Bota është e mirë!

45 gazeta nga Brazili në Japoni prezantojnë projekte, të cilat përmirësojnë jetën e njerëzve, ngjallin shpresën, mbrojnë ambientin.




Biznesi i gazetarëve janë krizat. Lajmi i keq është lajm. I miri botohet (nëse botohet!) diku në faqet e fundit të gazetës apo në ndonjë thellësi të padukshme portali. Lajm janë refugjatët që fundosen në Mesdhe dhe karvanët e sirianëve që pasi i kanë shpëtuar tmerrit në Halep të Sirisë ecin në këmbë nga Selaniku në Serbi – me shpresë se një ditë do të arrijnë në Gjermani. Para disa javësh në Vaksincë, një katund shqiptar afër Kumanovës: përgjatë vijës hekurudhore ecnin nja 50 veta, të cilët nga largësia dukeshin si bjeshkatarë, por nga afër u prezantuan si të mbijetuar të luftimeve në Halep, një qytet i mrekullueshëm oriental që dikur i bënte të ëndërronin turistët nga bota perëndimore. Në pyetjen «nga po shkoni?» njëri prej refugjatëve mori guximin dhe u përgjigj: «Germania inshallah!» Ndërkohë ai mund të ketë arritur në Gjermani, mund të jetë vendosur në një qendër refugjatësh dhe mund të jetë portretuar nga ndonjë gazetë lokale.

Lajm janë djemtë e frustruar me dështimet e tyre personale, të cilët nga idili perëndimor hidhen në aventura fanatike fetare në Siri e Irak. Lajm janë banditët e Boko Haramit në Afrikë që rrëmbejnë vajza për të mos i lënë të shkojnë në shkollë. Përndryshe: Boko Haram domethënë arsimi perëndimor është haram, i palejueshëm, i ndaluar.

Lajm është Greqia dhe kryeministri i saj komunist, i cili pasi ia tund dorën Vladimir Putinit në Shën Peterburg thotë se Europa një kohë të gjatë e ka parë veten si qendër të botës, por kohërat, sipas shokut Aleksis Cipras, po ndryshojnë. Derisa Cipras flirton me Putinin instituti grek për hulumtim të mendimit publik GPO njofton se 70 për qind e grekëve duan që vendi i tyre të mbetet pjesë e eurozonës.

Lajmet e këqija janë të pafundme.

Por ka edhe lajme të mira.

45 gazeta nga Brazili në Japoni të shtunën, më 20 qershor, në ditën e shpallur si «Impact Journalism Day», kanë prezantuar projekte, të cilat përmirësojnë jetën e njerëzve, ngjallin shpresën, mbrojnë ambientin. Në webfaqen www.impactjournalismday.com gjenden 104 projekte të përshkruara më hollësisht. Gazetat i kanë zgjedhur disa prej tyre për t’ua bërë të njohura lexuesve. E përditshmja zvicerane «Tages Anzeiger» ka ndarë me publikun lexues 15 projekte për një botë më të mirë. Disa prej tyre po i prezantojmë për lexuesit e dialogplus.

Minjtë gjenialë

Organizata joqeveritare belge Apopo trajnon minj në një laborator në Tanzani për të zbuluar minat. Minjtë kanë një shqisë tepër të zhvilluar të nuhatjes dhe sapo të zbulojnë eksplozivin në tokë, ta zëmë TNT-në, ata ndalen dhe zgurdullojnë sytë. Minjtë e Tanzanisë nuk janë të zakonshëm: ata peshojnë mesatarisht një kilogram, por për dallim nga qentë që kanë peshë më të madhe brejtësit e vegjël edhe ku qëndrojnë mbi një minë nuk shkaktojnë shpërthimin e saj. Njëri nga trajnerët thotë: «Për 200 metra katrorë miut i duhen 20 minuta. Njeriut të pajisur me detektor metali për këtë sipërfaqe i duhen 25 orë». Këta minj nuk zbulojnë vetëm minat, por edhe bakterien e tuberkulozes.

