Bosnja dhe Kosova: Iraku i Bashkimit Evropian

Bosnja dhe Kosova po kolapsojnë në aspektin e brendshëm. Siç ka ndodhur edhe në Irak, BE-ja ka krijuar një fasadë demokracie në të dy shtetet, ku sundojnë elitat e korruptuara politike të zgjedhura prej Bashkimit Evropian. Pavarësisht prej dëshmive të bollshme të vrasjeve politike, skandaleve të niveleve të larta të korrupsionit të njerëzve në krye të qeverisë së Kosovës, EULEX-i ka dështuar tërësisht të ndëshkojë ndonjë prej figurave të rëndësishme




Nuk është vetëm Iraku që është shkatërruar prej ndërhyrjes perëndimore. Tashmë është pranuar gjerësisht se ndërhyrja e vitit 2003 në Irak ishte shkatërrimtare, me shumë opinionistë që argumentojnë se ekziston mungesa e çfarëdo planifikimi dhe politike ushtarake për kapërcimin e tensioneve fetare dhe etnike atje. Por duket se pak është mësuar prej ndërhyrjes, meqë Qeveria irakiane, e mbështetur prej Shteteve të Bashkuara, ka lejuar të përdoret prej milicive shiite për të ndërmarrë sulme tokësore. Kjo është dëshmuar më së miri në aksionin e fundit për luftimin e Tikritit në kontroll të ISIS-it.

Dhjetëra-mijëra irakianë janë larguar pas ndërhyrjes perëndimore të vitit 2003 dhe kështu është zgjeruar konflikti i brendshëm. Sot, valë të reja të refugjatëve po largohen prej ISIS-it dhe prej kundërsulmeve të Qeverisë irakiane. Iraku është shtet që ekziston vetëm në kuptimin formal. Amerika ka ndihmuar për krijimin e një fasade demokracie në Irak – duke instaluar liderë që favorizojnë Perëndimin. Sundimtarët aktualë të Irakut nuk kanë kurrfarë lidhje me popullin dhe si rezultat sundojnë nëpërmjet shtypjes ekstreme, korrupsionit, ndasive fetare dhe politikës së sahalëpirjes. Avantazhi i Amerikës dhe aleatëve të saj është se kjo ua mundëson të lajnë duart prej përgjegjësisë, duke fajësuar për katastrofën e pandalshme elitën irakiane.

Sidoqoftë, nuk është vetëm Iraku që është shkatërruar prej ndërhyrjes perëndimore. Megjithëse ka larg më pak diskutime për ndërhyrjet e Bashkimit Evropian në Bosnjë dhe Kosovë, këto dy raste demonstrojnë qartazi problemet me ndërhyrjen dhe kufizimet e sundimit të jashtëm. Të dy rastet janë të rëndësishme, si puna e Irakut, sepse përgjithësisht paraqiten si shembuj të suksesshëm të ndërhyrjes dhe qeverisjes pas ndërhyrjes. Prapëseprapë, Bosnja dhe Kosova po kolapsojnë në aspektin e brendshëm. Siç ka ndodhur edhe në Irak, BE-ja ka krijuar një fasadë demokracie në të dy shtetet, ku sundojnë elitat e korruptuara politike të zgjedhura prej Bashkimit Evropian.

Nuk është vetëm Bosnja që u krijua prej Amerikës dhe BE-së pas shkatërrimit të Jugosllavisë dhe luftërave të përgjakshme që pasuan, por është shtet që vazhdon të kontrollohet prej Bashkimit Evropian nëpërmjet zyrës së Përfaqësuesit të Lartë. Ai vetëm së fundi ka bërë të ditur se njëzetë vjet pas përfundimit të luftës së Bosnjës, zyra ende është vitale. Kjo ndodh për shkak se pa sundim evropian, Bosnja nuk do të ekzistonte fare. Trazirat antiqeveritare që shpërthyen pranverën e kaluar vunë në pah se vetë shteti zor se mund të funksionojë i vetëm. Madje edhe «Guardian», një prej mediumeve prijëse të mbështetjes së ndërhyrjes ushtarake perëndimore në luftërat e Jugosllavisë, prezantoi pasqyrën shkatërruese në një prej editorialeve të fundit.

Bosnja është shtet në derexhe agonie me shkallë të lartë papunësie, nivele të larta të korrupsionit dhe qytetarë që ka hequr të gjitha iluzionet e mundshme për ditë të mira. Dhe kjo nuk është për t’u habitur. Pas shkatërrimit të Jugosllavisë, Bashkimi Evropian vendosi një sistem në të cilin sundimi ishte ruajtur nëpërmjet grupeve etnike, të prirë prej politikanëve të favorizuar prej BE-së. E vetmja mënyrë për të vazhduar qeverisjen me shtetin boshnjak për BE-në ishte korruptimi i elitave politike myslimane, serbe dhe kroate.

