Biznesi i drejtësisë: Gjyqtarët e karrierës pesëfishuan pasurinë në 10 vite

Të dhënat e siguruara nga BIRN tregojnë se 81 gjyqtarët e Apelit në Shqipëri kanë grumbulluar në duart e tyre 2 miliardë lekë pasuri në total, të investuara në pasuri të paluajtshme, kompani biznesi apo në vlera të mëdha monetare në bankë apo cash.

Foto: Skyward Kick Productions.com

Gjyqtarët e Apelit në Shqipëri kanë pesëfishuar pasurinë gjatë dekadës së fundit, duke grumbulluar në duart e tyre më shumë se 2 miliardë lekë të deklaruara në total. Të dhënat e siguruara nga BIRN tregojnë se pasuria e gjyqtarëve të Apelit në Shqipëri vlen dhjetra milionë lekë më tepër se shuma e pagave që ata kanë përfituar së bashku gjatë 11 viteve të karrierës.

Rrjeti Ballkanik i Gazetarisë Investigative, BIRN analizoi deklaratat e pasurisë së 81 gjyqtarëve të Gjykatave të Apelit në Shqipëri, pasi i administroi ato nga Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive, ILDKPKI përmes një kërkese të bazuar në ligjin për të drejtën e informimit.

Të dhënat e plotësuara nga gjyqtarët në secilën deklaratë vjetore u hodhën në një databazë dhe iu nënshtruan analizës aritmetike dhe logjike, e cili bazohet në një nga format e kontrollit të përdorura nga ILDKPKI për të hetuar pasurinë e zyrtarëve dhe është e njohur si një nga praktikat më të mira ndërkombëtare.

Përveç analizës aritmetike dhe logjike, databaza mundëson gjithashtu gjenerimin e të dhënave mbi pasurinë neto dhe bruto të secilit gjyqtar dhe të gjithëve së bashku, llojin e kësaj pasurie dhe vlerën e detyrimeve dhe borxheve që ata kanë ndaj palëve të treta.

Të dhënat e përftuara nga ILDKPKI nuk ofrojnë fakte nëse pasuritë e këtyre gjyqtarëve janë shtuar apo jo në mënyrë të kundraligjshme. Megjithatë, ato tregojnë se si një numër i madh gjyqtarësh u pasuruan përmes një rrjeti të gjerë borxhesh, të përfituara përmes kredive bankare apo huave nga familjarët apo palët e treta.

Njësoj si zyrtarët e tjerë, edhe gjyqtarët e kanë deklaruar për herë të parë pasurinë e tyre në vitin 2004. BIRN mori nga ILDKPKI 959 deklarata vjetore të gjyqtarëve të gjykatave të Apelit, të administruara nga viti 2004 deri në vitin 2015, të cilat iu nënshtruan më pas analizës së thelluar.

Të dhënat e siguruara nga BIRN tregojnë se në fillim të vitit 2004, pasuria e deklaruar e 81 gjyqtarëve të Apelit ishte vetëm 401’488’806 lekë (3,2 milionë USD). Në fillim të vitit 2015, gjyqtarët deklarojnë se pasuria e tyre dhe e rrethit të ngushtë familjar është 2’094’536’212 lekë (17 milionë USD) ose pesë herë më e lartë se në vitin fillestar të deklarimit.

Në fillim të vitit 2015, vlera e detyrimeve të të gjithë gjyqtarëve së bashku ndaj bankave, kompanive të ndërtimit ose familjarëve është 742’591’699 lekë. Pasuria e tyre neto, pas zbritjes së totalit të detyrimeve ende të pashlyera kap shifrën e 1,7 miliardë lekëve (14 milionë USD).

Në 11 vitet mes deklarimit të parë të pasurisë dhe vitit të fundit të marrë në analizë, pasuria e të gjithë gjyqtarëve të Apelit është rritur me rreth 10 milionë dollarë. Mesatarisht, çdo gjyqtar ia ka dalë të shtojë pasurinë me 12 mijë USD në vit, pavarësisht se paga vjetore mesatare për gjyqtarët e Apelit varion nga 5’500 në 9’400 USD në vit.

Pasuria e deklaruar

Sistemi gjyqësor shqiptar vuan një nivel të lartë korrupsioni, sipas perceptimit të shumicës së shqiptarëve dhe raporteve monitoruese ndërkombëtare. Një reformë në drejtësi që mundëson njëkohësisht pastrimin e sistemit nga gjyqtarët e korruptuar është kushti kyç i Brukselit për ecurinë e mëtejshme të Shqipërisë drejt Bashkimit Europian.

