Bodiguardet

«Bodiguardi» është njëri ndër klasikët e kinematografisë amerikane. Një film i vitit 1992 me yjet e Hollywoodit, indiferentin mediatik Kevin Costner dhe këngëtaren e ndjerë, Whitney Houston. Ndonëse më së shumti është amshuar me muzikën e tij, zor se ka një njeri të informuar në botë që nuk e njeh atë film. Për muzikën, emocionin, tensionin që krijon, syzheun… Thelbi i tij është përkushtimi i një bodiguardi, dhe sakrifica e tij, për një këngëtare që jeton në ankth nga kërcënimet dhe rreziqet për jetën. Shkurt, filmi e lartëson vetëmohimin e një burri për qenien e një gruaje.

Nga kjo perspektivë, e kundërta e kësaj, në mos e shëmtuar, me dashamirësi mund të quhej e trashë. Pavarësiht se filmi që përmendëm është shumë i njohur, fjala «bodiguard» një shqiptari më parë mund t’i sjellë në mendje qeros me syza të errëta, mjekër latine, koreografi rutinore, kufje…, çfarë duken me shumicë në shoqëri të politikanëve shqiptarë. Por, kohëve të fundit, në orbitën e njerëzve rreth elitave politike në Shqipëri, herë-herë, në këtë rol duket edhe gruaja. Është pothuajse e papërcaktueshme nëse shfaqja e saj e nganjëhershme është një reklamë për të, apo ka të bëjë me faktin që këtë zanat e dominojnë akoma më shumë burrat. (Shumë e ekspozuar mediatikisht ka qenë një grua fort e dedikuar, që me sa dukej e kishte një status të privilegjuar në rrethin e gjerë të sigurimit të presidentit të ndjerë të Kosovës, Ibrahim Rugova.)

Angazhimi i një gruaje në vijën e parë të rrezikut nuk rrëfen vetëm për rëndësinë e saj; kjo i dhuron një peshë më të madhe protagonistit, ajo e bën atë të veçantë nga të tjerët në botë. Ky personalitet duhet të jetë një qenie për të cilën ia vlen të sakrifikohet edhe gjinia më fragjile. Një politikan të cilin e gjithë bota e tregonin me gisht për këtë fiksim të sëmurë ishte sundimtari i Libisë, Gadafi. Grupin e sigurisë së tij e përbënin 30 deri 40 virgjëresha të stërvitura, që njiheshin si «Garda Amazone». Ajo e shoqëronte atë edhe në botë, ku ka lënë nam, duke insistuar të futej e armatosur në forume ndërkombëtare. Ky përcaktim u lidhka me faktin që në shoqërinë libiane lojaliteti i fisit ndaj grave që i bashkëngjiten një formacioni të këtillë nuk ekziston, e kjo e ulka rrezikun e puçit. Sipas propagandës, më 1988, në Libi paskësh ndodhur mrekullia: Një gardiste ia paska shpëtuar jetën liderit suprem në rastin e një sulmi, duke u hedhur me trup mbi të. Pas rrëzimit të sundimit të tij, virgjëreshat kanë rrëfyer, ndër të tjera, për sulme seksuale mbi to. Më pas ato u bënë objekt i dhunës, ku opozitarët kanë shkarkuar mërinë ndaj regjimit të Gadafit.

Klasën politike aktuale në Shqipëri e karakterizon një kujdes i veçantë për pozitën e gruas. Atë e gjen si kurrë ndonjëherë më parë të reprezentuar në jetën publike të shoqërisë. Për më tepër, si duket, jo vetëm në numër, por edhe në cilësi. Ajo mban pozita që nuk i ka njohur në qeveritë e kaluara, aq sa ka shkaktuar debate publike, në të cilat nuk e dallon gjithmonë kur është fjala për kandidatura joresponsive, e kur për një reaksion të mentaliteti tradicional. Një gruaje i është besuar madje Ministria e Mbrojtjes!, që sikur t’ia parathoshin Memet Pashë Tetovës, ministrit të parë shqiptar të Mbrojtjes me mustaqet vesh më vesh, kush e di se ku do ta kishte degdisur të parin e atij që e ka marrë këtë vendim.

Kjo politikë kuadrore i shkon vokacionit të kryeministrit shqiptar si feminist, një identifikim që i referohet ish-kryeministrit socialist spanjoll, Felipe González: Jam feminist, sepse jam socialist. Gratë paraqesin një vlerë të shtuar, sidomos në skenën politike shqiptare, që përshkohet nga sherre të pafundta në gjithë periudhën e tranzicionit, në të cilën po vazhdon të dergjet Shqipëria. Sipas feministëve, gruaja me natyrën e saj empatike i kontribuon relaksimit të politikës. Sipas kësaj formule, politikës shqiptare i nevojiten akoma më shumë gra. Ndërkohë, si kurrë më parë, në radhët e policisë shqiptare sheh po aq gra, sa edhe burra. Kjo politikë kuadrore i sfidon të gjithë stereotipat e përhapur për gratë, duke i afirmuar ato si të zonja, besnike, të forta…

Po, a struket në këtë organizim ndonjë kundërthënie, a teprim? Njëmendësinë feministe të kryeministrit e përgënjeshtrojnë keq sulmet e tij të rënda verbale, sidomos ndaj deputeteve të opozitës. Në anën tjetër, feminizmi i tij nganjëherë merr trajtat e egalitarizmit të kohës së socializmit, kur gruaja angazhohej njëlloj në ndërtim, ushtri etj. Një konvencion fisnik sugjeron që në rast rreziku të parët largohen fëmijët, gratë dhe pleqtë; këto kategori në shoqëritë e iluminuara kursehen, qoftë edhe në mënyrë simbolike. Ndërsa gjatë demonstratave të opozitës, duke përfshirë edhe atë të fundit të shoqërisë civile kundër mbetjeve, kryeministria ruhet kryekëput nga gratë police. Njëherë ishin vetëm gra, kurse herët tjera dukej se çdo e dyta ishte grua.

Nga kryeministri shqiptar mund të priten edhe mënyra kreative të politikëbërjes. Ai ndoshta supozon se ekspozimi i gjinisë fragjile i detyron protestuesit të përmbahen nga dhuna. Ndoshta i provokon ata, duke i konsideruar të denjë të maten vetëm me gratë. Por, a është i gatshëm ai ta mbajë përgjegjësinë për situatat përmbytëse sikurse dinë të degjenerojnë protestat jo vetëm në Shqipëri, e që madje konsiderohen paqësore? A e ka parasysh se çfarë tabloje do t’i përcillnin botës ato?