«Bosnjë-Hercegovina shumë afër vijës së kuqe!»

Politika e shpërbërjes, e prodhimit të armiqësisë dhe urrejtjes, e cila zgjat qe 20 vjet, ka arritur rezultate që tashmë janë në afërsi të vijës së kuqe përtej së cilës nuk mund të shkohet më, vlerëson gazetari, shkrimtari dhe diplomati Zlatko Dizdareviq në një intervistë për Deutsche Welle.

Zlatko Dizdareviq, gazetar, autor dhe diplomat boshnjak. Ai ishte redaktor i së përditshmes «Oslobodjenje», i revistës «Svijet» dhe «Nedjelja», ambasador i Bosnjë- Hercegovinës në Kroaci dhe në disa vende arabe.

DW: Zoti Dizdareviq, jemi mësuar që në prag të zgjedhjeve në Bosnjë-Hercegovinë politikanët të merren me ngritjen e tensioneve etnike. A është kjo që çështja për të cilën jemi dëshmitarë në javët e fundit, nga pyetja për referendumin në Republikën Serbe e deri në apostrofimin e luftës, të përshtatet me modelin e mëparshëm, apo tani bëhet lojë shumë më tepër sesa vetëm për një fushatë të thjeshtë zgjedhore?

Zlatko Dizdareviq: Nuk ka dyshim se në pyetje është fushata zgjedhore, por mendoj se e gjithë historia doli në kuadër të rrijtes standarde të tensioneve dhe provokimi i opinionit në mënyrë që të fitohet një rezultat më i mirë zgjedhor. Këtë herë është shumë më keq, sepse politika e shpërbërjes, e prodhimit të armiqësisë dhe urrejtjes, e cila zgjat veç 20 vjet, ka arritur rezultate që tashmë janë në afërsi të vijës së kuqe mbi të cilën nuk mund të shkohet më. Bile edhe në qoftë se dikush e ka për qëllim që kjo të mbetet në kuadër të fushatës zgjedhore, mendoj se ishte shumë shkurtërpamës, sepse çështja ka ardhur në pikën, e cila është shumë më serioze.

Disa politikanë, sidomos boshnjakët, e thërrasin Zyrën e Përfaqësuesit të Lartë dhe bashkësinë ndërkombëtare që të reagojnë si një rojtar i llojit të vet i Marrëveshjes së Daytonit. Duke marrë parasysh krizën në BE, a janë reale këto pritje?

Nuk janë reale, të paktën për dy arsye. E para është se ky shtet kurrë nuk do të dalë në selamet, në qoftë se nuk e gjen fuqinë dhe interesin e vet për t’u emancipuar si shtet. Arsyeja e dytë është ajo se nga niveli i «optikave të vogla politike» që mbretërojnë këtu, nuk kuptohet që ne nuk jemi faktor, as për bashkësinë ndërkombëtare, as për BE-në në masën në të cilën mendohet këtu. Fokusi botëror tani është zhvendosur në Lindjen e Afërme dhe në Ballkan, në krahasim me të, është një «disneyland» i pastër.

Ju e përmendi Lindjen e Afërme, ku rol të rëndësishëm luan edhe Rusia. Ajo është aktive edhe në Ballkan. Milorad Dodik në Moskë kërkoi mbështetje për referendumin në Republikën Serbe. Si e shihni Ju rolin e Rusisë, por edhe të Serbisë?

Duhet të kuptohet se Rusia është kthyer në skenën e madhe politike botërore. Mendoj se Rusia nuk është e interesuar për destabilizimin e mëtejshëm të Ballkanit. Sigurisht që ata e perceptojnë Serbinë dhe Republikën Serbe si zonë të interesit të tyre këtu, por nuk mendoj se Rusia vazhdon ta minojë stabilitetin në Ballkan dhe në Bosnjë-Hercegovinë. Në fund të fundit, pse të mos thuhet, Rusia e ka të drejtën t’i përfaqësojë interesat e veta këtu, mu ashtu sikur bëjnë edhe të gjithë të tjerët. Sa i përket Serbisë, mendoj se udhëheqja e saj e ka përcaktimin drejt BE-së dhe nuk besoj se ajo për shkaqe emocionale apo të rrejshme historike t’i sakrifikojë interesat aktuale për shkak të Republikës Serbe, përkatësisht për shkak të politikës së keqe që e udhëheq Republika Serbe.

