Brenda ligjit, jashtë zemrës – dëbimi i familjes shqiptare nga Berlini ngjall indinjatë në popull

Afro 300 ish-azilantë nga Shqipëria e Kosova janë dëbuar nga landi i Berlinit vetëm gjatë këtij viti. Avioni i fundit në drejtim të Prishtinës u nis më 15 dhjetor. Në bord ishte edhe familja Ajazaj, rasti i të cilës kish bërë bujë në media..

Gazetat gjermane raportojnë mbi dëbimin e familjes Ajazaj. Foto: Rüdiger Rossig



Netët në Gjorm të Vlorës janë po aq të ftohta sa në Berlin. Por ndryshe nga Berlini, në dhomën ku është sistemuar Artjola Ajazaj me të shoqin, Xhezon, dhe tri vajzat e vogla, nuk ka ngrohje. Një oxhak ngroh gjithë shtëpinë përdhese të prindërve të Xhezos, dy dhomat e tjera ngrohen me frymë njerëzish. Natën, veç jorganit e velenxës, vetëm shalli dhe kapuçi të shpëton nga të ftohtit, thotë Artjola. Për tre vjet e kishte harruar athëtinë e të ftohtit në vendin  e saj. Ngrohësit elektrikë janë të panevojshëm: «Kam tre ditë këtu, dy ditë pa drita, edhe kur vijnë, vijnë nga një orë dhe ikin», thotë ajo.

Dëbim pas mesnate

Të premten më 15 dhjetor në tre të natës i kish zgjuar nga gjumi policia e Berlinit. Një orë e gjysmë kohë kishte familja për të mbledhur plaçkat përfundimisht. Ndër to, edhe dokumentet që Xhezo dhe Artjola kishin paraqitur një ditë më parë, të enjten, te enti për të huajt: Lejekalimi i lëshuar nga Ambasada e Shqipërisë në Berlin për vajzën tetëvjeçare, meqë i kish skaduar pasaporta dhe një biletë autobusi e linjës Berlin-Prishtinë, me emrat e tyre si pasagjerë. «Më vjen keq, por kjo s’më hyn në punë», i kish thënë një ditë më parë nëpunësja. «Nuk ka garanci që do të ktheheni me të vërtetë».

«Po si nuk do të kthehemi?»

Kish pyetur Artjola. «Kemi paguar 240 euro». Më nevojitet biletë avioni, i kish thënë nëpunësja. Dhe çifti shqiptar i kish premtuar se të hënën, më 18 dhjetor, do të vinte sërish për të sjellë biletën e avionit. Të nesërmen, në tre të mëngjesit, Xhezo dhe Artjola me vajzën gjashtëmuajshe në krah dhe dy vajzat e tjera për dore, njëra tetë dhe tjetra ketërvjeçare, do të ndodheshin në avion, së bashku me afro 100 bashkëvuajtës të tjerë, nga Kosova, Shqipëria dhe Moldavia. Shumica familje me fëmijë në moshë shkolle.
Pesë vjet pa vizë Schengen
Edhe Klara, vajza e madhe e Artjolës dhe Xhezos, shkonte në shkollën Kathe-Kollwitz, në Berlin Lichtenrade. «Mami, kur do të shkoj prapë në shkollë?» – kjo është pyetja që Artjolës i dhëmb më së shumti. Sepse sipas rregullave aktuale, ish-azilkërkuesit e dëbuar nga Gjermania nuk kanë të drejtë të shkelin hapësirën Schengen për më së shumti pesë vjet.

Po si ndodhi kështu? Dy javë më parë u duk sikur senatori i Berlinit u zbut. Familja nga Shqipëria konsiderohej e integruar në Berlin. Gazetat «Bild» dhe «Berliner Zeitung» (BZ) citonin punëdhënësin që fliste në shkallën superiore për Xhezon, pllakashtruesin që mbaronte dy banja në ditë. Edhe Komisioni i Rasteve të Jashtëzakonshme pranë Senatit të Brendshëm të Berlinit, ku përfaqësues nga qeveria dhe shoqëria civile merren pikërisht me raste të tilla që nuk mund të shteren vetëm me paragrafë ligjesh, kishte rekomanduar për familjen që t’i jepej leje qëndrimi.

