Biznesi i artë i koncesioneve shënoi rekord të ardhurash në 2015-ën

Të dhënat financiare të koncesioneve kryesore të miratuara nga qeveritë shqiptare gjatë dy dekadave të fundit, tregojnë se këto biznese i shtuan ndjeshëm të ardhurat dhe fitimet në vitin 2015.

Rinas. Foto: Paolo G / Shutterstock.com

Në fillimi të muajit gusht media shqiptare ishte e mbushur me tituj mbi çmimet e kripura të biletave të kompanive ajrore për të udhëtuar në Shqipëri nëpërmjet aeroportit «Nënë Tereza» në Rinas – i vetmi aeroport ndërkombëtar i vendit.

Menaxhimi këtij aeroporti nëpërmjet një kontrate koncesionare të dhënë në vitin 2004, është cilësuar shpesh nga ekspertët si një nga arsyet për mungesën e të ashtuquajturave kompanive ajrore «low cost» dhe çmimeve të larta të biletave.

Sipas të dhënave financiare të siguruara nga BIRN, fitimet e Tirana Aeroport Partners – kompanisë që menaxhon koncesionin e aeroportit – vetëm gjatë viti 2015 u rritën me 32 për qind.

Ngjashëm me Tirana Aeroport Partners,  kompanitë kryesore koncesionare në Shqipëri – të monitoruara nga BIRN mbi nivelin e të ardhurave dhe normat e fitimeve të realizuara nga aktivitetet e tyre kryesisht monopolistike – lulëzuan gjatë vitit të shkuar.

Të dhjeta koncesionet e monitoruara duke përdorur bilancet që publikohen në Qendrën Kombëtare të Biznesit, patën të ardhura të përbashkëta prej 12 miliardë lekësh gjatë vitit 2015, (rreth 85.6 milionë euro) me rritje 31 për qind ose 20 milionë euro në krahasim me vitin 2014.

Shtimi i xhiros së koncesioneve me 31 për qind gjatë vitit 2015 vjen në një kohë kur ekonomia në tërësi ka përjetuar rritje nominale prej vetëm 5 për qind.

Rritja e të ardhurave të këtyre koncesioneve është krijuar më së shumti nga kompani të tilla si Aeroporti i Rinasit dhe ALEAT, kompania e prodhimit të pasaportave dhe kartave të identitetit – e cila fitoi fillimisht një koncesion trevjeçar në vitin 2009 dhe më pas, përfitoi shtyrje të afatit të koncesionit për 30 vjet pa ndonjë garë formale në vitin 2012, kur kontrata e parë po skadonte.

Dhjetë koncesione të përzgjedhura nga BIRN për monitorim përbëjnë një pjesë e vogël të koncesioneve të dhëna në Shqipëri përgjatë dy dekadave të fundit dhe janë përzgjedhur për shkak se ofrojnë në përgjithësi shërbime që zëvendësojnë funksionet e shtetit, ose kanë krijuar monopole ligjore në segmente të caktuara të ekonomisë duke u bërë shqetësim për zhvillimin ekonomik të vendit.

Një investigim i vitit të kaluar zbuloi se koncesionet janë praktikisht bizneset më fitimprurëse në Shqipëri dhe se pronarët e këtyre bizneseve kanë përfituar qindramilionë euro përgjatë viteve të fundit, ndërsa pozicioni i tyre përgjithësisht monopolist i ka lejuar të mbajnë norma fitimi përrallore pavarësisht se pjesa tjetër e ekonomisë ka vuajtur nga kriza.

Por lista e koncesioneve me vlerë të debatueshme është shtuar gjatë vitit të fundit me koncesione të reja të dhëna nga qeveria aktuale dhe pritet të shtohet më tutje me koncesionin e Rrugës së Kombit.

