Boris Buden: «Socialdemokracia tradicionale është në krizë globale»

Filozofi i famshëm kroat Boris Buden, i cili ligjëron në Gjermani, flet mbi neoliberalizmin që ka shkatërruar Kroacinë, mbi krizën e thellë të konceptit të demokracisë parlamentare dhe krizën që po përjeton socialdemokracia tradicionale, e cila, sipas tij, nuk arriti t’i mbijetojë globalizimit të kapitalizmit.

Boris Buden, filozof kroat, profesor në Gjermani.

Pas largimit nga Kroacia, teoriku i kulturës, filozofi, shkrimtari dhe përkthyesi Boris Buden doktoroi në Universitetin Humboldt në Berlin. Ish-redaktori i dikurshëm në «Arkzin», tani është një ligjërues i ftuar në Universitetin Weimar Bauhaus. Për opinionin e këtushëm ai është i njohur me përmbledhjen e eseve «Barrikadat», «Stacioni i trenit në Kaptol», «Shpella e Babilonisë» dhe «Zona e transicionit: për fundin e post-komunizmit».

Çfarë na tregojnë rezultatet e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare? A e kanë treguar gjithë dobësinë dhe mjerimin e socialdemokracisë, e cila nuk arriti ta artikulojë traditën e majtë dhe antifashiste, por përsëri iu lajkatua trupit të djathtë elektoral?

Nuk e di që socialdemokracia te ne ka traditë antifashiste. Kjo është tradita e lëvizjes komuniste të Jugosllavisë, e ajo e ka një histori shumë të gjatë dhe të komplikuar në të cilën ajo që tani quhet demokraci sociale e legjitimon hapur distancimin nga kjo histori. Nuk mund, të paktën në këtë hapësirë, ta trashëgosh antifashizmin nëse ke hequr dorë nga e kaluara komuniste. E pikërisht këtë e bën socialdemokracia kroate. Ajo pra nuk ka kurrfarë tradite antifashiste, prandaj nuk mund as të dështojë, as të riartikulojë politikisht. Përkundrazi, ajo është besnike në traditën e saj autentike oportuniste dhe vazhdimisht riartikulohet. Dhe kështu e aktron HDZ-në. Por, Zoran Milanoviq nuk është kurrfarë shoveni kroat, ai vetëm mendon se politika nuk mund të bëhet me asgjë tjetër, përveç se me nacionalizëm dhe me shovinizëm. Jo, për shembull, në çështjet sociale. Dhe, atëherë ajo quhet socialdemokraci. Në anën tjetër, socialdemokracia tradicionale është në krizë globale, sikur edhe e gjithë e majta e vjetër nga periudha e industrisë moderne dhe shtetit të mirëqenies. Ajo është duke vdekur para syve tanë dhe nuk ka shpresë se do të shërohet më kurrë. Nuk arriti t’i mbijetojë globalizimit të kapitalizmit dhe shkatërrimit neoliberal të shoqërisë. Prandaj, është e vështirë në këtë kuptim të flitet për socialdemokracinë tonë si një e majtë. Mu për shkakun se nuk ishte në gjendje të artikulojë kurrfarë politike të majtë, alternativë të majtë për këtë nacionalizëm dekadent kroat, u detyrua ta aktrojë këtë lloj nacionalizmi. Përfundimisht, kemi përfituar socialdemokratë që aktrojnë se janë nacionalistë kroatë dhe HDZ-istë që aktrojnë se nuk janë të tillë. E publikut, është e qartë, i pëlqen më shumë kjo shfaqja e dytë.

A mund të pritet që zgjedhjet të ndryshojnë diçka? A flet pjesëmarrja e ulët në favor të interpretimit që njerëzit e kanë kuptuar më në fund se asgjë nuk do të ndryshojë në qoftë se do të votohet për njërën nga dy partitë më të mëdha dhe për satelitët e tyre?

