Bosi i FBI-së që po trazon fushatën presidenciale në SHBA

Vetëm pak ditë para zgjedhjeve presidenciale, FBI-ja e ka turbulluar fushatën e Hillary Clintonit. Shefi i policisë federale, James Comey, po bëhet një figurë qendrore mediatike dhe objekt i kritikave për shkak të hetimeve të tij.

James Comey. Foto: lev radin / Shutterstock.com

Një karrierë e jashtëzakonshme. Për një kohë të gjatë shefi i FBI-së, James Comey, llogaritej si i paprekshëm dhe i pakritikueshëm. Ai është çmuar si një figurë që e gjen gjithmonë rrugën e duhur ndërmjet fronteve për t’i mbajtur larg njëra tjetrës politikën dhe drejtësinë.

Por, ai tani, në mënyrë të vetëdijshme apo thjesht për qëllime të mira, e ka bërë pikërisht të kundërtën: Hetimi i tij dramtik dhe i keqkuptueshëm për të kontrolluar e-mailë të tjerë nga rrethi i Hillary Clintonit ka shkaktuar rrëmujë në garën për në Shtëpinë e Bardhë.

Comey tani krahasohet me ish drejtorin e famshëm të FBI-së, J. Edgar Hoover, i cili policinë federale të Shteteve të Bashkuara të Amerikës e ka udhëhequr për rreth 50 vite, nga 1924 deri 1972, dhe e shndërroi atë në «Gestapon e Amerikës». Së fundmi, edhe presidenti Barack Obama nuk u përmbajt nga kritikat ndaj tij, por pa e përmendur me emër. Tani mendohet që pavarësisht se kush to t’i fitojë zgjedhjet në SHBA, ditët e Comeyt në FBI janë të numëruara.

Pozita e tanishme e Comeyt llogaritet si pika më e ulët në karrierën e tij. Por, kur ta shohësh më nga afër, siç bën «watson.ch», kjo nuk paraqet ndonjë befasi.

Skena të denja për film

John Ashcroft, ish ministri i drejtësisë në kohën e George W. Bush pas një operacioni po qëndronte në stacion intensiv. Njerëzit e presidentit u përpoqën të përfitonin nga kjo situatë dhe t’i nxirrnin atij duke qëndruar në shtrat një nënshkrim për vazhdimin e programit të kontestuar të NSA-së për përgjime.

Por, plani dështon. Edhe atë në saje të James Comeyt, atëbotë zëvendësministër. Ai në pikë të natës kishte nxituar me veturë me sirena të ndezuara në spital dhe e parandaloi manipulimin e shefit të tij nga njerëzit e presidentit. Ajo që nuk është tematizuar publikisht është fakti që Comey e nënshkroi vetë vazhdimin e programit për përgjime, ndonëse pas ndryshimit të një formaliteti juridik. Ky program vazhdoi deri më 2011 dhe përmasat e tij u zbuluan nga dëshmitë e Edward Snowdenit.

Në fund doli që heroi nuk ishte vërtet hero, por një burokrat, i cili dëshironte të mbronte shpinën e tij; mu ajo që shpërtheu tani në rastin e e-mailave të Clintonit. Comey për një kohë të gjatë ka qenë republikan, por ndërkohë nuk është më anëtar partie; ai ka shërbyer si një balancues i agjendave të të tjerëve. Mu kjo e ka krijuar mitin e tij si i pakorruptueshëm, por që në fakt ka qenë intuita e tij për t’u paraqitur në opinion.

Historia me Clintonët

James Comey i ka pasur Clintonët në shënjestër që në vitet ’90-të. Ai ka qenë shefi i një komisioni të Senatit që e ka hetuar një skandal imobiliesh nga koha e Bill Clintonit si guvernator në Arkansas. Comey nuk kishtë ngritur akuzë, por kishte hartuar një raport plot insinuata, një paralajmërim i trajtimit të aferës së tanishme të e-mailave.

Më 2002 Comey ishte ndeshur përsëri me Clintonët: Ai ishte dashur të hetojë amnestinë e një evazionisti tatimesh nga Clintoni, një rast që FBI-ja e ka nxjerrë nga sirtarët përsëri tani në kulm të fushatës zgjedhore për president.

Kishte pasur zëra që kishin paralajmëruar për të që kur presidenti Obama më 2013 Comeyn e emëroi si drejtor të FBI-së. Mënyra e ushtrimit të autoritetit nga ana e tij kishte qenë shkak i pakënaqësive të shumta. Ai e kishte kundërshtuar një reformë në drejtësi; i kishte sfiduar si Shtëpinë e Bardhë, ashtu edhe lëvizjen Black-Lives-Matter që angazhohet kundër dhunës ndaj zezakëve në Amerikë, duke e zmadhuar rrezikun nga terrori në provincë.

Comey, thotë raporti i gazetës, e ka stërkequr aferën e e-mailave që në korrik, duke ikur nga dhëmbëzorët me formulime dykuptimshe: Nuk është rast për të ngritur akuzë, por njëkohësisht Clinon ka qenë «skajshmërisht mendjelehtë». Kongresit i ka dorëzuar detaje nga afera, të cilat hedhin pyetje të tjera, kurse hetimet e FBI-së ndaj menaxherit të Donald Trumpit për dyshime se ka lidhje me Rusinë i mban të fshehta.

Sjelljen e tij një specialist i FBI-së e sheh si një akt të luftës politike. Sipas tij: «Diknd në një qoshe të errët yjesh të qiellit zgërdhihet J. Edgar Hoover.» ks