Brenda 10 vitesh BE ndau 9 miliardë euro për Ballkanin: Kush mori më së shumti?

Me përshpejtimin e procesit të integrimit të vendeve të Ballkanit nga arkat e Brukselit do të rrjedhin më shumë para, parashikon «Frankfurter Allgemeine Zeitung».




Gazeta gjermane «Frankfurter Allgemeine Zeitung» (FAZ) parashikon se strategjia e re e BE-së ndaj vendeve të Ballkanit do të kushtojë shumë para. Në dokumentin e BE-së theksohet se për të përkrahur një proces të papenguar të kalimit nga faza e kandidimit në atë të anëtarësimit në BE është e pashmangshme rritja e mjeteve financiare. Andaj Komisioni i BE-së propozon që deri në vitin 2020 të ndahen  më shumë mjete për ndihmën para anëtarësimit (IPA). Deri më tani, sipas gazetës gjermane, mes viteve 2018-2020 kanë qenë të parapara 1,7 miliardë euro. Në dokumentin strategjik thuhet se 1,07 miliardë euro do të harxhohen gjatë vitit 2018, kështu që 600 milionë eurot e mbetura duhet të rriten për vitet 2019 dhe 2020.

«Frankfurter Allgemeine Zeitung» shkruan se në periudhën e IPA I nga viti 2007 deri më 2013 për vendet e Ballkanit janë ndarë 4,1 miliardë euro. Për IPA II nga viti 2014 deri 2020 janë planifikuar 3,9 miliardë. Këtyre duhet shtuar edhe programet transnacionale, kështu që Komisioni i BE-së thekson se mes viteve 2007-2017 rajoni ka marrë gati 9 miliardë euro.

Përfituesi më i madh i ndihmave financiare të BE-së është Serbia: IPA I kishte paraparë 1,4 miliardë euro dhe IPA II 1,5 miliardë euro, mesatarisht 207 milionë euro në vit. Paratë e BE-së rrjedhin në Ballkan për të forcuar adminsitrarën, sundimin e ligjit, zhvillimin e përtëritshëm ekonomik, konkurrencën, demokracinë dhe qeverisjen e mirë. Çuditërisht, shkruan gazeta e Frankfurtit, këto janë fushat që Komisioni i sheh deficitet më të mëdha – përkundër ndihmës shumëvjeçare me miliona. FAZ citon ekspertin e Ballkanit të London School of Economics, William Bartlett, i cili thotë se përvojat e deritanishme me Slloveninë dhe Kroacinë si anëtare të BE-së janë përgjithësisht pozitive. Ato, sipas tij, janë objekte më të mira për referencë, andaj eksperti nga Londra thekson se është e drejtë që vendeve të Ballkanit t’u jepet një perspektivë e qartë e anëtarësimit. Gazeta gjermane shkruan se në krahasim me Turqinë, e cila ka katër herë më shumë banorë se Ballkani (18 milionë), vendet e rajonit marrin dukshëm më shumë para nga Brukseli. Për Kosovën në kuadër të IPA II mes viteve 2014-2020 janë paraparë 645,2 milionë euro.
E.R.