Rinasi shton të ardhurat dhe fitimet

Kompania Tirana International Airport u krijua falë një kontrate koncesionare të shumëdebatueshme të nënshkruar nga qeveria «Nano» në vitin 2004 dhe të miratuar në kuvend në atë kohë, duke marrë ligjërisht një monopol në fluturimet ndërkombëtare të vendit. Që kur kontrata po diskutohej në parlament, ekspertët paralajmëruan se Shqipëria do të humbiste dhjetëra-milionë euro nga kjo kontratë thellësisht favorizuese për koncesionarin dhe dëmtuese për interesat e shqiptarëve.

Paralajmërimet e ekspertëve u bënë realitet. Në periudhën 2010-2015, periudhë për të cilën disponohen të dhënat e bilancit, kompania ka realizuar të ardhura të përgjithshme prej 27 miliardë lekësh, (193 milionë euro) dhe fitime neto prej 7.8 miliardë lekësh, (56 milionë euro) me një normë mesatare fitimi të lakmueshme prej 29 për qind mbi të ardhurat. Kulmi duket se u shënua pikërisht në vitin 2015, kur TIA raportoi të ardhura totale prej 4,9 miliardë lekësh dhe fitime prej 1,6 miliardësh, ndërsa norma e fitimit neto si përqindje e të ardhurave u rrit në 33 për qind. Në krahasim me vitin 2014, të ardhurat u rritën me 15 për qind ndërsa fitimet neto u rritën me 32 për qind.

Kompania përpunoi afro 2 milionë pasagjerë në vitin 2015, 10 për qind më shumë se sa në vitin 2014. Tarifat e saj predatore mbi shërbimet aeroportuale dhe monopoli që disponon mbi fluturimet ndërkombëtare janë prej vitesh shqetësimi kryesor i sektorit të turizmit, operatorët e të cilit ankohen se ekzistenca e këtij monopoli gërryen aftësinë e vendit për të konkurruar me destinacionet turistike fqinje si Greqia, Mali i Zi apo Kroacia, ku biletat ajrore kushtojnë deri në dy herë më lirë se sa biletat për në Shqipëri. Monopoli i Rinasit në fakt nuk është faktori i vetëm që sjell bileta super të shtrenjta për shqiptarët. I gjithë sektori i transportit ajror është i mbushur me hallka të tjera monopolistike, duke filluar nga disa segmente fluturimesh të cilat janë efektivisht monopol i një kompanie ajrore si Tiranë – Vienë, te monopoli i furnizimit më karburant të avionëve, i cili nuk është një monopol i krijuar me kontratë koncesionare por gjithsesi është një monopol i lidhur ngushtë me monopolin e vetë aeroportit.

Megjithë se normat e fitimit të koncesionit të aeroportit janë të lakmueshme për çfarëdolloj aeroporti në botë, qeveria shqiptare pranoi më herët këtë vit të zgjasë me së paku dy vjet afatin e koncesionit aktual nga viti 2024 në vitin 2026, përkundrejt premtimit se do të lejohet të vërë në punë Aeroportin e Kukësit dhe një aeroport tjetër hipotetik pranë Vlorës, ndërkohë që kompania vijon ta ruajë monopolin e saj në Shqipërinë qendrore, destinacioni i shumicës dërrmuese të fluturimeve ajrore. Megjithëse qeveria pati premtuar se pas zgjatjes së afatit të kontratës së Rinasit, punët do të vijonin me shpejtësi për vënien në funksionim të Aeroportit të Kukësit, asgjë e tillë nuk ka ndodhur deri tani. Duke miratuar ndryshimet dhe zgjatjen e afatit të koncesionit, Kuvendi i Shqipërisë duket se shkeli edhe vetë kontratën që pati miratuar në vitin 2004, ku qartësisht shkruhej se rinegocimi i kontratës nuk duhet të lejojë të sjellë kosto shtesë për shtetin shqiptar, ndërkohë që me masën aktale të fitimit prej afro 12 milionë eurosh në vit, zgjatja e afatit të koncesionit me dy vjet do t’i kushtojë shtetit shqiptar rreth 20 milionë euro.