Këto dy parti janë dy elita klienteliste që e kryejnë të njëjtin funksion, përfundimin e procesit të integrimit të ish-Jugosllavisë në kapitalizmin global, e që nënkupton heqje dorë nga çdo ide, përkatësisht nga praktika e sovranitetit. Jo vetëm në kuptimin ekonomik, por edhe atë politik. Ato tani janë shndërruar tërësisht në një elitë blerëse, e cila, si në epokën e kolonializmit, u shërben interesave imperialiste, që sot është artikuluar dhe përqendrohet në nivele ndërkombëtare, qoftë fjala për BE-në apo institucionet globale të kapitalit financiar. Qeveria kroate, pavarësisht nëse është HDZ-iste ose SDP-iste, është e djathtë apo e majtë, e luan rolin e një lloj kujdestari shtëpiak të ndërtesës së quajtur Kroaci. Por, ata nuk janë pronarët e saj, ata nuk e qeverisin as qytetin dhe infrastrukturën e tij. Në këtë kuptim, duhet të flitet hapur për krizën e thellë të të gjithë konceptit të demokracisë parlamentare. Ai koncept mund të luajë ende rol në vendet më të fuqishme perëndimore kapitaliste, si Britania e Madhe apo Gjermania, por në vendet, si ky yni, në të cilat hapësira për vendime sovrane politike është eliminuar krejtësisht, kjo duket e pakuptimtë. Në muajt e fundit të kësaj qeverie të vjetër njerëzit pothuajse e kanë kuptuar se ajo edhe nuk u duhet. Nuk ka ndodhur kurrfarë katastrofe, madje ekonomia ka filluar të rritet. A na duhen ata, vërtet? Pse ai cirk në të cilin ata bëhen sikur menaxhojnë diçka, e ne bëhemi sikur e kemi lirinë e zgjedhjes? Në këtë kontekst, kuptimi i ardhjes në pushtet e shtron vetëm pyetjen se kush, apo se cili grup do ta shfrytëzojë shtetin si monopol në marrëdhëniet shoqërore, të cilat do t’i sigurojnë privilegje.

Pra, shteti mund të funksionojë edhe me «autopilot»?

Duke iu falënderuar Tomislav Karamarkos dhe Qeverisë së paaftë të tij u tregua se mund të jetohet me autopilot dhe se është pothuajse e njëjtë se kush është në kabinë, që do të thotë se mekanizmat e udhëheqjes dhe të drejtimit janë diku tjetër. E sa i përket vetëshkatërrimit nacional, kjo është ajo që unë e quaj ustashizëm. Ustashizmi sot nuk shterohet vetëm me nostalgjinë për ditët e turpit të madh kroat, as në revizionizmin historik, domethënë me dëshirën që lufta e humbur në vitin 1945 të fitohet sot. Ustashizmi nuk është vetëm marrëdhënia me të kaluarën ustashe, përkatësisht për të ashtuquajturin ustashizëm historik. Përkundrazi, ustashizmi është shprehje e paaftësisë së nacionalizmit kroat, paaftësisë së tij historike që popullit kroat, të cilin e do aq pafundësisht, t’ia sigurojë një mirëqenie konkrete sociale, politike dhe ekonomike. Ustashizmi është thjesht momenti në të cilin nacionalizmi qytetar, përkatësisht ai mikroborgjez kalon në fazën e vetëshkatërrimit nacional, në të cilën e ashtuquajtura atdhedashuri e shkatërron objektin real të dashurisë së vet. Në këtë kuptim, mund të themi se ustashët, të mposhtur në vitin 1945, u kthyen që në vitin 1991 ta përfundojnë punën e tyre, gjë që më në fund e arritën. Ashtu siç NDH-ja (Shteti i Pavarur Kroat, vasal i Musolinit dhe Hitlerit, v.j.) ishte resurs i zhveshur gjerman, një burim që është në ekspansionin luftarak e pa shansin e vetëm për të mbijetuar, ashtu sot shteti kroat me popullin e vet, përkatësisht me të gjitha potencialet e veta natyrore, materiale dhe njerëzore, është burim i kapitalizmit global, e roli i elitës nacionale është që të lejojë nxjerrjen e qetë të këtij burimi. Kjo hedh një dritë krejtësisht të re në periudhën e të ashtuquajturit komunizëm nga viti 1945 deri në vitin 1990. Është fjala për një periudhë relativisht të shkurtër rreth 50-vjeçare të kombit kroat, në të cilën komunistët, të cilët nuk ishin kurrfarë elementi anacional, u përpoqën t’i japin këtij kombi njëfarë përmbajtje, sociale, ekonomike, përkatësisht njëfarë kuptimi politik, dhe t’ia sigurojnë sovranitetin në terma realë. Komunizmi historik te ne nuk ishte kurrfarë utopizmi. Përkundrazi, komunistët ishin realistë autentikë politikë, kishin ndjenjë të përsosur për realen, përkatësisht për të mundshmen historike. Ishin realistë historikë, materialistë autentikë historikë. Dhe, në këtë kuptim, arritja e tyre, kur është fjala për politikën e sovranitetit nacional, ishte e patejkalueshme. Le të shkojë sot Andrej Plenkoviq në Bruksel me kërkesën «një komb, një votë», dhe do ta shohim sesi do të kalojë.

