësirë për dikë është njëkohësisht edhe një përgjegjësi. Jo vetëm teknikisht, por edhe psikologjikisht dhe njërëzisht.

Por ju po ndërtoni edhe në Zvicër. Cili është dallimi ndërmjet këtyre dy vendeve në punën tuaj?

Arkitektët eksperimentojnë me kënaqësi. Për këtë në Kosovë ka më shumë mundësi sesa në Zvicër, ku ka më shumë kufizime. Atje ka më pak rregullore, klima është ndryshe, aty mund të provosh më me qejf diçka të re. Potenciali i një vendi në ndërtim si Kosova lejon që një temë ta rimendosh.

A është më e thjeshtë edhe për investitorët nga jashtë për të investuar atje?

Vërtet jo më e thjeshtë. Por, atje ka shumë potencial, ende është gjithçka e mundur. Vetëm se prej politikanëve duhet të vijë shumë më shumë që ky potencial të mund vërtet të shfrytëzohet dhe zgjerohet. Mjerisht shumë prej tyre kanë dështuar të krijojnë hapësirë për forcën kreative në vendin e tyre. Nuk është vetëm fuqia e lirë punëtore, e cila mund t’i ndjellë investitorët perëndimorë. Janë edhe mendjet, kreativiteti i lënë djerrë, energjia e kësaj shoqërie të re, të cilët kanë qejf të bëjnë diçka. Vitin e kaluar, pesë të rinj nga Prishtina e fituan Nasa-Space Apps Challenge-en.

Hotel Graçanica është gjithashtu një projekt me qëllime ideale…

Iniciativa erdhi nga ndërmarrësi zviceran Andreas Wormser, i cili ishte përgjegjës për refugjatët në Zyrën e parë diplomatike të Zvicrës në shtetin e sapoformuar të Kosovës. Ai dëshironte ta ndërtonte një hotel me romë dhe t’i tërheqë me të turistët e t’i afrojë me vendin. Kjo m’u duk e mrekullueshme – rrallë gjen pronarë që e dinë qartë se çfarë dëshirojnë të arrijnë me cilin projekt. Në fillim isha skeptik, edhe për faktin se hoteli duhej të ngrihej në Graçanicë, një enklavë serbe në Kosovë, dhe serbët prej vitesh, e sidomos pas luftës së Kosovës, ishin armiku ynë numër një. Unë duhej ta kisha të qartë për veten time: A e bëj këtë? A e dua këtë? E tëra për mua e kishte një aspekt të fortë politik, shoqëror, por edhe emocional. I analizova të gjitha dhe pashë: Kjo mund të bëhet një margaritar! Ideja është e shkëlqyer, natyra e mrekullueshme dhe direkt përpara sheshit qëndrojnë rrënojat e Ulpianës, në kohën e vet qyteti i dytë më i madh romak në Ballkan. Ndërkohë arkeologët kanë filluar ta nxjerrin në dritë qytetin. Në fund vendosa ta bëj projektin dhe vërtet u bë i mrekullueshëm edhe për vendin tim.

Ju e keni ndërtuar aty një hotel të vërtetë klasi…

Unë dëshiroja të krijoja hapësira, të cilat bashkë me ambientin përreth do të ishin një përjetim. Arkitektura ime duhet ta rrëfejë gjithomonë një histori. Mua më intrigonte dhe më gëzonte fakti që ky nuk ishte një investitor i thjeshtë që erdhi dhe thoshte: ma ngrini një super-hotel. Por, sepse ishte një hotel me romë dhe për romë, një minoritet. U bë një projekt multietnik, idealist, njëlloj projekti paqeje, në të cilin deri më sot bashkëpunojnë mirë shqiptarë, serbë, romë dhe zviceranë. Përkundër gjithë skecpticizmit që ekzistonte, nëse këto etni, shpesh të «armiqësuara», funksionojnë bashkë. Projekti Graçanica për mua është një copë Zvicër në mes të Kosovës, me gjithë mikëpritjen, komoditetin dhe disenjin, të cilin e vlerësojmë në Zvicër.

Ku është identiteti juaj personal? Në Zvicër, apo në Kosovë?

(mendohet gjatë)…unë jam që të dyja, që të dyja në mua janë të rëndësishme, unë identifikohem me të këtushmen dhe me të atjeshmen. Kuptimin për praktiken e gjej në Zvicër, emocionet i marr nga atje. Të qëndroj në mes, ndërmjet të dyjave, më krijon një ndjenjë force.

(«Luxe») ks