Brukseli: Shqipëria nuk ka detyrim të lejojë tani importin e plehrave

Në një përgjigje ndaj kërkesës për koment mbi ligjin që lejon importin e mbetjeve në Shqipëri, Drejtoria e Mjedisit në Komisionin Europian thotë se importi i plehrave për riciklim është në përputhje me rregullat europiane, por thekson se Shqipëria nuk ka kurrfarë detyrimi të lejojë importin dhe ka të drejtë ta ndalojë atë për sa kohë nuk është vend anëtar.

Foto: dencg / Shutterstock.com

Drejtoria e Komisionit Europian për Mjedisin mendon se ligji që lejon importin e plehrave në Shqipëri është «në përputhje me rregullat Europiane» dhe se në opinionin e saj, «amendimet janë të përshtatshme për Shqipërinë në këtë kohë», por thekson gjithashtu se ky opinion nuk është detyrues për Shqipërinë dhe se Brukseli nuk ka vendosur asnjë kusht për vendin tonë në këtë çështje.

«Më duhet të theksoj se opinioni jonë është i bazuar në dijeninë në nivel ekspertësh por nuk mund të konsiderohet detyrues për Komisionin ligjërisht», shkruhet në shkresën që Brukseli i ka dërguar Shqipërisë.

Letra, e cila vjen në përgjigje pas një kërkese për koment të dërguar nga Ministria e Integrimit e Shqipërisë më 7 nëntor të këtij viti, thekson se rregulloret e BE-së në lidhje me menaxhimin e plehrave lejojnë njëkohësisht importin e plehrave si përfitim nga parimi i lëvizjes së lirë të mallrave dhe gjithashtu, lejojnë vendet të ndalojnë importin e mbetjeve në rast se ky import nuk është në përputhje me planin vendës për menaxhimin e integruar të mbetjeve.

«Një ndalim i hapur i importit të plehrave të rrezikshme të destinuara për rekuperim, siç përcaktohet në aktin në diskutim, mund të mos jetë në përputhje me nenin 12, (të Rregullores për plehrat). Gjithsesi, Rregullorja 1013/2006 është e detyrueshme në tërësi vetëm për vendet anëtare të BE-së», shkruhet në letër.

Qeveria shqiptare u përpoq të merrte një miratim nga Brukseli për ligjin e shumëdebatuar që lejon importin e plehrave, pasi Presidenti i Republikës Bujar Nishani dekretoi kthimin e tij për diskutim në Kuvend më 14 tetor, me shpresë se një përgjigje pozitive do të ndihmonte argumentin e saj në favor të importit.

Gjithsesi, përgjigjja e Komisionit thekson se rregullorja 1013/2006 Mbi Plehrat nga njëra anë e lejon importin e plehrave në një vend anëtar dhe nga ana tjetër i jep të drejtë qeverisë të çdo vendi anëtar të vendosë rast pas rasti, në përputhje me planet kombëtare të menaxhimit të plehrave.

Dekreti i Presidentit Nishani për rikthimin për diskutim në Kuvend të ligjit të qeverisë pritet të shqyrtohet në seancë plenare më 24 nëntor. Organizatat e shoqërisë civile kanë njoftuar protestë gjatë të gjithë ditës para Kuvendit të Shqipërisë duke kërkuar anulimin tërësor të importit të plehrave.

«Sipas rregullores 1013/2006 mbi transportin e plehrave, Shqipëria mund të ndalojë importin e çfarëdolloj plehre (të rrezikshme apo jo) për operacione eliminimi në Shqipëri, në bazë të secilës arsye të renditur në nenin 11, pasi të jetë vend anëtar. Sipas nenit 11(6), një ndalim mbi importin e plehrave për eliminim mund të zbatohet në përgjithësi», shkruhet në letër.

«Ndryshe nga eliminimi, importi i mbetjeve të rrezikshme për rekuperim mund të refuzohet vetëm për arsyet e renditura në nenin 12 të Rregullores 1013/2006. Plehrat e destinuara për operacione rekuperimi të renditura në Aneksin II të Direktivës 2008/98/EC mbi plehrat në përgjithësi shikohet si mall që përfiton nga parimi i lëvizjes së lirë të mallrave», shkruhet në letër.

«Një ndalim tërësor i mbetjeve të rrezikshme të destinuara për rekuperim, siç përcaktohet në aktin në diskutim, mund të mos jetë në përputhje me nenin 12. Gjithsesi, Rregullorja 1013/2006 është e detyrueshme në tërësi vetëm për vendet anëtare të Bashkimit Europian.»

Shqipëria ka një gamë të gjerë detyrimesh në lidhje me menaxhimin e plehrave para anëtarësimit në Bashkimin Europian. Në raportin e Progresit për vitin 2016, i cili u publikua më 11 nëntor, sa i përket ecurisë së Shqipërisë në lidhje me kapitullin 27 të negociatave, kapitull që lidhet me Mjedisin dhe Ndryshimet Klimaterike, Komisioni Europian thekson se Shqipëria ka «nivel të ulët përgatitjeje». Kjo është nota 2 nga pesë nota me të cilat Brukseli mat ecurinë e një vendi kandidat për anëtarësim. Në lidhje me ligjin e shumëdebatuar mbi importin e plehrave, Raporti i Progresit thotë se ky ligj «synon të përafrojë më tej me acquis, për shkak se lejon importin e plehrave, megjithëse vetëm për qëllime riciklimi. Zbatimi i tij kërkon që Shqipëria të zhvillojë infrastrukturën e nevojshme, institucionet dhe një sistem për monitorimin kontrollues dhe raportimin e lëvizjes së plehrave.»

(http://www.reporter.al/brukseli-shqiperia-nuk-ka-detyrim-te-lejoje-tani-importin-e-plehrave/)