Kjo do të thotë se vetëshkatërrimi po ndodh për vite me radhë?

Për këtë duhet të flasim hapur. Pas 25 vjetëve të pavarësisë së saj, Kroacia është shkatërruar. Ideja sesi nesër me këta apo ata politikanë në një proces që ka zgjatur për një çerek shekulli do të ndryshojë diçka rrënjësisht, sesi jo vetëm që do të kthehen të gjitha kreditë, por do të vijë deri te një prosperitet i përgjithshëm i kombit, social, ekonomik, demografik, nuk është reale. As në kuptimin kulturor. E marrim gjuhën kroate. Pikërisht në kuptimin e tezave rreth ustashizmit si vetëshkatërrim, dëshmoj se politika oficiele gjuhësore kroate është ustashe. Jo për shkak se rikthen ndonjë gjuhë ustashe nga e kaluara, por për shkak se me idenë vet për pastërtinë e gjuhës kroate dhe diferencimin e saj radikal në zonën heterolinguale të hapësirës së sllavëve të Jugut, e shkatërron gjuhën e vet, e përmbyt, i shkatërron parakushtet e vërteta e mbijetesës së saj. Është fjala për transformimet globale sociolinguistike për të cilat askush nuk flet seriozisht. Në Gjermani, momentalisht vazhdon debati në lidhje me rivernakularizimin e gjuhës gjermane. Në sistemin botëror të përkthimit, prej të gjitha librave që përkthehen, 60 për qind përkthehen nga gjuha angleze, e cila në këtë kuptim merr pozicionin hiperqendror të përkthimit global. Pozicion qendror kanë gjermanishtja dhe frëngjishtja, nga të cilat në nivel botëror për çdo vit përkthehen nga dhjetë për qind e librave. Pastaj vijnë gjuhët periferike, nga të cilat përkthehen nga më pak se tre për qind e librave, e në të cilat përfshihen rusishtja, apo të themi spanjishtja, të cilat i flet pothuajse një kontinenti i tërë. Pas kësaj vijnë gjuhët margjinale, në të cilat përfshihet gjuha kineze, e cila flitet nga një miliard njerëz, por nga ajo përkthehet më pak se një për qind e librave në vit. Në këtë kontekst, elita kulturore gjermane përballet hapur me mundësinë e rënies së gjuhës gjermane, me faktin se ajo sot kthehet në një gjuhë të folur mesjetare, kur të gjitha diskurset e rëndësishme ishin në latinisht, ndërsa komunikimi i përditshëm ishte në gjuhën gjermane. Sot në Gjermani, gjuha angleze e ka marrë rolin e gjuhës kryesore, derisa gjermanishtja është shtyrë në margjina, në praktikën e komunikimit të përditshëm intelektual, kulturor, politik dhe ekonomik. Çfarë është, në këtë kontekst, fati i gjuhës kroate? Është e qartë se ajo qysh sot është bërë gjuhë e folur lokale, e cila më nuk ka forcë për ta kapur hapin me dinamikën globale gjuhësore. Flasim në një gjuhë që po vdes, e cila zhdukjen e saj të shpejtë do të mund ta ngadalësonte vetëm me integrimin radikal në zonën e gjerë të gjuhëve sllave të Jugut. Por, kjo politikisht pengohet. Prandaj, argumentoj se kjo politikë gjuhësore është ustashe, sepse në logjikën e vet e shkatërron supozimin e riprodhimit të gjuhës. Është krejtësisht e verbër nga humnera në të cilën po bie dhe kthehet në një mekanizëm të vetëshkatërrimit.

