Biletat e Air-Prishtinës tani mund të paguhen në kiosk

Udhëtarët për në Prishtinë mund të gëzohen: Biletat e Air-Prishtinës tani më mund të paguhen në kiosk.

Pamje nga Prishtina. Foto: OPIS Zagreb / Shutterstock

Firma që administron kiosqet në Zvicër, Valora, po i ndjell klientët e saj të emigracionit nga Kosova dhe Maqedonia me shërbime financiare. Së fundmi ajo iu ofron klientëve të Air Prishtinës mundësinë e pagesës së biletave të udhëtimit në kiosk, e transmetojnë mediat agjencinë zvicerane të lajmeve, sda.

Tani biletat e rezervuara përmes telefonit ose internetit mund të paguhen në një filial të «K-Kiosk» ose të «Press&Books» në Zvicër, ka njoftuar të martën vetë Valora. Raporti transmeton që Air Prishtina ofron bileta për në Kosovë dhe në Maqedoni. Edhe atë prej 35 vitesh, sikurse thekson gati në mënyrë publicitare raporti i «20 Minuten».

Trendi i pagesave tani po shkon kah ato përmes internetit, e citon media shefen e Air Prishtinës, Leyla Ibrahimin, por se kompania po konstaton shpesh njerëz që nuk kanë një kartë krediti ose nuk dinë ta përdorin atë në rrjetin informatik.

Tani e tutje, nëse klientët nuk mund të paguajnë përmes kartës së kreditit, te rezervimi duhet të zgjedhin opsionin e pagesës [email protected], atëherë iu vjen një QR-Code përmes e-mailit ose një kod pagese përmes sms-it. Me këtë, brenda 48 orëve mund ta paguajnë biletën në kiosk.

Ky në fakt është një trend i ri i shërbimeve që ofron Valora, shërbimet financiare. Nga 2010-ta Valora bashkëpunon me ofertuesin financiar Moneygram, i cili te emigrantët është i njohur me shërbimin e transferit të parave. ks