Bota e errët e Murat Jasharit

Prej aktivistit të Lëvizjes Popullore të Kosovës deri te adhuruesi i teorive aventuriere të komplotit: kush është Murat Jashari, i arrestuar nën dyshimin e atentatit kundër Azem Vllasit?

Ilustrimi: Shutterstock



27 vjet më parë «New York Times» shkruante për fillimin e gjykimit kundër Azem Vllasit para një gjykate të regjimit komunist jugosllav. Atëbotë shumë media jugosllave, sidomos në Slloveni, Kroaci dhe Bosnjë, raportonin gjerësisht mbi ndjekjen që po ia bënte Vllasit regjimi i Slobodan Millosheviqit, të cilin lideri komunist i Kosovës e kishte kundërshtuar për shkak se synonte t’ia hiqte autonominë Kosovës. 27 vjet më vonë Vllasi sërish dominon titujt e mediave të rajonit – kësaj radhe pas një sulmi me armë kundër tij. Mjekët thonë se avokati i njohur kosovar gjendet jashtë rrezikut për jetë. Në një prononcim për Radion Europa e Lirë Vllasi ka thënë se «sulmuesi kishte një armë zjarri me silenciator (shurdhues) dhe sipas karakteristikave ishte një atentator i porositur. (..) Para orës 8 në mëngjes dikush i ra ziles. Dola. Një person mbante letra në dorë. Tha se kishte një problem pronësor. I thash se këto unë nuk i punoj dhe që të shkojë në rrugën përballë tek një tjetër avokat. A ka ardhur nga Gjermania apo e ka dërguar dikush, nuk e di. Kam hyrë të shkruaj në një copë letër numrin dhe t’ia japë. Kur kam dalë ai më ka sulmuar tek dera me një revole me silenciator, evidente i përgatitur, më ka sulmuar dhe më ka qëlluar në krah e pastaj iku. Sipas të gjitha karakteristikave ai ishte një atentator i porositur. Pse dhe nga kush, hetimet do të tregojnë. Në bazë të punës sime profesionale, nuk kam dhe nuk kam pasur asnjë problem me askënd. Familja ime nuk ka problem dhe as kontest me asnjeri. Nuk e di se çka të mendoj dhe nuk dua të hamendësoj. Hetimet do të tregojnë çdo gjë».

Policia e Kosovës ka arrestuar dy persona. Ajo nuk e ka publikuar identitetin e tyre, vetëm ka dhënë inicialet – M.J. dhe A.Ll. Mediat kosovare kanë njoftuar se M.J. është Murat Jashari, ndërsa A. Ll. – Avni Llumnica. Për të shkruar për personin Murat Jashari, duhet të kthehem në vitet ’80, atëherë kur si fëmijë e kisha njohur atë. Jetonte në një banesë në një fshat buzë liqenit të Zürichut dhe ishte aktivist i Lëvizjes Popullore të Kosovës. Adhurues i madh i «veprave» të «shokut» Enver Hoxha, Jasharit i pëlqente shumë që kur shkonim për vizitë ta përshëndesnim me grusht. Dukej se bashkë me të buzëqeshte edhe portreti i Enver Hoxhës i varur në murin e dhomës së ditës në banesën e tij, ku kishte mjaft libra – të tilla me Enver Hoxhën autor, por edhe romane me motive patriotike si «Pushka top, Bajram Curri!», «Mic Sokoli» të Sulejman Krasniqit ose «Lëshoma hisen e diellit» të Adem Istrefit.

Murat Jashari ishte ndër aktivistët më të palodhshëm të LPK-së. Pedagog me profesion, i lindur në fshatin Orizare të Kumanovës, ku ishte përndjekur nga regjimi i atëhershëm jugosllav, Jashari i takonte grupit të atyre veprimtarëve të LPK-së që ishin të bindur se shqiptarët do të bashkoheshin duke besuar në «forcat e veta» dhe porositë e «shokut Enver». Këtë bindje ai nuk e ndërroi as pasi NATO bombardoi Serbinë më 1999 dhe çliroi Kosovën. Sidomos gjatë luftës në Kosovë dhe në Luginën e Preshevës Jashari ishte i angazhuar në «detyra speciale»: mbledhje fondesh dhe blerje armësh. Për këtë veprimtari u arrestua dhe qëndroi në burg në Zvicër. Vëllai i tij Ismet Jashari ishte njëri nga guerilët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Pas vrasjes u bë i njohur në opinion si «Komandat Kumanova».

Që nga përfundimi i luftës në Maqedoni Murat Jashari zhvilloi një betejë virtuale kundër shokëve të tij të dikurshëm, të cilët pasi lanë Zvicrën u bënë njerëz të pushtetshëm në Prishtinë dhe Shkup. Jashari ishte i bindur se ata tradhtuan idealet, hoqën dorë nga bashkimi kombëtar dhe nuk po e përmendnin më Enver Hoxhën si idhull. I akomoduar në një botë të errët virtuale Jashari nisi një fushatë me akuza të rënda kundër ish-krerëve dhe ish-aktivistëve të LPK-së. Vëmendjen e opinionit e tërhoqi me grumbujt me pyetje që ua drejtonte udhëheqësve të Partisë Demokratike të Kosovës si Xhavit Haliti dhe Hashim Thaçi, të cilët i akuzonte për të gjitha të zezat.

