Bliri

Foto: Shutterstock



Te pusi, para portës,
Atje bleron një bli.
Sa shpesh kam ëndërruar
Nën ato degët e tij.

Sa fjalë të ëmbla shkrova
Rreth trungut për kujtim.
Gjithmonë m’u gjend pranë
Në gaz e hidhërim.

M’u desh të nis shtegtimin
Mes natës nëpër terr,
Por sytë para nisjes
I mbylla dhe një herë.

Dhe ndiej si degët dridhen,
Dëgjoj – një zë më fton:
Te ne shtegtar i gjorë
Gjen prehjen që kërkon.

M’i thau thëllimi faqet.
Fryn erë dhe acar.
Ma flaku tej kapelën,
S’u ktheva me ta marr.

Jam larg kaq orë udhë
Nga ai vend tani,
Por prapë ndiej fëshfëritjen:
Atje gjen prehje ti!

Përktheu: Petraq KOLEVICA