Bild: Në Gjermani pritet të vijnë deri në 1.5 milion migrantë më 2015

Autoritetet gjermane presin që këtë vit në Gjermani të arrijnë deri në 1.5 milion azilkërkues, shkruan e përditshmja «Bild» në një fragment të një raporti që do të publikohet të hënën, shifra këto të rritura më herët nga 800,000 në 1 milion.




Gazeta më e shitur gjermane ka cituar një parashikues të brendshëm nga autoritetet që thotë të jetë klasifikuar si «konfidencial».

Shumë prej qindra mijëra njerëzve që kanë vërshuar Evropën për t’i shpëtuar konflikteve dhe varfërisë në Lindje të Mesme, Afrikë e më gjerë kanë thënë se kanë marrë rrugën për në Gjermani, si ekonomia më e madhe evropiane, raporton Reuters.

«Bild» thotë se autoritetet gjermane janë të brengosura me faktin se mund të kenë probleme në sigurimin e kontejnerëve për jetesë dhe ambienteve sanitare për të ardhurit e rinj.

«Presioni i migrantëve do të rritet edhe më tej. Tani presim nga shtatë në 10 mijë kalime ilegale të kufirit çdo ditë në çerekun e katërt të këtij viti», citon «Bild» raportin, transmeton Koha.net.

«Ky numër i lartë i azilkërkuesve rrezikon të kthehet në barrë ekstreme për shtetet dhe komunat», vazhdon më tej raporti.

Raporti i autoriteteve citon gjithashtu brengat se ata të cilët sigurojnë azilin do të sjellin edhe familjet e tyre në Gjermani.

Marrë parasysh strukturën familjare në Lindje të Mesme, kjo do të thotë se çdo person nga ai rajon të cilit i jepet azili do të sjellë mesatarisht nga katër deri në tetë anëtarë të familjes në Gjermani brenda një kohe të shkurtër, citon «Bild» raportin.

Ndërkaq, të shtunën, ministri gjerman i Financave, Wolfgang Schaeuble, tha se Evropa do të duhej të kufizonte numrin e njerëzve që vijnë në kontinent.

E Kancelarja Angela Merkel, e cila tha se Gjermania do t’u jap azil të gjithë atyre që ikin nga lufta civile në Siri, kohëve të fundit ka pësuar rënie të popullaritetit, që shënon edhe rënien më të madhe në katër vjetët e fundit.