Monopoli i furnizimit me karburant, të ardhurat ulen, fitimet shtohen

Air BP Albania është kompania që efektivisht kontrollon monopolin e furnizimit me karburant të avionëve. Të ardhurat e saj për vitin 2015 qenë afro 1,3 miliardë lekë (8.9 milionë euro) ndërsa fitimet neto qenë 469 milionë lekë. Norma e fitimit të kompanisë në vitin 2015 shënoi kulmin në masën 37 për qind. Të ardhurat e saj kanë pësuar një rënie të lehtë që nga viti 2010, bashkë me rënien e përgjithshme të çmimeve të naftës në tregun ndërkombëtar por fitimet neto kanë pësuar rritje të vazhdueshme ndërsa norma e fitimit prej 37 për qind është krejtësisht e pazakontë për tregun e karburanteve, ku norma e fitimit zakonisht është vetëm 2,3 apo 4 për qind mbi xhiron.

Aleat dyfishoi të ardhurat

Monopoli tjetër i krijuar me koncesion është prodhimi i pasaportave dhe kartave të identitetit nga kompania ALEAT. Kjo kompani e fitoi monopolin në vitin 2009 me një kontratë koncesionare trevjeçare, por në vitin 2012, pikërisht në kohën kur kontrata koncesionare parashikonte mbylljen e marrëdhënies kontraktuale dhe transferimin e teknologjisë e infrastrukturës së prodhimit të pasaportave dhe kartave të identitetit te Ministria e Brendshme, qeveria e kohës vendosi zgjatjen e afatit të koncesionit me 30 vjet. Vitin e kaluar kjo kompani realizoi të ardhura në masën 3,5 miliardë lekë (25 milionë euro) dhe fitime neto prej 1,4 miliardë lekësh, (9,9 milionë euro) me rritje mbi dy herë të të ardhurave në krahasim me vitin 2014 dhe me gjashtëfishim të fitimeve.

Shkaku i rritjes së papritur të kostos së shqiptarëve për pasaporta dhe karta identiteti duket se lidhet me një vendim të Ministrisë së Brendshme, e cila shpalli të pavlefshme pasaportat e fëmijëve, përgjithësisht pasaportat e fëmijëve të emigrantëve, të cilat qenë lëshuar me afat dhjetëvjeçar, por që sipas Ministrisë, ky qe gabim sepse me ligj, pasaportat duhej të lëshoheshin për vetëm pesë vjet. Pavarësisht se cili qe fajtori për këtë, shqiptarët paguan. Kompania përfitoi gjithashtu nga pasaportat që qenë lëshuar më herët dhe që kishin defekte në përshkrimin e vendlindjeve të fëmijëve në Greqi, si dhe vendime të tjera që kanë lejuar rritjen e çmimit të pasaportave. Njëkohësisht, ccmimet e pasaportave u rritën nga qeveria shqiptare për llogari të koncesionarit në vitin 2015, pavarësisht se koncesionari po realizon fitime të pabesueshme nga një vend i varfër.

Që nga viti 2010, koncesioni monopol i pasaportave dhe kartave të identitetit i ka kushtuar shqiptarëve mbi 21.2 miliardë lekë, (151 milionë euro). Norma e fitimit mbi të ardhurat në masën 39 për qind për vitin 2015 është e jashtëzakonshme dhe e lakmueshme për çdo lloj aktiviteti ekonomik.

Njësoj si koncesionet e tjera, ALEAT e ka të caktuar në kontratë kontrollin monopol të shprehur si «e drejtë ekskluzive» në prodhimin dhe shpërndarjen e pasaportave dhe kartave të identitetit.