Prej 18 muajsh, klasa politike shqiptare po diskuton një reformë të thellë kushtetuese, që ka për qëllim të ndryshojë në mënyrë radikale procesin e kontrollit të integritetit të gjyqtarëve dhe prokurorëve, duke kërkuar të luftojë korrupsionin e gjithëpërhapur në radhët e njerëzve të sistemit të drejtësisë.

Reforma parashikon ngritjen e institucioneve të reja për të arritur qëllimin e çrrënjosjes së korrupsionit dhe çlirimin e gjyqësorit nga influenca politike. Nëse reforma do të miratohet, një nga institucionet kyç është dhe Komisioni i Pavaruar i Kualifikimit dhe Kolegji i Apelimit –institucione të përkohshme të cilat do të qëndrojnë në këmbë për 9 vjet pas hyrjes në fuqi të ligjit dhe do të ketë si qëllim marrjen në sitë të korpusit të gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Gjatë periudhës së funksionimit, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit do të kryejë vlerësimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në tre drejtime – njëri prej të cilëve është edhe vlerësimi i pasurisë.

Po si e justifikojnë 81 gjyqtarët e Apelit pasurinë totale prej rreth 2 miliardë lekësh në fund të vitit 2014?

Nga deklaratat e analizuara, pasuria e gjyqtarëve (asetet) pëbëhet kryesisht nga vlera të larta pasurish të luajtshme dhe të paluajtshme, si dhe shuma të mëdha likuiditetesh në llogari bankare ose cash, duke mos lënë pas edhe huadhëniet ndaj të tretëve dhe aksionet në kompani biznesi.

Të dhënat e siguruara nga BIRN tregojnë se gjyqtarët e karrierës në Shqipëri zotërojnë asete të konsiderueshme në tregun e pasurive të paluajtshme. Gjysma e pasurisë totale të gjyqtarëve përbëhet nga investimet në blerjen e shtëpive dhe dyqaneve, të cilat në fund të vitit 2014 kapin vlerën e mbi 1 miliardë lekëve (8,8 milionë USD). Pasuria e paluajtshme e gjyqtarëve është rritur në mënyrë progresive, duke u katërfishuar nga deklarata e vitit 2003, në deklaratën e fundit mbi asetet e zotëruara të vitit 2014.

Në zërin e pasurive të luajtshme, gjyqtarët deklarojnë përgjithësisht flotën e tyre të  automjeteve. Në total, 81 gjyqtarët e Apelit në fillim të vitit 2015 zotërojnë automjete në vlerë rreth 187 milionë lekë (1,5 milionë USD).

Deklaratat e pasurisë së analizuara nga BIRN tregojnë se gjyqtarët qarkullojnë vlera të larta monetare si në sistemin bankar, ashtu edhe jashtë tij. Në total, në fund të vitit 2014 ata kanë deklaruar likuiditete në bankë në vlerën e 463’843’698 lekëve (3,8 milionë USD), të cilat janë pesëfishuar krahasimisht me vitin e parë të deklarimit të aseteve.

Në mënyrë të ngjashme, rritje të ndjeshme kanë pësuar dhe likuiditetet në cash, vlera e të cilave deklarohet se në fund të vitit 2014 është  296’501’355 lekë (2,4 milionë USD) ose pesëmbëdhjetë herë më i lartë se likuiditeti cash i raportuar në fillim të vitit 2003.

Vlera më të vogla parash janë deklaruar si huadhënie apo si pjesë aksionesh të gjyqtarëve dhe familjarëve të tyre në kompani të ndryshme biznesi. Në total, gjyqtarët deklarojnë se kanë dhënë 35’461’270 lekë borxhe (290 mijë USD) dhe zotërojnë 19’134’561 lekë (156 mijë USD) në aksione kompanish.

Duke përdorur teknikat e certifikuara të kontrollit aritmetik dhe logjik, BIRN arriti të zbulonte në një investigim të mëparshëm se 79 për qind e gjyqtarëve të Apelit rezultojnë se kanë pasur të paktën në një vit të karrierës së tyre diferenca të pajustifikuara midis pasurisë së krijuar dhe burimeve financiare të deklaruara.

Në total, shuma e pajustifikuar e përmbledhur tek 64 nga 81 gjyqtarët e Apelit me probleme është 332’426’031 lekë ose rreth 2,7 milionë USD.

(BIRN Albania: http://www.reporter.al/biznesi-i-drejtesise-gjyqtaret-e-karrieres-pesefishuan-pasurine-ne-10-vite/)