Si mund të ndikojë rezultati i referendumit në situatën në BH?

Mendoj se referendumi ishte një veprim i keq dhe se e destabilizon Bosnjë-Hercegovinën, sidomos në momentin kur ajo është në pozicion starti drejt BE-së. Ta themi thjesht, nuk pres që referendumi të çojë në atë që është përmendur sipas principit: luftë, gjak, konflikte… Megjithatë, është e sigurt se e kemi situatën që do të jetë rezultat i të menduarit absurd dhe jodiplomatik. Në prag të referendumit, gjendja është sjellë deri në atë që në politikën serioze gjithmonë shmanget, e ajo është situata «ose-ose». Do të fitojë ky, do të humbë ai. Situata ndërmjet Dodikut, në njërën anë, dhe Izetbegoviqit e bashkësisë ndërkombëtare, në anën tjetër, është sjellë deri në atë pikë. Shikuar formalisht, kemi sulm mbi rendin kushtetues të BH-së. Mirëpo, ne kemi sulme në rendin kushtetues për më shumë se 20 vjet. Ne kemi 90 vendime të pazbatuara të gjykatës, për të cilat askush nuk është qortuar. E kemi një situatë skizofrenike në të cilën sistemi ligjor dhe kushtetues që moti është braktisur dhe manipulohet me të, e nga kjo histori merr gjithkush atë që ka nevojë. I gjithë ky akth ka ardhur në vijën e kuqe, për të cilën fola në fillim. (…) Bashkimi Evropian është vonuar 20 vjet në Bosnjë-Hercegovinë, ndërsa u kthye në lojë për shkak të interesave të veta të brendshme, nga frika prej islamizimit, nga frika prej Rusisë, por nuk e kupton se u kthye në terrenin në të cilin Bosnja nuk është madje as ajo që ka qenë në vitin 1996.

Ç’është ajo që është shumë më ndryshe?

Substanca e Bosnjë-Hercegovinës ka qenë gjithmonë shoqëria, e jo shteti. Në atë terren Bosnjë-Hercegovina është mundur, dhe kjo është organizuar në tërësi dhe në mënyrë sistematike. Në Bosnjë-Hercegovinë shoqëria është shpërbërë. Shteti mund të riorganizohet, por te shoqëria kjo nuk bëhet ashtu shpejt dhe lehtë. Bosnjë-Hercegovina praktikisht nuk e ka sovranitetin e vet të brendshëm shtetëror – ajo e ka sovranitetin e vet të jashtëm, i cili është mishëruar me njohjen ndërkombëtare, ndërsa sovraniteti i brendshëm është shpërbërë plotësisht në tri pjesë, në bazë të platformës që është quajtur «një kundër dy», – gjithmonë është «një kundër dy», në varësi të interesit të brendshëm momental. Nëse i keni tre lloj sovranitete të brendshme, filozofia e të cilave është «si të mposhtet ai tjetri», aty nuk mund të gjendet platforma për interes të përbashkët dhe për rrugën europiane. Kjo është ajo që është më dramatike në situatën e tanishme, e cila vetëm e tregon historinë e referendumit.

Flisni për shoqërinë. Shumë njerëz të zakonshëm janë të shqetësuar se mund të ketë përshkallëzim të situatës.

