Borxhet e mia




Do të vdes,
do të vdes i mbytur në borxhe,
s’është asgjë mbytja në lumë a në dhomat e gazit.
I kam borxhe nënës që s’ia ngrita varrin,
i kam borxhe lisit që s’ia hoxha pjergullën,
i kam borxhe dashurisë që ia vodha të dielën,
i kam borxhe krimit që s’i vura emër.
Do të vdes,
do të vdes i mbytur në borxhe.
I kam borxhe fjalës që s’e pashë në ëndërr,
i kam borxhe korbit që s’ia zbardha pendët,
i kam borxhe ardhmërisë që ia lashë tek pragu
terrin e një kohe të largët.
Do të vdes,
do të vdes i mbytur në borxhe.
U kam borxh të gjallëve
u kam borxh të vdekurve;
gurin e varrit e shes
të laj borxhet.

Dhe vë pikën këtu.

Tani mund të flisni
për borxhet që më kini ju.
(1989)