Brukseli dhe Uashingtoni i ngrisin tonet ndaj VMRO-së dhe Ivanovit

UE-ja dhe SHBA-të i kanë shtuar tonet kritike ndaj politikanëve të cilët e bllokojnë formimin e qeverisë së re dhe institucioneve të tjera në Maqedoni, ndërkohë që deputetët e VMRO-së vazhdojnë të bllokojnë konstituimin e kuvendit dhe zgjedhjen e kryeparlamentarit të ri. Nga ana tjetër, edhe presidenti Gjorgji Ivanov vazhdon të mos ia japë mandatin për formimin e qeverisë kreut të shumicës së re parlamentare, liderit të LSDM-së, Zoran Zaev.

Pamje nga Parlamenti i Maqedonisë. Foto: ColorMaker / Shutterstock



Shtetet e Bashkuara inkurajojnë liderët maqedonas që të bëjë gjithçka që munden për të formuar pa vonesa të mëtejshme një qeveri, në mënyrë që vendi të mund të vazhdojë me reformat. Kështu është shprehur zëdhënësi i Departamentit Aamerikan të Shtetit, në programin e Zërit të Amerikës në gjuhën maqedonase. Në këtë porosi të Uashingtonit zyrtar thuhet se politikanët të cilët bllokojnë proceset reformuese në Maqedoni duhet të thirren në përgjegjësi. «Politikanët që përpiqen të bllokojnë formimin e qeverisë po minojnë shtetin ligjor, procesin demokratik, stabilitetin e vendit dhe të rajonit më gjerë. Shtetet e Bashkuara do të punojnë me partnerët evropianë, për t’i nxitur politkanët të heqin dorë nga pengesat si dhe t’i mbajë ata përgjegjës për veprimet e tyre», thuhet në përgjigjen e një zëdhënësi të Departamentit të Shtetit, katër javë pasi shumica e re parlamentare ende nuk arrin të zgjedhë kryetarin e ri të Kuvendit.

E gjithë situata është bllokuar pasi deputetët e VMRO-DPMNE-së zvarritin debatin parlamentar, duke improvizuar ndërhyrje procedurale dhe replika mes njëri-tjetrit gjatë debatit në punën për formimin e Komisionit për Zgjedhje dhe Emrim. Ata tanimë publikisht kanë bërë me dije se do ta përdorin këtë mekanizëm, të cilin e vlerësojnë si demokratik, derisa, siç shprehen ata, Zaev të pranojë zgjedhje të reja parlamentare ose ta hedhë deklaratën e përbashkët të partive shqiptare të cilën e quajnë «Platforma e Tiranës».

Nga LSDM kanë ndërprerë diskutimet e tyre në kuvend, me qëllim që të mos shpenzojnë kohë shtesë, por nuk ndërmarin asnjë hap konkret, edhe pse kanë paralajmëruar se kanë strategji për zhbllokimin e kuvendit. Shumica e re parlamentare që përbëhet nga LSDM, BDI, Lëvizja Besa dhe Aleanca për Shqiptarët ka dorëzuar edhe kërkesë për ndërprerjen e pikës së tretë dhe hapjen e debatit për pikën e katërt, zgjedhjen e kryetarit të ri të kuvendit. Edhe për këtë pikë LSDM dhe BDI kanë propozim konkret për zgjedhjen e Talat Xhaferit për kryetarë të kuvendi. Propozimin e ka mbështetur edhe Aleanca për Shqiptarët, ndërsa Lëvizja Besa e ka kundërshtuar Xhaferin, por ka paralajmëruar se nuk do ta pengojë zgjedhjen e kryetarit të ri dhe do ta mbështesë konstituimin e kuvendit dhe formimin e qeverisë së re.

Thirrje për formimin urgjent të Qeverisë kanë ardhur edhe nga Brukseli zyrtar. Ambasadori i BE-së, Samuel Zhbogar ka thënë se tanimë shtë koha për unitet dhe për formimin e qeverisë dhe institucioneve të tjera në Maqedoni. «Ka ardhur koha që vendi të ecë përpara, të formohen institucionet shtetërore, të zgjidhet kryetari i kuvendit dhe të formohet qeveria. Mendoj se ka ardhur koha që edhe pushteti edhe opozita, ashtu si edhe të gjithë njerëzit në vendin tuaj, të fillojnë më shumë të dëgjohen me njëri-tjetrin që të jenë të unifikuar», ka deklaruar Zhbogar.

Ndërkaq zëdhënësja e BE-së, Maja Kocijançiç, i ka dërguar edhe një herë porosi presidentit Ivanov që të rishqyrtojë vendimin e tij dhe t’ia japë mandatin liderit të LSDM-së, Zoran Zaev, për formimin e qeverisë. Ajo ka vlerësuar se nuk mund të humbet më shumë kohë për këtë çështje. Komisioni Evropian sot sërish ka bërë thirrje që të respektohen rezultatet e zgjedhjeve dhe presidenti Ivanov ta rishikojë vendimin e tij. «Siç ka kumtuar BE edhe më herët, rezultatet e zgjedhjeve të fundit duhet të respektohen patjetër, t’i jepet fund pasigurisë së tanishme dhe të formohet Qeveria pa vonesa shtesë», thotë mes tjerash për agjencinë META zëdhënësja e Komisionit Evropian, Maja Kocijançiç.

Por, Ivanov vazhdon t’i injorojë thirjet e faktorit ndërkombëtar. Në të njëjtën ditë, ai ka përsëritur arsyetimet e njëjta, duke u thirrur në kushtetutë si arsye për të mos ia dhënë mandatin Zaevit. «Përderisa ato pengesa nuk largohen unë nuk mund të sjell vendim i cili do të kontestohet. Nëse kontestohet një vendim i tillë, atëherë do të hapet çështja për përgjegjësinë time. Andaj kërkoj dhe insistoj që të largohen pengesat juridike dhe politike», deklaroi presidenti i maqedonisë, Gjorge Ivanov. Sipas tij, pengesë juridike dhe politike është deklarata e përbashkët e partive shqiptare në Maqedoni, të cilën, ashtu si edhe partia e tij amë, VMRO-DPMNE, e quan «Platforma e Tiranës».

Aktualisht, shumica e re parlamentare LSDM, BDI, Besa dhe Aleanca ka 67 vota në kuvend, ndërsa VMRO-DPMNE 51. PDSH e Menduh Thaçit ka vetëm dy deputetë dhe ende nuk ka marrë vendim për të mbështetur asnjërën palë në kuvend.