Brutaliteti i Ramush Haradinajt ndaj arkës së shtetit

Shpërblimet e privilegjet marramendëse për Fanë Rugovën dhe familjen e saj janë neveritëse dhe fyerje e rëndë për qytetarët e Kosovës. Kryeministri i Kosovës po e trajton shtetin si çiflig të tij. Dhe kjo është krim, është turp, është poshtërsi.

Ilustrimi: Shutterstock



Një nga lajmet e ditës së sotme në Prishtinën që po i zihet fryma nga ajri i ndotur ishte ky: Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që Fanë Rugovës, bashkëshortes së presidentit të ndjerë Ibrahim Rugova, t’i ndahet pagë mujore. Kabineti qeveritar mori vendim që për Fanë Rugovën të ndajë një mijë euro neto pagë në muaj, veturë dhe shofer.

Mirë për Fanë Rugovën dhe tmerr për Kosovën. Por, meqë qeveria dhe shefi i saj i kanë hyrë kësaj pune, atëherë do të ishte mirë që me para të shtetit, me paratë e tua e të miat, të paguhet edhe një grimere për Fanë Rugovën, por gjithashtu edhe një floktare, një grua thonjëprerëse, një mbajtëse e peshqirit, një lustruese e këpucëve, një shkundëse e pluhurit, një numëruese e dhëmbëve të krehrit, një hedhëse e vegetës në supë, një grua përgjegjës për ndezjen e kaminit.

Pse jo edhe një shofere rezervë për Fanë Rugovën, edhe një punëtore që hekuros flamujt mbi pullazin e vilës në vlerë prej mbi një milion euro, që gjendet në Velani, pse jo edhe një argat që merret me drejtimin e antenës satelitore, pse jo edhe një shefe të makijazhit, pse jo edhe një parashikuese të motit, përse jo edhe një këshilltare për gardërobë dhe një zëvendëskëshilltare për gardërobë, pse jo edhe një rrogë të trembëdhjetë për Fanë Rugovën?

Shpërblimet e privilegjet marramendëse për Fanë Rugovën dhe familjen e saj janë neveritëse dhe fyerje e rëndë për qytetarët e Kosovës. Kryeministri i Kosovës po e trajton shtetin si çiflig të tij. Dhe kjo është krim, është turp, është poshtërsi. A është apo nuk është i vetëdijshëm Ramush Haradinaj për krimet e tij financiare ndaj buxhetit të Kosovës, kjo është e parëndësishme. E parëndësishme është nëse edhe ministrat e tij janë të vetëdijshëm për plaçkitjen e arkës së shtetit. E rëndësishme është pyetja se si është e mundur që një vendim i tillë të kalojë në qeveri dhe opinioni të heshtë? Ky vend nuk është monarki dhe Fanë Rugova nuk është mbretëreshë. Ajo s’ka asnjë meritë me shumë për lirinë e Kosovës se çdo nënë e Kosovës. Bile ka më pak se mijëra e mijëra nëna që sot jetojnë në mjerim dhe vajtojnë bijtë e tyre që u vranë në betejë kundër kriminelëve të shtetit serb. Shteti i Kosovës ndonëse është i varfër ka vendosur që familja Rugova të marrë për çdo muaj një pension prej 2000 eurosh. Sa për krahasim: rroga mesatare në Gjermani është 2500 euro. Po ashtu kjo familje gëzon mbrojtje të përhershme policore. Çfarë të bëjë Kosova e mjerë më shumë për Fanë Rugovën, djemtë e saj e rejat e saj?

Ndoshta këshilltarët e Ramush Haradinajt do të kujdesen që privilegjet për familjen Rugova të shtohen. Pse jo një veturë Range Rover për Fanë Rugovën, pse jo një pasaportë diplomatike, qe besa nuk do të ishte keq ta bënit diku edhe ambasadore, sepse në këtë vend, kur fillon seria e vendimeve të poshtra, zor se mund të ndalet. Dhe në këtë poshtërsi Ramush Haradinaj luan rolin kryesor, duke u bërë se po e «nderon» familjen Rugova. Sepse i ka ardhur dita për «nderime» të tilla. Sepse mendon se kështu, me mendësinë e tij pseudokanunore, «e nderon» jo vetëm familjen Rugova, të cilën «nuk po e nderon» LDK, por edhe Kosovën. Jo, Kosovën po e poshtëron.

Në të vërtetë, LDK nuk i ka më asnjë borxh familjes Rugova. Ajo nuk e përfaqëson më Ibrahim Rugovën. Ajo është vetëm pjesë e intrigave politike e biznesore të kafehaneve të Prishtinës. Një familje që dyshohet të jetë në shërbim të krimit të organizuar dhe rrjeteve korruptive. Një familje që s’ka ambicie tjetër veçse të ujit buqetat që i merr nga presidenti dhe kryeministri i Kosovës, për të cilët ky vend është terren i përshtatshëm për shuarjen e komplekseve thellësisht arkaike. Ibrahim Rugovës do t‘i vinte turp nga ky koalicion i poshtërsive. Ramush Haradinajt nuk i vjen turp. Për të turpi është kategori e panjohur.