Blogerja kroate jeton Ëndrrën Amerikane falë YouTube

Mamaja e tre fëmijëve, Kristina Kuzmiq nga Kroacia po jeton Ëndrrën Amerikane si një nënë e njohur globalisht, falë këshillave të rritjes së fëmijëve të cilat ajo i ndan në video blogun e saj.

Kristina Kuzmiq



«Kam kaluar shumë gjëra gjatë jetesës në SHBA, por jam tashmë në atë pikë ku mund të them me pastërti se kam krijuar një jetë të mrekullueshme për veten. Nëse të jetosh Ëndrrën Amerikane do të thotë të kthesh pasionin në një karrierë, patjetër që po e jetoj Ëndrrën Amerikane», tha për BIRN 38-vjeçarja Kristina Kuzmiq duke folur për suksesin e saj si video blogere në Shtetet e Bashkuara.

Kuzmiq, e cila lindi në qytetin kroat Osijek, shkoi në SHBA me familjen e saj në moshën 14-vjeçare, gjatë luftës së viteve 1990. Megjithëse familja e saj u kthye në Kroaci, ajo qëndroi pas dhe luftoi për t’u bërë një sensacion në YouTube.

Nëna e tre fëmijëve, Lukës 14-vjeçar, Mateas 12-vjeçar dhe Arit 3 vjeç – kaloi në një periudhë të vështirë të jetës pas divorcit, duke u bërë një nënë beqare me pagë të ulët kamariereje.

Fati i saj ndryshoi kur ajo hyri në një konkursi në Spektakli IM në 2011 – një program ku kandidatët konkurronin për një spektakël të tyre, mbështetur nga legjenda e televizionit në SHBA Oprah Winfrey.

Kuzmiq mundi 20,000 kundërshtarë për të fituar – dhe mori spektaklin e saj “Ambush Cook”, i cili u shfaq në një program të Oprah Winfrey.

«Kam qenë prind prej 14 vitesh dhe gjatë ulje-ngritjeve të mia, u rrita më shumë dhe u bëra më e pasionuar duke inkurajuar prindërit dhe duke ndarë këshilla me ta që më kanë ndihmuar», shpjegoi ajo.

Videot e saj në YouTube e bënë një yll. Tani ajo ka mbi gjysmë milioni ndjekës në Facebook. Në 2016 ajo bashkëpunoi me LittleThings.com, sajtin më të madh të stilit të jetesës për gratë dhe videot e saj u panë më shumë se 100 milionë herë.

«Fillova të bëj video prindërimi, pa pritur që do të bëhej një karrierë, por u bë. Nuk mund ta them me fjalë se sa mirënjohëse jam që mundem të nxjerr jetesën duke bërë diçka të cilën e kam pasion», thotë Kuzmiq, duke pranuar se shkalla e suksesit të saj e ka befasuar.

Ajo pranon se filloi e gjitha si një «hobi për qejf» dhe shpejt u kthye në diçka shumë më të madhe nga sa priste.

Me një perspektivë të së vërtetës, videot e saj mbi prindërimin shihen si motivuese, gazmore dhe argëtuese, ndërsa prekin zemrat e njerëzve në mënyrë të papritur.

Videot e përqendruara te të qenët mama japin të dhëna dhe këshilla mbi mënyrën se si të përballohen rutinat e përditshme dhe problemet me fëmijët dhe çdo gjë tjetër e lidhur me ta.

Në përpjekjen e saj, ajo ka shijuar mbështetjene  plotë të familjes. Nëna e saj në Kroaci është «vërtet krenare dhe entuziaste», ndërsa bashkëshorti i saj aktual është shumë mbështetës për punën e saj, thotë ajo.

Fëmijët e saj janë disi të ndarë – duke u ndjerë krenar dhe të çuditur nga nëna e tyre.

«Fëmijët e mi ndonjëherë mendojnë se është bukur që shumë njerëz i shohin videot e nënës së tyre, por ndonjëherë mendojnë se është e çuditshme që miqtë e tyre duan të shohin videot e mia dhe të ndjekin një «të moshuar» si unë. Do të ishte po aq e çuditshme për mua nëse nëna ime do të ishte në syrin publik kur isha fëmijë», thotë Kuzmiq.

Megjithëse ajo ka jetuar në SHBA për shumicën e jetës, duke krijuar një karrierë dhe duke rritur fëmijët në shtetin e Kalifornisë, Kuzmiq ende ka një pikë të dobët për vendin e saj.

«E dashuroj Kroacinë! Isha atje në verë dhe sa herë që e vizitoj më duket si shtëpi. Idealisht do të doja të kthehesha atje çdo vit, më mungojnë shumë gjëra», përfundoi ajo.