«Blerta Deliu është shtirur se i është rrezikuar jeta»

Deputetja nga radhët e LVV-së, Albulena Haxhiu është deklaruar për gazetarë pas dorëzimit të kallëzimit penal për deputetin e LDK-së, Armend Zemaj, pasi ky i fundit pranoi se ka gjuajtur me gotë drejtë deputetëve të opozitës.




Pas hedhjes së bombolave të gazit lotsjellës nga deputeti Albin Kurti, dy deputete femra, Flora Brovina dhe Blerta Deliu – Kodra janë alivanosur, por kjo sipas Haxhiut është shtirje nga ana e deputetes Deliu – Kodra, transmeton Koha.net.

«Është për të ardhur keq se si disa gra të Kuvendit të Kosovës nuk e thonë as edhe njëherë të vetme një fjalë për dëmet që po i shkaktohen Kosovës por e shfrytëzojnë gjininë e tyre për të bërë skena të tilla. Ne jemi të gjithë dëshmitarë sepse e kemi parë deputeten Blerta Deliu e cila pas seancës plenare ka dhënë deklaratë për media dhe e njëjta është shtirur se i është rrezikuar jeta», tha Haxhiu.

Deputetja Haxhiu është pyetur nga gazetarët se a e konsideron veprim të ligjshëm hedhjen e gazit lotsjellës në një ambient të mbyllur ku kishte edhe gazetare shtatzëna, ajo nuk dha një përgjigje konkrete.

Haxhiu prapë deklaroi se në seancën e djeshme nuk është ushtruar dhunë nga Lëvizja Vetëvendosje dhe opozita, por dhunë po ushtrohet çdo ditë në qytetarët e Kosovës nga qeveria aktuale.