SGS shton të ardhurat, dyfishon fitimet

Kompania SGS mori një monopol në shtator 2009 për kontrollin teknik të automjeteve, një detyrim ligjor që duhet të kryhet nga të gjithë poseduesit e mjeteve motorike vetëm te kjo kompani. Të ardhurat e kompanisë qenë 804 milionë lekë për vitin 2015 (5,7 milionë euro) ndërsa fitimet qenë 178 milionë lekë, (1,3 milionë euro), me normë fitimi 22 për qind. Koncesioni i ka kushtuar shqiptarëve sakaq 3,6 miliardë lekë që nga viti 2010, ndërkohë që në shumë qytete të Shqipërisë, kontrolli teknik i automjeteve është një tmerr i vërtetë me rradhë që zgjasin shumë orë e me raste, shumë ditë. Pak ditë më parë, Policia Shqiptare njoftoi arrestimin e gjashtë personave në Shkodër, të dyshuar se arrinin të kryenin ndërmjetësime për të shkurtuar orën e pritjes apo shërbenin për të mbajtur radhë për llogari të pesonave që prisnin të shërbeheshin te zyrat e këtij monopoli.

Pas publikimit të lajmit dhe ankesave në disa media për shërbim të keq nga ky monopol fitimprurës, kompania publikoi një deklaratë për shtyp ku ankohej për «informacione të pasakta».

Nga kjo kontratë koncesionare, shteti shqiptar përfiton nominalisht vetëm 5 për qind të fitimit neto të kompanisë në formën e rentës minerare. Kontrata koncesionare parashikon detyrimin e koncesionarit për investimin e vetëm 561 milionë lekëve (4 milionë euro) për pajisjet e kontrollit teknik përgjatë periudhës së koncesionit.

Kostoja e pullave fiskale SICPA rritet në 3,6 miliardë lekë

Në vitin 2010, qeveria e kohës dha me koncesion prodhimin e pullave fiskale, të cilat deri në atë kohë qenë realizuar me kosto 20 herë më të ulët nga një shtypshkronjë shtetërore. Presupozohej se koncesioni i ri do të siguronte kontroll më të mirë nga ana e administratës doganore e tatimore të disa llojeve të mallrave që i nënshtrohen taksës së akcizës si cigaret, ndërsa premtonte edhe rritje të taksimit të birrës për shkak se për herë të parë, pullat fiskale u vunë në çdo shishe apo kanaçe birrë të prodhuar. Sipas bilancit të kompanisë SICPA Security Solutions Albania, shqiptarët u detyruan të paguajnë 873 milionë lekë, (6,3 milionë euro) për pullat fiskale, ndërkohë që sasia e cigareve dhe birrës së taksuar nga qeveria erdhi në rënie, duke sugjeruar se leverdisshmëria ekonomike e këtij koncesioni për taksapaguesit shqiptarë thjeshtë nuk ekziston. Që nga viti 2012, kur koncesioni filloi punë, shqiptarët kanë paguar 3,6 miliardë lekë, (26 milionë euro) për pullat fiskale. Kompania rezulton me humbje neto në bilanc përgjatë të gjithë kësaj periudhe. Humbjet e akumuluara arrijnë në 490 milionë lekë, megjithatë ajo duket e lumtur dhe e vendosur që të vijojë aktivitetin në Shqipëri. Humbjet e kompanisë janë mbuluar nga kompania mëmë, e cila i ka akorduar kompanisë bijë në Shqipëri një kredi.

Audituesit shkruajnë në bilancin e SICPA se kompania mëmë ka shprehur gadishmërinë që të vijojë të mbulojë humbjet e kompanisë bijë në Shqipëri dhe shkaqet për këtë gadishmëri duket se lidhen me transaksionet mes mëmës dhe bijës. Në bilanc shënohet se kompania bijë në Shqipëri i ka paguar gjatë vitit 2015 kompanisë mëmë në Zvicër 154,5 milionë lekë në formën e honorareve për të drejtat e autorit, interesave të kredisë së marrë për mbulim humbjesh e të tjera. Transaksionet e kompanive me palë të lidhura raportohen veçmas në bilance si detyrim ligjor në Shqipëri me shpresë se do të luftohet fenomeni i njohur i «transferimit të çmimeve» apo transferimit të fitimeve, fenomen në të cilin kompanitë përdorin transaksione brenda një grupi kompanish për të shfrytëzuar hapësira ligjore mes vendeve të ndryshme me synimin për të shmangur pagesën e taksave. Gjithsesi, ekzistenca e transaksioneve të lidhura nuk vërteton automatikisht se këto transaksione janë për efekt të shmangies së taksave pasi mund të kenë edhe qëllime të pastra biznesi.

