Bora që sjell ngrohtësi



Gostia e madhe ka filluar. Qielli i nis tokës sonë pajën e saj të bardhë, duke i dhënë çdo fjolle, çdo kristali, arkitekturën e saj unike. Si ato urimet më të bukura për vitin e ri, që shkruhen me dorë. Por, edhe mprehtësinë e saj. Nganjëherë fjollat e borës duken si letrat e grisura të fatit të ndonjërit nga ne. Reshjet e mëdha të borës tanimë i kanë zënë pritë ndonjërit; në një udhëtim të gjatë, në trafik, në një shtëpi të vetmuar, në një strehë të këputur… Ato tanimë kanë dhënë edhe viktimat e para.

Shkaku i këtyre rasteve, mjerisht të shpeshta në viset ku jetojnë shqiptarët, bora po perceptohet si një fatkeqësi natyrore. Pothuajse njëlloj sikur tërmetet, a përmbytjet. Realisht, fatkeqësi është dështimi i një shoqërie për t’u organizuar në stinë të ndryshme. Për ta mobilizuar makinerinë e pastrimit të rrugëve, siguruar kripën për shkrirjen e borës në trafik, kontrolluar rregullsinë e pajisjeve të automjeteve në qarkullim, garantuar funksionimin e ngrohjes qendrore… Këto nuk janë kot, janë gjëra që e bëjnë diferencën.

Lajmërimi i borës, aq më tepër që viteve të fundit ka filluar të na vonohet, është një ogur i mbarë. Ajo është shumë më tepër se sharmi i kohës. Vetëm me shtresën e parë të borës vlerat e pastërtisë së ajrit, sidomos në vendet e shqiptarëve, janë përmirësuar në mënyrë të jashtëzakonshme. Bora është aleati më i madh i qytetarëve që kanë ngelur në mëshirën e oxhaqeve të industrisë e të makinave që ua nxin jetën. Sado identifikim i të ftohtit, bora sjell ngrohtësi në acar! Me shtrimin e saj pastrohet ajri, por zbuten edhe temperaturat.

Bora është një përvojë e veçantë artistike; ajo nuk është një vjershë që lexohet, por një poezi që përjetohet. Si imazh në sy, si fjollë në qerpik, si mbresë në zemër, si dordolec në oborr, apo edhe si acar në kockë. Për më tepër, me bardhësinë e saj ajo i fshin shëmtitë e dorës së zezë të zullumqarëve të ndryshëm, privatë apo publikë, të cilët e kanë nxirë imazhin e ambientit tonë jetësor. Ajo për një kohë na i mbyll humnerat në rrugë, na i mbulon plehrat në qoshet e saj…

Bora është egalitare si asnjë regjim tjetër. Bardhësia e saj e uniformon shoqërinë në mënyrë joselektive. Ajo pllakos kasolle dhe kulla. Nën jorganin e saj shkrihen kufijtë që ndajnë tokat. Oborret, sikur edhe rrugët, duken njëlloj. Në rrugë nuk i dallon më veturat e të kamurve nga ato të joprivilegjuarve. Fshihen detajet që i spikatin dallimet. Për aq kohë sa sundon ajo, të krijon iluzionin e një shoqërie të barabartë. Kapitalizëm dhe socializëm bashkë në disa javë, a muaj. Aristokratë e punëtorë nën të njëjtën uniformë.

Si asnjë mortajë, bora i lidh njerëzit për shtëpitë e tyre. Si asnjëherë tjetër gjatë vitit, njerëzit kanë kohë për njëri-tjetrin. Ata e kanë shansin t’i dedikohen më shumë gruas apo burrit. Njëri-tjetrit, e sidomos fëmijëve. Një bukë nga duart e gruas, një përqafim mëngjesor i fëmijës, një emision i shikuar së bashku, një bisedë e përbashkët, janë një vlerë e shtuar në jetën familjare. Si asnjëherë tjetër në këtë stinë, fisin dhe miqtë i gjen nëpër shtëpitë e tyre, për një vizitë; për një dert, për një kënaqësi. Një virtyt i harruar.

Dimri dhe bora nuk i kursen njerëzit vetëm nga shëndeti, nuk i pasuron ata vetëm nga shoqëria. Dimri është pranverë për arkat e familjeve, ato përfitojnë prej abstenimit nga pazaret. Bora është një bekim për burrat, sidomos për fëmijët, por edhe për gratë. Jo vetëm për individin dhe shoqëritë e organizuara mirë. Bora është më shumë një fat. Mjerisht, sikur të gjitha gjërat e mira, nuk është e garantuar për gjithmonë. Si një lozonjare, ajo nuk duket në kohë në takim. Frika nuk është se mos po bie borë, por se mos ajo po na braktis fare.