Bllokimi i Kuvendit, precedent i rrezikshëm

Opozita ka shënuar hapa pas me veprimet e fundit bllokuese në Kuvendin e Kosovës, ka thënë Marko Prelec, drejtor në «Grupin për Hulumtim të Politikave në Ballkan».




Në një bisedë për «Kohën Ditore», Prelec ka theksuar se edhe tërheqja nga marrëveshjet e Brukselit, ashtu siç po insiston opozita nuk është zgjidhje, pasi çdo herë do të gjenden mënyra të cilat Kosovës do t’i kërkohen në dialog.

Prelec ka treguar për pritjet dhe zhgënjimin që ka pësuar në partinë më të madhe opozitare, lëvizjen «Vetëvendosje», si frymë e re në politikën kosovare.

«Por kjo që ndodhi së fundi është një fatkeqësi. Unë do t’i pyesja ata dhe deputetët nga partitë e tjera opozitare që hodhën vezë – a dëshironi që kjo t’ju ndodhë juve, kur të dilni për të folur herën tjetër në foltore?», ka thënë Prelec. «Sepse ka patjetër njerëz që besojnë po aq fort sa e bëni ju, se është opozita ajo që po kërcënon shtetin e Kosovës. Kuvendi duhet të jetë vendi ku anëtarët mund të flasin me të gjithë qytetarët, si dhe audiencën e tyre».

Prelec ka vlerësuar se, askush nuk ka të drejtë t’i heshtë dhe ndërpresë të tjerët.