Borxh pa rritje: investimet e dështuara në ekonomi

Gjatë tetë viteve të fundit, Shqipëria ka rritur borxhin publik me mbi 2.7 miliardë euro, ndërkohë që Prodhimi i Brendshëm Bruto është rritur me vetëm 2.5 miliardë euro, ku kulmi u shënua në vitin 2014, një situatë që tregon se sa keq është përdorur paraja e marrë borxh nga qeveritë.

Pamje nga ndërtimi i autostradës Rrëshen-Kalimash: Gjergj Erebara



John Maynard Keynes shkroi tetë dekada më parë se kur qeveria rrit shpenzimet publike, të financuara me borxhe, efekti i këtyre shpenzimeve publike në ekonomi mund të jetë më i madh se sa shuma e parave të hedhura. Me fjalë të thjeshta, nëse qeveria merr një lek borxh dhe e hedh atë në ekonomi në formën e investimit apo të konsumit, qarkullimi i kësaj paraje në ekonomi mund të sjellë vlerë të shtuar më të lartë se sa 1 lekëshi i hedhur fillimisht.

Por ajo që ka ndodhur gjatë dekadës së fundit dhe në veçanti, gjatë viteve të fundit në Shqipëri, është praktikisht e kundërta. Borxhi publik i Shqipërisë është rritur më shpejt se sa është rritur prodhimi i brendshëm bruto. Kur qeveria ka hedhur një lek borxh në ekonomi, prodhimi i shtuar nga ky lek borxh rezulton më pak se një.

Borxhi publik arriti në 1 trilionë e 66 miliardë lekë në fund të vitit 2016, (7.62 miliardë euro). Në krahasim me vitin 2015, borxhi u rrit me rreth 166 milionë euro ndërsa në krahasim me vitin 2013, borxhi është rritur me gati 1.3 miliardë euro. Që nga viti 2007, kur qeveria e atëhershme hyri në borxhe për të ndërtuar një segment autostrade nga Rrësheni për në Kalimash, borxhi publik është rritur me 3.9 miliardë euro. Po përgjatë kësaj periudhe, Prodhimi i Brendshëm Bruto është rritur me 3.7 miliardë euro. Ndonëse diferenca prej 200 milionë eurosh mund të ngjajë relativisht e vogël, në fakt nuk është kështu. Investimet publike të financuara me borxh janë vetëm një pjesë e burimeve të rritjes ekonomike. Konsumi dhe investimet private janë pjesa tjetër. Nëse investimet publike të financuara me borxh janë më të mëdha se sa vlera e shtuar bruto në ekonomi, atëherë këto investime duhet të konsiderohen të këqija, të pavlera, të paleverdisshme.

Para të hedhura kot

Borxhi publik nuk është në vetvete një gjë e keqe. Por mënyra se si investohet ky borxh publik bën diferencën. Nëse qeveria merr një shumë parash borxh për të ndërtuar një rrugë, kjo rrugë teorikisht duhet t’i kursejë ekonomisë naftë e kohë dhe rrjedhimisht, të rrisë shpejtësinë e qarkullimit të mallrave e njerëzve duke e rritur ekonominë. Por nëse vendi nuk ka mallra për të qarkulluar në atë rrugë apo njerëzit nuk kanë para për të udhëtuar në të, atëherë rruga është një investim me humbje. Por më shumë se sa rrugët, në rastin e Shqipërisë, problem më i madh duket se janë investimet e kryera në rrjetin elektroenergjetik të vendit apo investimet në ujësjellësa gropa më e madhe e krijuar me borxhe që nuk kanë sjellë vlerë të shtuar.

Një investigim i mëparshëm i BIRN zbuloi p.sh, se sektori i energjisë elektrike ka marrë përgjatë viteve qindramilionë euro kredi të garantuara nga Ministria e Financave. Leverdishmëria e investimeve të kryera nuk është studiuar në detaje, por të paktën një prej investimeve të mëdha, projekti 100 milionë eurosh për termocentralin e Vlorës, krijoi një aset i cili nuk ka prodhuar deri më sot asnjë kilovat energji.

Kredi me interesa të ulëta por realisht të shtrenjta

Qeveria shqiptare ka aktualisht rreth 3.73 miliardë euro borxh të pashlyer të huaj, nga të cilat, gjysma ose 1.86 miliardë euro janë borxhe me “interesa të buta”. Këto janë kredi të dhëna nga shtete ose organizata shumëkombëshe me interes të ulët, zakonisht 0.75 për qind, si ndihmë për popullin shqiptar. Problemi është se shumë nga këto kredi kanë krijuar asete që dukshëm nuk kanë dhënë kontribut në rritjen ekonomike. Kreditë për sektorin elektroenergjetik janë disa nga këto lloj kredish, me interesa të ulëta dhe me rentabilitet ekonomik negativ. Rreth 334 milionë euro kredi të marra përgjatë viteve për investime në sektorin e ujësjellësave dhe kanalizimeve janë një tregues tjetër. Megjithë investimeve të tilla të konsiderueshme, rezultati në përmirësimin e cilësisë së shërbimit të ujësjellësave apo në krijimin e kompanive publike të shëndetshme financiarisht ka qenë i dobët.

(https://www.reporter.al/borxh-pa-rritje-investimet-e-deshtuara-ne-ekonomi/)