Ndërkohë, konsumi i taksueshëm i cigareve dhe  birrës, i cili supozohej se do të rritej si pasojë e koncesionit, në fakt kanë ardhur në rënie që nga viti 2012. Sipas të dhënave të Ministrisë së Financave, konsumi i taksueshëm i cigareve ka rënë nga 3’600 tonë në vitin 2012 në 2’478 tonë në vitin 2015. Konsumi i taksueshëm i birrës në vitin 2015 qe 30 milionë litra, efektivisht më i ulët se sa 34 milionë litrat e taksuara në vitin 2010.

La Petrolifera, koncesioni i rezervuarëve të naftës

La Petrolifera Italo Albanese, e cila disponon një koncesion ligjor për ndërtimin, operimin dhe pronësinë e rezervuarëve të naftës në Vlorë, realizoi të ardhura prej 1,1 miliardë lekësh dhe fitime prej 456 milionë lekësh gjatë vitit 2015. Kompania u regjistrua fillimisht në vitin 2002 dhe mori koncesionin disa vite më vonë ndërsa fitimet e saj duket se u rritën gjatë bumit të prodhimit vendës të naftës dhe shërbimeve të magazinimit për Bankers Petroleum. Që nga viti 2011 deri më 2015, kohë për të cilën janë të disponueshme bilancet, kjo kompani ka realizuar 4,4 miliardë lekë të ardhura dhe afro 1,8 miliardë lekë fitime neto.

Bakri mbyllet, kromi shton fitimet dhe të ardhurat

Kompania e nxjerrjes së bakrit Beralb nuk ka raportuar aktivitet gjatë vitit 2015 pasi kishte rezultuar me humbje më 2014 për shkak të rënies së çmimit të bakrit në tregun ndërkombëtar, por kompania e kromit AlbChrome Sh.p.k, e cila kontrollon shumicën e minierës së Bulqizës si dhe impjantin e pasurimit të kromit në Elbasan, shënoi rritje të të ardhurave dhe të fitimeve. Në vitin 2015, Albchrome raportoi të ardhura prej gati 7 miliardë lekësh dhe fitime neto prej 550 milionë lekëve, viti i dytë radhazi në të cilën kjo kompani raporton fitime neto.

AlbChrome është produkt i një koncesioni të hershëm të dhënë fillimisht në vitin 2000 për një kompani të panjohur italiane me emrin Darfo dhe që u kritikua përgjatë viteve për mungesë investimesh dhe keqtrajtim të punonjësve. Më vonë, Darfo u ble nga një kompani austriake, e cila gjatë aktivitetit të saj raportonte shitblerje brenda grupit dhe rrjedhimisht kishte bilance me humbje ndërsa në vitin 2013 u ble nga kompania shqiptare Balfin Group.

Në vitin 2016, në përfundim të kontratës së koncesionit, qeveria shqiptare kërkoi miratimin në parlament për ndryshime në kontratën e koncesionit. Në relacionin shoqërues qeveria thotë se koncesionari nuk ka realizuar 11,4 milionë dollarë investime që kërkoheshin nga kontrata e mëparshme por premton se do të investojë shumën e prapambetur plus 24 milionë dollarë shtesë.