Kërkohet ligj i ri për imigracionin

Senatori socialdemokrat, Andreas Geisel, kishte premtuar se do ta rishqyrtonte dhe prapë kishte kthyer përgjigje negative. Në një përgjigje që më dërgoi të enjten, më 21 dhjetor, senatori thotë se vendimi i komisionit ishte me karakter politik, por për zbatimin e tij nuk kishte bazë ligjore. Ligji aktual nuk e parashikon ndryshimin e statusit nga ish-azilkërkues në imigrant ekonomik, arsyeton senati dhe vetë distancohet nga ligji federal: «Raste si ky dëshmojnë se sa i nevojshëm është ndryshimi i ligjit të imigracionit».

Vetëm një javë pasi familjes i erdhi përgjigja përfundimtare nga negative, përgjigje që do t’ia shuante edhe shpresat e fundit, të ngjallura sërishmi sidomos nga raportet nëpër media dhe vetë premtimi i senatorit për rishqyrtim, familja Ajazaj u dëbua. Përse kjo ngutje? Thua se një familje me tre vajza të vogla përbënte rrezik për sigurinë, thua se ky do të qe avioni i fundit për Tiranë. Ndaj këtyre pyetjeve senati i Berlinit nuk jep përgjigje: «Ju lutemi për mirëkuptimin, por nuk lejohemi të japim hollësi për rastet individuale».

Ngatërresë a me dashje

Artjolën tani e vret ndërgjegjja që si datë kthimi në biletën e autobusit kish caktuar 28 dhjetorin. Ishte një operacion në tiroide që mjeku ia pat lënë për 19 dhjetor. «I thashë mjekut që nuk pres dot shumë, por ai tha se nuk kishte mundësi të më operonte më herët. Pastaj mendova se do të më duhej ca kohë derisa të merrja veten pas operacionit», thotë 29-vjeçarja. Edhe dëshminë e operacionit të planifikuar e pat çuar te Enti i të Huajve. «Ta kisha lënë atë të shkretin operacion», thotë Artjola në telefon. Po të ishte kthyer vullnetarisht, së paku do të lejohej pas dy vjetësh të kthehej në Berlin.

Në Berlin familja e ndiente veten shumë mirë. Por edhe qytetarët e Berlinit kishin simpati për ta. Prifti protestant, Rainhard Kraft, i cili u kishte mësuar gjermanisht, e kish lutur senatorin ta shqyrtonte edhe njëherë rastin. Tani ai është i tronditur që senati i Berlinit nuk priti derisa familja të largohej vetë nga Gjermania. Kraft thotë se ky dëbim nuk ka sesi të jetë në përputhje me rregullat: «Ose është ndonjë ngatërresë, ose është bërë me qëllim, çka do të ishte skandaloze». Kraft do të përpiqet tani me mjete juridike dhe politike që ta dëshmojë si të parregullt dëbimin e familjes.

Qytetarë të indinjuar 

Kritika ndaj senatorit të Berlinit vjen edhe nga radhët e koalicionit të spektrit të majtë bashkëqeverisës. Politikanë të gjelbër dhe të majtë e kanë kritikuar nëpër media senatorin socialdemokrat për këtë aksion kaq të nxituar. Por jo vetëm politika. Rasti duket se ka prekur edhe qytetarët e thjeshtë. Në një peticion të iniciuar nga një qytetar me emrin Mathias Merz në platformën online www.change.org janë grumbulluar mbi 1500 nënshkrime. Komentet e nënshkruesve janë të ngjashme dhe mund të përmblidhe në mesazhin e një nënshkruesi: «Dëbimi i kësaj familjeje vërtet që mund të jetë bërë sipas ligjit, por ai është i pazemër».