Bizneset e kryeqytetit kundër vendimit të Komunës për shkallë dhe reklama njësoj

Vendimi i kryetarit të Prishtinës, Shpend Ahmeti, për unifikimin e shkallëve dhe panove reklamuese në rrugën «Dëshmorët e Kombit», ka ngjallur reagim te bizneset në këtë rrugë, duke e quajtur këtë ndërhyrje në biznes.

Ky vendim është marrë më 20 prill të këtij viti dhe parasheh që Drejtoria Komunale e Urbanizimit, e Ndërtimit dhe Mbrojtjes së Mjedisit të jetë ajo që përcakton dizajnet e shkallëve, shkruan sot «Koha Ditore».

Sipas këtij vendimi, krahu i shkallëve do të jetë me gjerësi 110 – 120 cm, me dimensione të shkelëses së paku B-29 cm për nga gjerësia dhe maksimalisht H-17 cm për nga lartësia.

Sa u përket panove reklamuese të vendosura në lokalet afariste që gjenden në rrugët e sipërpërmendura, do të kenë sipërfaqe maksimale 0.75 m2. Panot reklamuese duhet të jenë të vendosura në lartësi deri te konstruksioni meskatësh, në mes të përdheses dhe katit të parë.

Ndërsa panotë reklamuese të lokaleve afariste që gjenden në katet e mësipërme do të vendosen në hyrje të objektit dhe do të jenë me dimensione 50×30 cm.

Mirëpo ky vendim i Ahmetit, ka ngjallur pakënaqësi te bizneset, të cilat thonë se kjo është ndërhyrje në ekonomi, pasi sipas tyre, reklama duhet të përcaktohet në bazë të fuqisë financiare, e jo nga qeverisja.