Koncesioni i panjohur, Regjistri i Barrëve Siguruese

Në vitin 2009, Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës nënshkroi një kontratë koncesionare për krijimin e një regjistri të barrëve siguruese, regjistër që supozohet se i intereson bankave për të kontrolluar në kohë reale nëse pasuri të ndryshme të luajtëshme të tilla si makinat, të paraqitura nga kredimarrësit si kolateral, janë apo jo të kolateralizuara në një bankë tjetër.

Koncesioni realizoi të ardhura prej 167 milionë lekësh në vitin 2015 me fitime prej 115 milionë lekësh. Me një normë fitimi mbi të ardhurat prej 69 për qind, ky është koncesioni me normën më të lartë të fitimit nga koncesionet e marra në analizë. Kompania i nxjerr të ardhurat në çdo shit-blerje makine, ku para se noterët të regjistrojnë shitblerjen, duhet të kontrollojnë regjistrin dhe të paguajnë një tarifë te ky regjistër. Të ardhurat dhe fitimet e kësaj kompanie rrjedhin nga një udhëzim i vitit 2012 të Ministrisë së Transporteve, ku kërkohet që regjistrimi dhe transferimi i pronësisë së një automjeti të mos kryhet pa marrë konfirmim paraprak nga Regjistri i Barrëve Siguruese.

Koncesioni në thelb nuk ka funksion real në ekonomi për shkak se qeveria shqiptare e ka sakaq një regjistër të pronësive të makinave të mbajtura nga Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor.

Koncesione të tjera

S2 Albania është kompania që filloi punë vetëm në fund të vitit 2015 me kontratën e shumëdebatuar të koncesionit të skanimit të kamionëve në disa pika doganore. Brenda periudhës së shkurtër të punës, kompania raportoi të ardhura prej 208 milionë lekësh dhe një humbje modeste prej 2,4 milionë lekësh.

Koncesioni tjetër, ai i markimit të karburanteve, një monopol ligjor i kompanisë GFI, realizoi të ardhura prej 374,5 milionë lekësh në vitin 2015 dhe një humbje fiskale prej 31 milionë lekësh. Kostoja e tri koncesioneve të dhëna nga qeveria aktuale në sektorin e shëndetësisë, Check Up falas, Sterilizimi dhe Dializa, është e panjohur për momentin. Kompania e Check Up nuk ka dorëzuar bilanc ndërsa dy kompanitë e tjera kanë nisur aktivitet vetëm këtë vit.

Fatura që koncesionet i dërgojnë taksapaguesve dhe konsumatorëve shqiptarë me apo pa dijeninë e tyre pritet të shtohet në vijim si pasojë e koncesioneve të reja, impakti i të cilave mbi ekonominë mbahet sekret ose pa transparencë aktualisht. Koncesioni tjetër i pritshëm, ai i Rrugës Durrës – Kukës, gjithashtu mbart kosto të panjohura për shqiptarët pasi Ministria e Transportit dhe e Infrastrukturës refuzon të publikojë ofertën fituese të koncesionit.

Të shqetësuar nga kostoja në rritje e koncesioneve, Fondi Monetar Ndërkombëtar kërkoi dhe mori ndryshime në ligjin organik të buxhetit duke vendosur një tavan ligjor mbi koston e përgjithshme të këtyre koncesioneve në shpenzimet e buxhetit të shtetit.

Që nga viti 1995, kur u miratua ligji i parë që i jepte të drejtë qeverisë të jepte koncesione e deri më sot, qeveritë e ndryshme kanë dhënë një numër të papërcaktuar koncesionesh, lista e saktë e të cilave nuk dihet. Një institucion i quajtur ATRAKO, (Agjencia e Trajtimit të Koncesioneve), ka aktualisht detyrë ligjore të hartojë një listë me koncesione dhe ta publikojë atë, por deri tani nuk e ka bërë.

(reporter.al: http://www.reporter.al/biznesi-i-arte-i-koncesioneve-shenoi-rekord-te-ardhurash-ne-2015-en/)