I quante tradhtarë, agjentë të Serbisë, vjedhës të fondeve e çka jo tjetër. Ndërsa Thaçi ka heshtur ndaj këtyre akuzave, Haliti në një intervistë e kishte quajtur Murat Jasharin të sëmurë psikik. Dy figura të tjera që atakonte vazhdimisht Jashari ishin Ali Ahmeti dhe Musa Xhaferi. Sipas pikëpamjes së tij ata ishin kyçur në luftën kundër regjimit maqedonas vetëm sa për të fituar pushtet, ndërsa «idealet e shenjta kombëtare» i kishin harruar. Duke mos qenë i ngarkuar me asnjë përgjegjësi publike Jashari e kishte të lehtë të qëllonte me saçma. Së fundi prononcimet e tij i përmblodhi në një libër, i cili nuk zgjoi pothuaj fare vëmendje në opinion. Në këtë libër nuk dihet çka është fakt dhe çka teori komploti. Sa i përket rolit të tij Jashari nuk kishte asnjë dyshim. Së fundi e kishte shpallur veten «kancer i politikanëve të korruptuar dhe të krimit të organizuar».

Tani për tani vetëm mund të spekulohet mbi motivet e sulmit kundër Azem Vllasit. Ai së fundi ka botuar kujtimet e tij, ku mes tjerash thekson se krerët e demonstratave të vitit 1981 nuk ishin angazhuar as për demokraci, as për republikë, por vetëm synonin që komunizmin jugosllav ta zëvendësonin me stalinizmin e Enver Hoxhës. Me këtë qëndrim Vllasi nuk është i vetëm dhe si protagonist i kohës dhe mbështetës i socializmit titoist ai tregon një version të historisë, i cili duhet të jetë pjesë e debatit për historinë po aq sa përbetimet e përhershme të aktivistëve marksistë-leninistë, të cilët janë të bindur në pagabueshmërinë e tyre.

Një vëzhgues neutral dhe njohës i shkëlqyer i rrethanave në Jugosllavi si gazetari Viktor Meier në librin e tij «Si u humb Jugosllavia» shkruan: «Përkundër shumë intervistave dhe bisedave autori deri në ditën e sotme nuk ka arritur ta ketë as për së afërmi të qartë se çfarë dëshironin konkretisht demonstruesit shqiptarë të marsit dhe prillit 1981. Shqiptarët si kombësi në Jugosllavi dhe krahina e Kosovës si <element konstituiv> tashmë ishin pranuar: politikanët kryesorë shqiptarë në Kosovën e asaj kohe, një kombinim deri-diku funksional i njerëzve më të vjetër dhe të rinjve, përfitonin nga zhvillimi në përgjithësi i suksesshëm. Nga fondi federativ për republikat dhe krahinat e pazhvilluara rridhnin mjete të konsiderueshme në Kosovë, e cila në kuadër të balancës financiare madje dukshëm u favorizua në krahasim me rajonet e tjera të pazhvilluara të Jugosllavisë. Natyrisht edhe atëherë kishte pikëpamje se mjetet për investim që transferoheshin në krahinë keqpërdoreshin. Prishtina u bë kryeqytet reprezentativ. Pas godinave ambicioze mund të shihje dëshirën e shtresës së re intelektuale të Kosovës që këtu të krijohet një qendër së paku e barasvlershme e kombit shqiptar në raport me Tiranën. Rëndësi të veçantë kishte zgjerimi i shpejtë i Universitetit të Prishtinës, i cili që në vitin 1979 kishte nëntë fakultete dhe ndiqej prej 24 mijë studentëve, prej tyre 17’700 shqiptarë».

Ndërsa demonstratat e vitit 1968 Meier i shihte me sy pozitiv, për trazirat e vitit 1981 akuzonte si organizatorët ashtu edhe udhëheqjen komuniste kosovare. «Pa marrë parasysh se nga cila anë i vështron gjërat, prapëseprapë imponohet përfundimi se demonstratat e vitit 1981 në Kosovë, për dallim nga ato të vitit 1968, është vështirë të justifikohen. Për shqiptarët, por natyrisht edhe për mbarë zhvillimin jugosllav, ato patën ndikim katastrofal. Po aq katastrofal ishte edhe reagimi i udhëheqjes së atëhershme politike shqiptare në Kosovë. Me besimin e patundur në Jugosllavinë federative, socialiste dhe me pikëpamjen kategorike se e ardhmja e Kosovës mund të jetë vetëm brenda saj, udhëheqja kosovare reagoi me kundërdhunë ndaj kryengritjes irracionale të një pjese të elitës së saj të re kundër rrugës jugosllave. Ajo besonte se <njollën> e demonstratave mund ta pastronte me mjete të ashpra nga gëzofi i vet, në mënyrë që pastaj e pastër të mund të futej në rreshtin jugosllavo-socialist. Me metodat e saj ajo dobësoi solidaritetin dhe rrjedhimisht edhe fuqinë kryengritëse politike të shqiptarëve të Kosovës bashkë me strukturat e tyre politike. Më vonë u pa se Jugosllavia socialiste nuk dëshironte t’i mbronte as statusin kushtetues të Kosovës, as të drejtat e kombësisë shqiptare kundrejt nacionalizimit serb».

Nëse sulmi ndaj Azem Vllasit është kryer për shkak të qëndrimeve të tij mbi zhvillimet në Kosovë më 1981 dhe rolin e celulave marksist-leniniste, kjo do të tregonte se në mesin tonë ende ka njerëz që në mungesë argumentesh historinë duan ta shkruajnë me armë. Dikur Slobodan Millosheviqi para qindra-mijëra nacionalistëve serbë premtonte arrestimin e Vllasit, ndërsa sot ka shqiptarë që duan të imponojnë vetëm «të vërtetën» e tyre. – Në vazhdën e hetimeve policia e Kosovës do të duhej të bashkëpunonte edhe me autoritetet e Zvicrës, ku jeton Murat Jashari dhe me gjasë edhe Avni Llumnica.