Bllokimi i patentave, shqiptarët e Kosovës ankohen për «standarde të dyfishta»

Një organizatë për të drejtat e njeriut në Prishtinë ankohet se policia shqiptare i persekuton drejtuesit e makinave nga Kosova, por policia e Kukësit mohon të ketë selektivitet dhe thotë se problemet janë të Kodit Rrugor dhe të rrugës - shpejtësia në të cilën është reduktuar nga Ministria e Transporteve.

Vendi në afersi të Kukësit, ku policia vendos më së shumti gjoba për tejkalim shpejtësie dhe tabela në autostradë me kufizim shpejtësie të menjëhershme nga 100 kmh në 60 kmh. | Foto : Bashkim Shala



Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut në Kosovë denoncoi pak kohë më parë «standarde të dyfishta» me të cilat sipas KMDLNJ-së policia rrugore e Shqipërisë i trajton shoferët nga Kosova. KMDLNJ bëri një deklaratë ku thotë se policia shqiptare ‘i gjobiste dhe u bllokonte dokumentet qytetarëve nga Kosova në mënyrë selektive’.

Drejtuesit e Policisë së Kukësit, e cila akuzohej në këtë deklaratë, mohojnë selektivitetin, por pranojnë se 60 për qind e personave të cilëve u është mbajtur patenta nga policia në këtë qark gjatë vitit që shkoi janë nga Kosova, pasi siç i tha BIRN Drejtori i Policisë së Kukësit Perlat Vatoci, shtetasit e Kosovës janë edhe përdoruesit kryesorë të rrugës.

Është rruga, e pagëzuar si «Rruga e Kombit», që sipas drejtuesve të policisë rrugore lokale dhe ekspertëve të sigurisë është kthyer në problematike, pas një vendimi të Ministrisë së Transporteve që redukton ndjeshëm shpejtësinë e qarkullimit në të, duke e kthyer nga autostradë në rrugë normale.

«Në vitin 2016 janë bllokuar rreth 800 leje drejtimi ku 60% e tyre kanë qenë të shtetasve nga Kosova. Lejet e drejtimit bllokohen kryesisht për shpejtësi tej normave të lejuara. Shtetasit e Kosovës kanë automjete të reja dhe me shpejtësi të madhe, ndërkohë që rruga ku ato qarkullojnë është e kufizuar», i tha BIRN-it Vatoci.

Por ashtu siç pranojnë edhe drejtues të policisë së Kukësit me bllokimin e patentës për ata që nuk janë shtetas të Shqipërisë fillon një kalvar administrativ që zgjat nga pesë në të paktën 14 ditë.

Ky kalvar solli edhe reagimin e Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut në Kosovë sipas të cilit bllokimi i dokumenteve përdorej si shantazh për ryshfet. «Autoritetet e trafikut rrugor të Shqipërisë ndaj qytetarëve të Kosovës”, sipas KMDLNj-së në Prishtinë, «i zbatojnë standardet e dyfishta, nëse kanë mundësi në vend të fletë-gjobave  u marrin para si ryshfet  dhe në rast se nuk marrin, atëherë u vendosin  gjobat  e larta dhe i konfiskojnë dokumentet».

KMDLNJ ankohej se marrja e dokumenteve bëhej pa asnjë bazë. «…për kundërvajtjet në trafik, pa asnjë bazë ligjore, ua konfiskojnë dokumentet duke i detyruar ata që t’i drejtohen në gjykatën përkatëse, ta paguajnë gjobën e shqiptuar dhe vetëm atëherë t’i marrin dokumentet e konfiskuara», thuhej në deklaratë.

Por ndërsa mohon të ketë selektivitet dhe thotë se gjobat për drejtuesit e mjeteve nga Kosova nuk janë më të larta se «50% të vlerës maksimale», drejtori Vatoci pranon problemet burokratike, por thotë se nuk janë në dorë të policisë. «Kjo është një kokëçarje e madhe  për drejtuesit e automjeteve. Madje në shumë raste lejet e drejtimit kanë humbur», thotë drejtori i policisë Vatoci. «Kodi Rrugor e tejkalon policinë dhe Minstrinë  e Brendshme. Duhet ndërhyrje në Kod, por kjo kërkon një iniciativë ligjore ku kërkohet një shumicë e cilësuar në Parlamentin e Shqipërisë dhe është veshtirë të ndodhë», shton ai.

Sipas shefit të sektorit të Policisë së Qarkullimit Rrugor në Qarkun e Kukësit Altin Mena bëhet fjalë për Nenin 127 pika 3 e Kodit Rrugor të Republikës Shqipërisë përcakton veprimet që bëhen në të tilla raste.

Sipas Kodit Rrugor vendimi për lejet e drejtimit të shtetasve të huaj merret nga prefektit i qarkut ku ka ndodhur shkelja dhe nëse ai nuk ka marrë masë administrative me heqje patente,  përveç gjobës, drejtuesi i automjetit pas pesë ditësh mund të paraqitet në rajonin e policisë ku i është marrë patenta për t’a terhequr atë. Në rast të kundërt ajo i dërgohet zyrës Konsullore të Ministrisë së Jashtme për t’i dërguar më pas në ambasadat respektive.

