Brirët e vjedhura të Ernest Heminguejt, rikthehen pas gjysmë shekulli

Gazetari Hunter S. Thompson vizitoi shtëpinë e ikonës letrare Ernest Heminguej, tre vite pas vetëvrasjes së tij, por ai u largua nga shtëpia duke vjedhur një palë brirë dreri që shërbenin si trofe. Më shumë se gjysmë shekulli më vonë, brirët janë rikthyer.

Dhoma e ndenjës e Ernerst Hemingwayt. Foto: Cabeca de Marmore / Shutterstock.com

Në vitin 1964, një gazetar amerikan 27-vjeçar i quajtur Hunter S. Thompson shkoi në Idaho për të shkruar rreth shkrimtarit Ernest Heminguej dhe shkaqeve të vetëvrasjes së tij në moshën 61-vjeçare. Gjatë vizitës në shtëpinë ku Heminguej kishte vrarë veten tre vite më parë, Thompson pëlqeu dhe mori një palë brirë dreri.

Më tepër se gjysmë shekulli më pas, gruaja e gazetarit të njohur për stilin e tij jo-objektiv të gazetarisë, i riktheu brirët në shtëpinë në mal të Ernest Heminguej, e cila tani i përket Konservatorit Natyror.

Për dekada, brirët mbetën të varura në garazhin e shtëpisë së Thompson në Kolorado. Nuk dihet nëse brirët ishin trofe i gjuetisë së shkrimtarit, i cili njihej si i pasionuar pas gjuetisë, apo i ishin bërë atij dhuratë.

Ashtu si Heminguej, Thompson u vetëvra me armë në vitin 2005, në moshën 67-vjeçare në shtëpinë e tij në Kolorado.

(reporter.al: http://www.reporter.al/briret-e-vjedhura-te-ernest-heminguejt-rikthehen-pas-gjysme-shekulli-foto/)