Boshllëku i ritualit «ne e duam Amerikën»

Nuk kalon ditë pa u dëgjuar brohoritje të pushtetarëve të Kosovës mbi rëndësinë e miqësisë me Amerikën. Dhe nuk kalon ditë pa skandale të pushtetarëve, të cilat e çmontojnë krejt projektin amerikan për shtetin e Kosovës.

Eliot Engel.



Sërish ka ardhur për vizitë në Kosovë kongresisti amerikan Eliot Engel. Ai është një mbështetës i madh dhe i ngahershëm i betejës së kosovarëve për liri e pavarësi. Edhe kur udhëheqësit kosovarë shkaktojnë ndonjë skandal apo bëjnë ndonjë marrëzi, Engel e paketon kritikën e tij me pambuk, sepse ai, përveç se politikan amerikan, është si të thuash edhe aktivist i çështjes së Kosovës, i lidhur ngushtë me diasporën shqiptare sidomos në New York dhe Washington.

Por, as Engel nuk mund të bëjë mrekulli, fundja është njëri nga 535 kongresistët amerikanë. Apelet, kërkesat, fjalët e buta dhe më pak të buta në adresë të politikanëve të Kosovës nuk kanë ndonjë efekt, sepse po të kishin efekt, atëherë ata, pra politikanët, nuk do ta mbanin vendin peng qe disa vite, pa zhvillim të mirëfilltë ekonomik dhe të izoluar.

Për të fshehur dështimet politikanët e Kosovës zakonisht përdorin vizitat e rëndësishme dhe më pak të rëndësishme të zyrtarëve të huaj, sidomos atyre amerikanë, për të demonstruar një ritual që tashmë nuk po ka më përmbajtje. Është ritual i boshllëkut. Mjafton të lexohen titujt e mediave ditëve të fundit mbi takimet e Engelit me politikanët kosovarë. Njëri politikan tha: «Miqësia me SHBA-në, vlerë e madhe për Kosovën», tjetri shtoi: «Engel, zëri më i fuqishëm për Kosovën në SHBA», një tjetër nënvizoi: «Kosova do t’ju jetë përherë mirënjohëse për kontributin tuaj të pazëvendësueshëm për popullin dhe shtetin e Kosovës».

Këso fjalësh janë të kategorisë humoristike, sepse falënderimi ndaj Amerikës dhe ndaj Bashkimit Europian më së miri do të shprehej duke e bërë Kosovën shtet funksional. Kush i falënderohet pandërprerë që nga viti 1999 miqve ndërkombëtarë, por në të njëjtën kohë grabit vendin aty ku mundet, nuk është kurrfarë miku i Amerikës dhe i Europës, në të vërtetë është armik i tyre dhe dashakeqës i popullit të Kosovës. Si shenjë e respektit që Amerika ka për Kosovën përmendet fakti se në kuadër të programit të Sfidave të Mijëvjeçarit Kosova do të përkrahet me 49 milionë dollarë. Populli i Kosovës është mirënjohës pa fund për këtë ndihmë, por këtu fshihet një e vërtetë e pakëndshme: për shkak të nivelit të lartë të korrupsionit, Kosova merr shumë milionë më pak se ç’ishte planifikuar fillimisht.

Pa Amerikën nuk do të ishte krijuar shteti i Kosovës, së paku jo në këtë formë dhe me këtë territor. Por, as Amerika nuk është e gjithëfuqishme për t’i zgjidhur të gjitha hallet tona, halle këto të shkaktuara nga qeverisja e keqe. Duhet të shikohet se çfarë ka ndodhur vetëm javëve të fundit. Dy vende, Surinami dhe Guineja Bisau, kanë tërhequr njohjen e pavarësisë së Kosovës. Për shkak se lobimi për t’u anëtarësuar në organizata ndërkombëtare ka stagnuar totalisht, Kosova ka tërhequr kandidaturat për anëtarësim në UNESCO dhe në Interpol. Ky hap nga pushtetarët e Kosovës madje është quajtur si gjest dashamirës ndaj Serbisë, sepse kështu Prishtina gjoja i jep shans pajtimit me Beogradin. Këso logjike të mbrapshtë mund të prodhojnë vetëm pushtetarët që nuk kanë haber në drejtimin e punëve të shtetit. Kosova prej kohësh ka rënë në duar të politikanëve të tillë.

Ndërsa Serbia ka intensifikuar fushatën kundër pavarësisë së Kosovës, liderët e Prishtinës nuk i pret gati askush. Takimet në Bruksel kalojnë në atmosferë të akullt, në kontinente të tjera udhëheqësit kosovarë shkojnë vetëm nëse mund të përvidhen disi në ndonjë konferencë, por takime me krerë të shteteve përkatëse nuk arrijnë të realizojnë, sepse së pari nuk gëzojnë kurrfarë autoriteti në arenën ndërkombëtare, së dyti shpesh shtetet e ndryshme mbajnë distancë ndaj krerëve të Kosovës për shkak të listës së gjatë të skandaleve, të cilat i stolisin biografitë e tyre politike. Andaj, përbetimet e ditëve të fundit të politikanëve të Kosovës se «ne e duam Amerikën» dhe organizimi i drekave, darkave e pritjeve për Eliot Engelin shpërfaqin vetëm dështimin në shumë fusha të tjera.

Kur një klasë politike e verbon grykësia, atëherë të mos presë se dikush do të ketë respekt për të. Kur nuk ke autoritet në vendin tënd si mund të presësh respekt e të gëzosh autoritet në kancelaritë e huaja? Do të ishte mirë që në këto gosti e bankete për nder të Eliot Engel politikanët e Kosovës t’i tregonin kongresistit amerikan se si janë pasuruar, si kanë ndërtuar vila, si kanë privatizuar ndërmarrjet shtetërore, si kanë manipuluar tenderë, si kanë blerë mijëra hektarë tokë, si i kanë shndërruar institucionet në fole të nepotizmit dhe paaftësisë, pastaj: çka u bë me premtimin se Brezovica do të bëhet qendër e turizmit dimëror (3000 vende pune, 35 kilometra pista skijimi, 7 skiliftë, 100 milionë euro qarkullim në vit), përse çdo përpjekje për të privatizuar Postën dhe Telekomin e Kosovës po përfundon në një qorrsokak skandalesh? Politikanët e Kosovës do të kishin shumëçka për t’i treguar Eliot Engelit. Me parullën «ne e duam Amerikën» nuk mund të fshihet keqqeverisja dhe krejt fenomenet negative që e shoqërojnë atë.