Droni i dobishëm

Amin Rigis është inxhinier i robotikës nga Irani. Qëllimi i tij është ta ndërrojë imazhin e dronit. Deri më tani këto fluturake pa pilotë janë përdorur nga Barack Obama për të vrarë terroristë në mbarë botën ose nga ndonjë shqiptar për të bartur një copë tekstili me simbole kombëtare mbi një stadium të Beogradit gjatë ndeshjes së futbollit mes Serbisë dhe Shqipërisë. Modeli i dronit të Rigisit quhet Roboguard dhe vjen nga qielli në det sapo të konstatohet se një notues rrezikohet nga valët. Pastaj droni shndërrohet në dyshek me ajër dhe i afron viktimat potenciale në breg të detit. Sipas iranianit Rigis ky është vetëm fillimi. Në të ardhmen dronët mund të përdoren për t’iu dalë në ndihmë bjeshkatarëve që lëndohen, njerëzve të rrezikuar nga vërshimet apo zjarri, punëtorëve në platforma nafte.

Falmi sytë!

Kamilla Ryding ka vështirësi të mëdha për të parë. Por ajo është këmbëngulëse. 29-vjeçarja nga Kopenhaga punon si shkencëtare, ka jetuar në SHBA dhe Australi, është vrapuese e distancave të gjata dhe aktualisht po bën plane të vrapojë maratonë. Por problemet me sy atë shpesh e dëshpërojnë. Ajo është praktikisht e verbër: sheh vetëm një për qind. Një koleg i saj është kujdesuar që Ryding të ketë më pak shqetësime në përditshmëri. Hans Jørgen Wiberg e ka zhvilluar aplikacionin për iPhone «Be My Eyes», i cili shfrytëzuesit e verbër i lidh me një armatë të vullnetarëve që shohin. Kur Kamilla Ryding ka nevojë për ndihmë ajo i jep urdhër me zë iPhonit dhe aplikacioni «Be My Eyes» kërkon vullnetarët që janë në dispozicion për t’i ndihmuar. Ryding dhe vullnetari ose vullnetarja lidhen përmes videokamerës dhe ai që sheh ia «huazon» sytë asaj që nuk sheh. Kur Ryding nuk e sheh datën e skadimit të një artikulli ushqimor ajo thërret për ndihmë sytë e dikujt. Bota është e mirë!

Përqafomë!

Të gjithëve u ka ndodhur: dëshironi të përqafoni personin që e doni dhe ai person s’është afër. James Teh, shkencëtar nga Singapori, ishte ballafaquar me këtë pyetje pasi kishte njoftuar një stjuardesë të Singapore Airlines. Ajo fluturonte anekënd botës dhe Teh i hapte krahët dhe përqafonte ajrin. Stjuardesa sot është gruaja e tij. Teh ka konceptuar një xhaketë, e cila i përqafon njerëzit me nevoja të veçanta. Shpikja e tij quhet T.Jacket dhe është e pajisur me «airbags», të cilat mund të simulojnë përqafime për bartësin. Risia e madhe është se kjo xhaketë mund të dirigjohet përmes një aplikacioni të telefonit mobil. Sipas Teh xhaketa e shpikur prej tij është e dobishme jo vetëm për të dashuruarit marrëzisht, por edhe për njerëz që vuajnë nga frika, autizmi dhe demenca. Rreth 600 veta tashmë e shfrytëzojnë xhaketën që të përqafon.

Telefona për lisa

Në mal: cicërojnë harabelat, fluturojnë dallëndyshet, papagajtë e kuq dhe të gjelbër shqiptojnë fjalë qesharake. Në mal: ushton zhurma e sharrës dhe kamionëve derisa banditët presin ilegalisht malin. Fjala është për pyjet e Amazonës në Brazil, një xhungël e pafundme dhe e rrezikuar nga zhbërja. Për mjekun Topher White kjo ishte arsyeja për të zhvilluar një projekt për shpëtimin e maleve: në maje të lisave montohen telefona të vjetër, të cilët lidhen me antena dhe alarmojnë pjesëtarët e fisit nëse afër lisit dëgjohet zhurma e kamionëve apo sharrave. Testet e para kanë qenë shumë premtuese. Në botë hidhen miliarda telefona në bërllok. Disa prej tyre mund të vazhdojnë të jenë të dobishëm për ambientin nëse vendosen në majë të lisave.

Edhe disa projekte të tjera duhet përmendur. Në Ugandë shumë njerëz në lagje të varfra nuk kanë as një kopsht për të mbjellë perime. Harriet Nakabaale mbush thasët me dhé dhe mbjell në ta perime. Shembulli i saj është bërë i njohur në shumë lagje të Ugandës. Në Bangladesh një grua i ka shndërruar disa anije në spitale lundruese për t’iu ofruar ndihmë mjekësore të varfërve. Po: bota është e mirë!