Biografi i Hitlerit: «Kthimi te shteti nacional do të ishte budallallëk»

Historiani i famshëm britanik Ian Kershaw lavdëron Bashkimin Europian dhe tregon se përse asnjë shtet sot nuk mund t’i zgjidh vetëm problemet e mëdha.

Ian Kershaw.



Ian Kershaw është biografi më i njohur i Adolf Hitlerit. Veprat e Kershaw mbi diktatorin gjerman dhe nacionalsocializmin janë referenca të pakalueshme. Së fundi ai ka botuar librin «To Hell and Back», një studim mbi Europën mes viteve 1914-1949. Në një intervistë me gazetën zvicerane «Tages Anzeiger» Kershaw flet mbi gjendjen e tanishme në Europë dhe ngjashmëritë e mundshme me të kaluarën. Në vijim një përmbledhje e përgjigjeve më interesante të Ian Kershaw.

Mbi nacionalizmin aktual në Europë

«Situata është vërtet shumë shqetësuese kur shikojmë për shembull drejt Francës, ku vështirë mund të merret me mend zgjedhja e Marine Le Pen, por prapë duket e mundshme. Fundja nuk kemi llogaritur as me Trumpin, as me Brexitin. Megjithatë, krahasimet me vitet ’30 më duken të tepërta. Ka paralele, por njëkohësisht edhe dallime të mëdha. Ndryshe nga Republika e Weimarit ne tani nuk shohim në rrugë njësi paramilitare, të cilat ushtrojnë dhunë. Nuk duhet harruar se kur erdhi Hitleri në pushtet më 1933, dhjetëra-mijëra njerëz u dërguan në kampe të shfarosjes. Këto janë rrethana larg atyre të kohës sonë. Edhe ushtritë në Europën e sotme nuk janë aq të fuqishme si atëherë».

Mbi krizën financiare të Europës në vitet ’30 dhe tani

«Kriza ekonomike botërore e vitit 1929 ka qenë shumë më e rëndë. Atëbotë çdo komb varej nga vetvetja kur duhej të ballafaqohej me krizën. Besoj se në 70 vitet e fundit kemi mësuar shumë. Ndryshe nga vitet ’20 ne sot në Europë bashkëpunojmë. Gjendja e rëndë e Greqisë tregon se me BE-në ne kemi një instrument për t’u ballafaquar me krizat apo së paku për t’i stabilizuar ato – përkundër të gjitha vështirësive dhe dobësive të BE-së. (…) Që nga ashpërsimi i krizës financiare (2008) njerëzit duhet të jetojnë me një politikë kursimesh, gjë që ka shkaktuar një hendek mes establishmentit politik dhe pjesëve të mëdha të popullsisë. Kjo e bën të vështirë për BE-në të tregojë se është në gjendje të zgjidh problemet si terrorizmi, kriza financiare apo e ashtuquajtura krizë refugjatësh. Vetëm një gjë është e sigurt: asnjë vend nuk mund t’i zgjidh vetëm problemet».

Mbi Trumpin

«E kuptoj frikën. Ka ngjashmëri mes të ashtuquajturve humbës të globalizimit në BE dhe në SHBA. Por skena partiake, historia dhe kultura e Shteteve të Bashkuara dhe Europës janë krejtësisht të ndryshme. Në Europën perëndimore Trumpi mbase nuk do të kishte shans të fitonte shumicën me parullat e tij bajate, shpifjet dhe sharjet. Jam i bindur për këtë».

Mbi shtetin nacional

«…kthimi te shteti nacional do të ishte budallallëk. Gjithsesi shteti nacional ka rëndësi të madhe për neve: ne ia paguajmë tatimet, për çdo ditë kemi punë me të. BE, ndërkaq, është diçka abstrakte. Kështu që është vështirë që ajo të prezantohet në atë mënyrë që të dallohet vlera e saj». (dp)