Por ky do ishte një rast «fatlum». Sipas shefit të sektorit të Policisë së Qarkullimit Rrugor, nga momenti që kontrollohet drejtuesi i mjetit  dhe i hiqet leja e drejtimit mund të nevojiten gjithsej 14 ditë, në bazë të një udhëzimi të Ministrit të Brendshëm të dhjetorit 2013, derisa leja e drejtimit të niset në Zyrën Konsullore të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe që kjo e fundit ta nisë në ambasadën e vendit të cilit i përket.

Vendi në afersi të Kukësit, ku policia vendos më së shumti gjoba për tejkalim shpejtësie dhe tabela në autostradë me kufizim shpejtësie të menjëhershme nga 100 kmh në 60 kmh. | Foto : Bashkim Shala

Shumë qytetarë të Kosovës që e pësojnë nga këto masa do u duhet të ndryshojnë planet e udhëtimit apo pushimeve. «Isha nisur për një vizitë pune në Itali. Në Kukës jam gjobitur për shpejtësi dhe më është bllokuar leja e drejtimit e automjetit kështu që jam detyruar të anuloj vizitën për në Itali», tha për BIRN Skënder Thaçi, pronar i  një kompleksi turistik malor në Bogë të Rugovës.

Altin Mena, shef i sektorit të Policisë së Qarkullimit Rrugor, thotë për BIRN se Kodi i ri Rrugor i Republikës Shqipërisë është marrë rreth 90% nga Kodi rrugor i Italisë, ku edhe në kodin italian është përcaktuar se patenta e lëshuar nga një vend i huaj dhe e bllokuar nga policia kalon nga prefekti. «Akti 14 ditor konsiderohet si sanksion plotësues, prandaj duhet të kalojë tek institucioni i prefektit. Kjo është bërë për të mos pasur paragjykim lidhur me masat ndaj drejtuesve të automjeteve që janë paisur me leje drejtimi nga një vend i huaj», argumenton Mena.

Megjithatë Mena ashtu si Vatoci e mohon që policia të jetë selektive, pasi thotë se gjobat për shpejtësinë vendosen me radar, ndërsa shton se në këtë aks kanë ndodhur një sërë aksidentesh të rënda. «Prioritet i punës tonë është parandalimi i aksidenteve dhe jo ndëshkimi. Në një pikë rreziku të aksit rrugor Tuneli i Kalimashit –Morin, sapo mbaron rruga e drejtë e ish-Uzinës së Bakrit, aty ku vendosim më së shumti gjoba për tejkalim shpejtësie, kemi pasur aksidente me 4 të vdekur, të gjithë qytetarë të Kosovës, si pasojë e shpejtësisë tej normave të lejuara. Tabela përcakton shpejtësi me 60 km/h ndërkohë që drejtuesit e mjeteve janë kapur nga radarët edhe me 180 km/h», thotë Mena.

Nga ana tjetër për shefin e sektorit të Policisë së Qarkullimit Rrugor në Qarkun e Kukësit problemi është rruga, sidomos segmenti Morin-Kukës-Fushë Dukagjin që është pa parametra dhe sjell edhe problemet për drejtuesit e mjeteve. Sipas tij rruga ka hyrje-dalje pa kriter, ndërsa në të janë shënuar rreth 30 viktima aksidentesh që nga ndërtimi në vitin 2009. Ai thotë se i është drejtuar me një shkresë ARRSH-së (Autoritetit Rrugor Shqiptar) të cilit i kërkon ndërhyrje të menjëherëshme.

Autostrada Milot-Kukës-Morin, e pagëzuar si Rruga e Kombit, ka kushtuar rreth 1 miliard Euro, por është kthyer prej kohësh në një rrugë të zakonshme nacionale, ku tabelat për shpejtësinë e detyruar kanë zbritur deri në 50 kilometër në orë. Kjo ka ndodhur, pasi ministria e Transporteve në Shqipëri ka ulur deri në 50% shpejtësinë mesatare të qarkullimit në autostradë për shkak të aksidenteve të shumta si pasojë e dëmtimit të rrugës, punimeve me cilësi të dobët dhe ndërtimeve pa leje në anë të saj.

Ky ndryshim tabelash është edhe sipas drejtuesve të policisë lokale edhe një nga arsyet kryesore e gjobave dhe ndëshkimeve për drejtuesit e mjeteve, sidomos ata nga Kosova që vazhdojnë të jenë të parët sa i përket numrit të vizitorëve në Shqipëri edhe gjatë muajve që nuk perfshihen në sezonin turistik. Gati 35 për qind e vizitorëve të huaj në Shqipëri vijnë nga Kosova dhe pjesa më e madhe e tyre kalojnë në këtë rrugë.

Vendi në afersi të Kukësit, ku policia vendos më së shumti gjoba për tejkalim shpejtësie dhe tabela në autostradë me kufizim shpejtësie të menjëhershme nga 100 kmh në 60 kmh. | Foto : Bashkim Shala

(https://www.reporter.al/bllokimi-i-patentave-shqiptaret-e-kosoves-ankohen-per-standarde-te-dyfishta/)