Bohemia shtrihet buzë detit

Ingeborg Bachmann.

Në qofshin këtu shtëpi të blerta, kam me ba gajret e me hy në një shtëpi.
Në qofshin këtu ura të forta, kam me ecë mbi troll të fortë.
Në shkoftë dam mundi i dashunisë në çdo moshë, me kënaqësi kisha m’e humbë këtu.
Në mos qofsha unë, asht një po aq i mirë sa unë.
Në m’u afroftë një fjalë, kam m’e lanë me m’u afru.
Në qoftë Bohemia ende buzë detit, kam me besu në det përsëri.
Dhe tue besu në det, pra, muj me shpresu në terë.
Në qofsha unë, atëherë asht gjithsecili, sepse aj asht po aq i denjë sa unë.
Nuk du asgja ma shumë për mue. Du me shku përfund.
Përfund – domethanë deti, atje kam m’e gjetë Boheminë përsëri.
Nga vorri jem zgjohem në paqe.
Nga zemra e thellësisë tash e dij dhe nuk jam i humbun.
Ejani këtu, të gjithë ju bohemianë, detarë, lavire portesh dhe anije të paankorueme. A nuk doni me qenë bohemianë, të gjithë ju ilirianë, veronezë dhe venedikas. Luje komedinë që na ban me qeshë

deri sa të shkrehemi në vaj. Dhe ban gafe njëqind herë, ashtu qysh gabova unë e kurrë s’u bana ballë sprovave, sadoqë u bana ballë herë pas here.

Ashtu qysh Bohemia u bani ballë dhe një ditë të bukur u shkreh në det dhe tash asht buzë ujit.

Ende i afrohem një fjale dhe një tjetër dheu,
i afrohem, si gati kurrnjësend, çdo gjasendi, gjithnjë e ma shumë, një bohemian, lahutar endacak, i cili nuk ka asgja, që mbahet prej kurrgjasë, vetëm me dhuntinë me e pa, nga një det dyshimtar, tokën zgjedhë prej meje.

Përkthye nga Agim MORINA