Njëkohësisht, një krizë e heshtur po ndodh në Kosovë. Kosova gjithashtu është një shtet që ekziston vetëm falë ndërhyrjes ushtarake perëndimore. NATO-ja në vitin 1999 hyri në luftë në përkrahje të fushatës ushtarake të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për ndarje prej Serbisë. Kosova në vitin 2008 shpalli pavarësinë formale prej Serbisë dhe është njohur prej shumicës së shteteve anëtare të BE-së. Tani madje edhe ka nisur normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Brukselit. Problemi i vetëm është që askush nuk dëshiron më të jetojë në Kosovë. Mijëra shqiptarë të Kosovës kanë lëshuar vendin e tyre në muajt e fundit, duke kërkuar azil në Gjermani dhe shtete të tjera.. Rreth pesëdhjetë mijë persona dhe ky numër vazhdon të rritet (prej një popullsie prej 1.8 milionë banorësh) kanë lëshuar vendin vetëm që nga fillimi i këtij viti.

Tani kanë nisur spekulimet pse Kosova nuk po ia del në krye. Shkaku i parë mbase është i lidhur me ndryshimet e lejeve të kalimit kufitar me Serbinë, që e bën më të lehtë për kosovarët të largohen. Por shkaqet e tjera më të thella janë të shumta. Kosova ka shkallë papunësie prej gjashtëdhjetë për qind në mesin e rinisë. Është një shtet i vogël i prirë prej një klike haraçexhinjsh dhe vrasësish, dhe nuk ka plan ekonomik përtej pasurimit personal. Në këtë rrëmujë duhet shtuar edhe faktin se Misioni Evropian për Sundimin e Rendit (EULEX), misioni më i madh i jashtëm i Bashkimit Evropian që përfshinë burime policore dhe civile, është zhytur deri në fyt në skandale korrupsioni. EULEX-i është vendosur më 2008 pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, duke i zëvendësuar Misionin e Përkohshëm të Kombeve të Bashkuara (UNMIK). EULEX-i ka 1600 punëtorë dhe i kushton evropianëve 110 milionë euro në vit. Ka mandat jashtëzakonisht të rëndësishëm me kompetenca të gjera. Detyra e tij është të vendosë dhe të mbikëqyrë sistemin juridik, policor, të kontrollit kufitar, të ruajë sundimin e rendit, integrojë minoritetet dhe të hetojë e gjykojë krimet e luftës, korrupsionin dhe krimin e organizuar.

Fatkeqësisht për shkak të korrupsionit të EULEX-it, është rritur hatashëm numri i vrasjeve dhe ilegalitetit. Qeveria e prirë prej ish-kryengritësve të UÇK-së ka kryer krime të shumta ndaj serbëve dhe romëve, dhe është përfshirë në shkelje flagrante të drejtave të njeriut dhe në vrasje politike. Për më tepër, pavarësisht prej dëshmive të bollshme të vrasjeve politike, skandaleve të niveleve të larta të korrupsionit të njerëzve në krye të qeverisë, EULEX-i ka dështuar tërësisht të ndëshkojë ndonjë prej figurave të rëndësishme. Vetë EULEX-i, sipas disa vrojtuesve, është përzier pak a shumë me elitat politike të Kosovës dhe gjithashtu është akuzuar për mbulim të korrupsionit brenda radhëve të veta.

Ndërhyrja perëndimore në Kosovë, si në Bosnjë, ka krijuar në fakt këto shtet dhe është forca e vetme që i mban të bashkuara. BE-ja ka vendosur elita që mbajnë pozitat e tyre vetëm falë ndërhyrjes perëndimore. Proceset demokratike në këto shtete janë të menaxhuara në faza, pa procese të përnjëmendta politike ose lidhje me qytetarët e tyre. BE-ja ka hise të madhe në ruajtjen e bindjes fiktive se këto janë shoqëri demokratike, funksionale dhe vetëqeverisëse; duke postuar fëmijë nëpër fushata marketingu, duke krijuar kinse përshtypjen se kjo më shumë po bëhet nëpërmjet ndikimit «etik» sesa nëpërmjet sundimit të jashtëm. Duke qenë se ka vendosur në sisteme elita të dëgjueshme politike në këto shtete, BE-ja sundon këto vende duke përdorur sistemet  e errëta dhe jollogaridhënëse të organizatës burokratike. Këto sisteme shkelin me të dy këmbët mbi procesin, por në çdo hap ia humbin BE-së kontrollin e saj. Qytetarët ose votojnë sa për sy e faqe, ose provojnë të largohen prej vendit, ose zemërohen fort dhe nuk mërziten çfarë po ndodh. Si në rastin e Irakut, gjërat do të nisin të marrin të mbarën vetëm atëherë kur qytetarët e Bosnjës dhe të Kosovës të marrin në duart e tyre të ardhmen e tyre.

Botuar së pari në «Spiked»

(*Tara McCornack është ligjëruese e politikës ndërkombëtare në Universitetin e Leicesterit. Është autore e librit «Critique, Security and Power: The Political Limits to Critical and Emancipatory Approaches to Security”, publikuar prej Routledge.)