Në fillim të verës, në një bisedë gazetareske, keni thënë se çdo projekt i shtetit kroat do të përfundojë në momentin kur të integrohet në kapitalizmin global. Çfarë do të thotë kjo, duke pasur parasysh kushtet e qendrës evropiane dhe të periferisë?

Në një botë multipolare, konceptet e tilla si qendër dhe periferi më nuk funksionojnë. Është fjala që, për shembull, sot i ashtuquajturi Perëndim më nuk funksionon si qendër e botës, qoftë në kuptimin kulturor, ekonomik apo politik. Në këtë është edhe elementi shtesë i tragjedisë së nacionalizmit kroat, përkatësisht në tregimin e plotë që i përket të ashtuquajturit rreth kulturor perëndimor. Kështu, Franjo Tugjman, si disident komunist i të tetëdhjetave të shekullit të kaluar, ua shpjegoi gazetarëve perëndimorë se Jugosllavia duhet domosdoshmërisht të zhbëhet, sepse nëpërmjet saj kalon kufiri ndërmjet Lindjes dhe Perëndimit, ndërmjet krishterimit lindor dhe perëndimor, që përfaqëson një dallim të pakapërcyeshëm. Në këtë kuptim, mund të thuhet se motivimi bazë ideologjik për krijimin e shtetit kroat në thelb është racist. E gjithë kjo histori në lidhje me kroatët, të cilët mijëra vjet gjakojnë për pavarësinë e tyre është e bazuar në mënyrë eksplicite në ideologjinë e racizmit kulturor. Që nuk do të thotë se kjo teori nuk ka të ardhme. Kjo është e ardhmja e Orbanit, Kaçinskit, Putinit, Erdoganit, Trumpit dhe ngjashëm. Në fund të fundit, nuk do të ishte hera e parë që Europa të zgjohet e bashkuar nën fashistët.

Jemi dëshmitarë të përdorimit të sintagmës për bashkimin kroat, për tejkalimin e ndarjeve ideologjike, për përgjegjësi të përbashkët dhe kthimin kah e ardhmja. Në qoftë se flasim për bashkëjetesën mbinacionale, a nuk është fjala për një pozicion të qartë ideologjik?

Ideologjia kalon në vepër në momentin kur bindemi se realitetin e shohim pikërisht ashtu siç është, pa shtrembërime ideologjike. Konkretisht, ideologjia te ne kalon në vepër atëherë kur kërkohet t’u kthehemi reformave dhe të harrojmë për ideologji, për ndarje ndërmjet partizanëve dhe ustashëve. Çfarë reformash? Reformat në favor të kujt? Në favor të eksportuesve apo importuesve, në favor të monopolit apo të biznesit të vogël, në favor të të varfërve apo të të pasurve? Nuk ka përgjigje. Pikërisht konsensusi që nuk kërkon përgjigje në këtë pyetje është ideologjia në vepër. Ajo është në vepër, kur, për shembull, sikur Most, e qajmë fatin e trishtuar të atyre që e lënë atdheun në kërkim të bukës. Migrimi i fuqisë punëtore është njëra nga levat kryesore të riprodhimit të kapitalizmit neoliberal dhe njëra nga format themelore të shfrytëzimit kapitalist. A do ta artikulojë partia Most këtë problem në kërkesat e veta për reforma? A do ta ngrejë çështjen e monopolit kroat të Kishës Katolike në tregun kognitiv dhe emocional të punës? Pse priftërinjtë, kur është fjala për punë emocionale, janë të privilegjuar në krahasim me artistët? Kjo çështje do të mbahet sekret, dhe është pikërisht kjo ideologjia, e jo njëfarë lloji i ustashëve dhe partizanëve.

(Intervista u botua nga portalnovosti.com, Zagreb)