Bizneset e Kosovës në Forumin Ekonomik Ndërkombëtar në Bullgari

Një delegacion i Kosovës i kryesuar nga Agim Shahini, kryetar i Aleancës Kosovare të Bizneseve (AKB), Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe biznese të ndryshme nga Kosova, po marrin pjesë në Forumin Ekonomik Ndërkombëtar në Sofje- Bullgari dhe që është i organizuar në kuadër të Samitit Presidencial të SEECP nën patronatin e Presidentit bullgar dhe me organizim nga Oda e Ekonomisë dhe Industrisë së Bullgarisë (OEIB).




Në këtë Forum po marrin pjesë shumë organizata biznesore nga Ballkani dhe Evropa, ndërsa prezenca më e madhe ishte ajo e delegacionit nga Kosova, Sllovenia, Kroacia, Serbia, Hungaria dhe Rumania, ku temë diskutimi ishin mundësitë e bashkëpunimit ndër-regjional me fokus të veçantë të investimeve të përbashkëta në projektet ndërkombëtare që lidhin Ballkanin dhe Evropën Juglindore me vendet e treta.

AKB promovoi Kosovën si «shtet i artë për investime të huaja» gjatë takimeve të shumta bilaterale B2B që pati dhe në theks të veçantë ishte pritja nga Presidenti i OEIB, Cvetan Simeonov. Gjatë këtij takimi u diskutua për mundësitë e bashkëpunimit në mes AKB-së dhe OEIB-së për bizneset që operojnë në dy shtete duke ju ofruar shërbime dhe mbështetje për bizneset që kanë interes të shkëmbimeve tregtare dhe investimeve të përbashkëta.

Bashkëpunimi ekonomik në mes dy shteteve duhet të rritet, ndërsa Shahini e informoi kryetarin e Odës që Kosova ofron potencial ekonomik për investitorët dhe politikat investuese.

Presidenti i OEIB paralajmëroi një vizitë me një delegacion të bizneseve bullgare në Kosovë për të shikuar për së afërmi mundësitë e bashkëpunimit dhe investimeve të përbashkëta të fushave të ndryshme në Kosovë.

Pjesëmarrjen e Delegacionit të AKB-se në Forumin Ekonomik Ndërkombëtar në Sofje e përcolli dhe e mbështeti Ministria e Jashtme e Kosovës dhe Ambasada e Kosovës në Bullgari.