Brexiti inkurajon Gruevskin, dekurajon Ahmetin

Dalja e Britanisë së Madhe nga Unioni Europian e motivon Nikolla Gruevskin në kursin e tij të bllokimit të proceseve demokratike. Nga ana tjetër ajo e demotivon Ali Ahmetin, i cili integrimin në UE e ka proklamuar si zgjidhjen e të gjitha problemeve të shqiptarëve në Maqedoni.

Foto: Predrag Vasilevski / Shutterstock.com

Për një vend si Maqedonia, ku integrimi në strukturat euro-atlantike është motivi kryesor për implementimin e reformave, çdo zhvillim negativ në UE – si largimi i Britanisë së Madhe – mund të reflektohet negativisht në dhe proceset e brendshme politike. Kështu vlerësojnë analistët politikë dhe njohësit e diplomacisë, të cilët kujtojnë se ngjashëm si vendet tjera të Ballkanit perëndimor, edhe ky shtet asnjëherë nuk i ka parë reformat si nevojë për stabilizim dhe zhvillim të brendshëm, por si përmbushje e kërkesave nga jashtë.

Analisti Xhelal Neziri thotë se edhe zgjedhjet e rregullta dhe demokratike, mediat e lira, tregu i lirë, gjyqësori i pavarur dhe standardet përherë janë parë si sakrifikim për të fituar një biletë hyrëse në klubin evropian. Sipas tij, edhe BE nga qytetari i rëndomtë është parë si një mundësi e madhe për të arritur një kualitet të dëshiruar të jetesës. Ai thotë se vendimi i britanezëve do të inkurajojë politikat antievropiane të qeverisë së Shkupit; tani ajo, sipas tij, do të jetë më e motivuar që t’i ikë implementimit të reformave. «Kur kjo ëndërr evropiane vihet në pikëpyetje shkaku i daljes së Britanisë nga BE, qeveria në Shkup pritet të ngadalësojë implementimin e reformave prioritare nga Raporti i Pribes dhe rekomandimet e Komisionit Evropian (KE). Ndërkohë që konsolidimi i Unionit pas Brexitit do të pamundësojë zgjerimin me vende të reja, Maqedonia si vend me status kandidat nuk do të ketë motiv të zbatojë reformat e kërkuara. Kjo ka gjasa të forcojë pozicionin e pushtetit të VMRO-DPMNE-së, e cila gjatë kohë përhap euroskepticizmin për t’u ikur reformave të sistemit», deklaroi për «dialogplus», analisti Xhelal Neziri.

Edhe më shqetësuese situatën e bën fakti që Maqedonia tanimë ndodhet në një krizë të thellë politike, ndërsa integrimi në BE ishte arsyeja kryesore që mbante gjallë shpresat për zgjidhjen e kësaj krize. Neziri thotë se debati i hapur për të ardhmen e BE-së pas largimit të Britanisë së Madhe, tani mund të keqpërdoret nga Qeveria, më saktësisht nga VMRO-DPMNE edhe në procesin e zgjidhjes së krizës. «Pikërisht mungesa e atyre reformave ka shkaktuar trazira në Shkup, me ç’rast opozita e drejtuar nga LSDM prej gati një viti proteston në rrugë. Ky moment i dobësimit të BE-së mund të ndërlikojë edhe më shumë zgjidhjen e krizës në Maqedoni», deklaroi Neziri.

Ish ambasadori Nano Ruzhin thotë se tani mediat maqedonase proqeveritare do të përpiqen të shpërndajnë euroskepticizëm. Megjithatë, Ruzhin thotë se Maqedonia nuk mund t’u shmanget reformave euro-atlantike. Ambasadori Nano Ruzhin thotë se jo vetëm nga procesi integrues, por qeveria nuk mund të heq dorë as nga Marrëveshja e Përzhinos. «Duhet ta dinë se Brexiti nuk do të thotë Maxit; nuk mund të shmanget ajo që është demokraci e që ndërlidhet me Marrëveshjen e Përzhinos me arsyetimin se Evropa nuk është popullore…», deklaroi Ruzhin.

Analisti Xhelal Neziri thotë se nga situata e krijuar me Brexitin, partneri shqiptar në pushtet, BDI, nuk duket i lumtur për shkak të zbehjes së ëndrrës evropiane. Ai rikujton se integrimi në BE ishte premtimi i kësaj partie si zgjidhje e të gjitha problemeve të shqiptarëve në Maqedoni. Përveç kësaj, Neziri rikujton se bashkimi i shqiptarëve në BE ishte promovuar si alternativë e ëndërrës për bashkim kombëtar të shqiptarëve në Ballkan. Por, ai thotë se tani jo vetëm tek shqiptarët, por ëndërra e krijimit të shteteve të mëdha mund të ringjallet edhe te të gjithë popujt tjerë të Ballkanit. «Integrimi në BE dhe NATO janë shtyllat e platformës së saj që nga themelimi. Përveç dimensionit socio-ekonomik, integrimi evropian i shqiptarëve të Maqedonisë, nga ana e liderit të BDI-së Ali Ahmeti, është vendosur në narrativin e heqjes së kufijve midis shqiptarëve në Ballkan. Rrjedhimisht, dështimi i BE-së mund të ngjallë apo forcojë idetë e shteteve të mëdha apo etnike jo vetëm te shqiptarët, por edhe te popujt tjerë në Ballkan», vlerëson Neziri.