Unë nuk jam i shqetësuar në kuptimin në të cilin disa flasin sot – në kuptimin që do të shpërthejë lufta. Është gjithashtu e vërtetë se njerëzit mendojnë se pas zgjedhjeve çdo gjë do të kthehet në hullinë e vjetër. Është gjithashtu e vërtetë se Bosnjë-Hercegovina gjithnjë pak e më pak po përparon, pa marrë parasysh sesa BE-ja, sipas mendimit tim, në mënyrë skandaloze u përpoq të lavdërojë diçka që nuk ekziston këtu. Shikoni, vlerësimi sipas të cilit rezultatet e agjendës së reformave në Bosnjë janë «mbresëlënëse» është në nivelin e Monty Python. E kuptoj se me këtë logjikë bëhen përpjekje që topi të lëshohet në tokë dhe situata të «zbutet». Megjithatë, derisa të kuptohet se nuk ka të ardhme europiane nëse nuk arrihet konstituimi i brendshëm shtetëror në bazë të interesave të përbashkëta, e jo në konfrontime, nuk do të ketë gjë prej gjëje. Njëri nga kushtet për aplikim ka qenë mekanizmi i koordinimit. Ky mekanizëm tani është i tillë që nuk mundëson strukturat ekzistuese shtetërore kushtetuese të Bosnjë-Hercegovinës, por e pranon se Bosnja e përbën sistemin e shthurur të shumë institucioneve dhe shumë politikave. Ky mekanizëm i ka në vete 13 faktorë të cilët duhet të dakordohen për interesat e përbashkëta në negociatat me BE-në. E këtu dy-tre faktorë nuk mund të pajtohen, lëre më 13! Ky është rezultat i mendimit të BE-së – se këtu bëhet fjalë për një shtet logjik, e Bosnja nuk është shtet i tillë. Për sa kohë dikush nuk përpiqet që këtu ta vendosë një sovranitet të përbashkët minimal shtetëror, në bazë të interesave të përbashkëta, deri atëherë këtu nuk do të ketë asgjë.

A ka të tillë që mendojnë ndryshe, e që veprojnë nga pozitat e interesit të përbashkët?

Sigurisht që këtu ka njerëz që mendojnë ndryshe, madje edhe në strukturat ekzistuese. Të themi, shumëkush këtu ministrin Mirko Sharoviq e percepton si njëri nga të paktët që mendon nga pikëpamja e interesave të Bosnjë-Hercegovinës, sepse ai lufton që komplet Bosnja mund t’i eksportojë produktet e saj. Pra, nuk është e vërtetë se nuk mund ta bëjë këtë. Megjithatë, e keni organizimin frankenshtajn të shoqërisë në të cilën kuptimi brenda tri identiteteve të ndara duket sikur njëri luan me të tjerët. Dhe, në këtë mënyrë është zhvilluar politika e armiqësisë deri në urrejtjen e tjetrit, sepse vetëm ashtu fitohen votat. Nga kjo është logjike që gjërat do të vazhdojnë të shkojnë vetëm në drejtim të ndarjes. Kjo ndarje shihet edhe në Kryesinë e Bosnjë-Hercegovinës, ku anëtarët nuk i përzihen në punë njëri-tjetrit, për shembull, në emërimin e ambasadorëve. E keni situatën absurde kur Gjykata Kushtetuese e shpall të paligjshëm referendumin, kurse Mladen Ivaniq, si anëtar i Presidencës së Bosnjë-Hercegovinës paralajmëron se do të dalë në votime. Në këtë ai nuk është aspak i ndryshëm nga të dy anëtarët tjerë në ndonjë situatë tjetër.

Disa herë e përmendni se situata ka ardhur deri te «vija e kuqe». Çfarë, sipas mendimit tuaj, nënkupton kjo «vijë e kuqe»?

E përfaqëson shpërbërjen e Bosnjë-Hercegovinës. Nuk mendoj se duhet të jetë e përgjakshme, por do të vijë deri te një bllokadë absurde, në të cilën ne nuk do të jemi shtet as për vetveten, as nuk do të jemi faktor stabiliteti në rajon. Për më tepër, do të jemi shumë infektues në rajon, pasi Bosnja nuk mund të vijë në situatë të jashtëzakonshme pa pjesëmarrjen e Kroacisë dhe të Serbisë, por edhe të Turqisë, në anën e tretë. Turqia tani përnjëherë bëhet fantazi për një pjesë të Bosnjës dhe identiteti boshnjak kërkohet në Turqi. Çfarë lidhje ka ajo me identitetin e Bosnjë-Hercegovinës? Pra, «vija e kuqe» do të thotë se Bosnja do të bëhet faktor serioz destabilizues në rajon.

(Zlatko Dizdareviq është gazetar, autor dhe diplomat. Ai ishte redaktor i së përditshmes «Oslobodjenje», i revistës «Svijet» dhe «Nedjelja», ambasador i Bosnjë- Hercegovinës në Kroaci dhe në disa vende arabe)