Bilanc i puçit në Turqi – Çfarë është e qartë, e çfarë jo

Presidenti Erdogan e ka fituar duelin me puçistët në Turqi dhe tani ai po hakërehet. Kush ishin njerëzit prapa përpjekjeve të grushtetit dhe cilat janë motivet e tyre ngelet një mister. Neue Züricher Zeitung sjell një bilanc.

Erdogan gjatë një paraqitjeje me ushtarakë më 2012 në Stamboll. Foto: thomas koch.

Ajo që dihet nga zhvillimet e mbrëmshme në Turqi është se pjesë të ushtrisë kanë provuar të bëjnë një puç – pa sukses. Ata fillimisht i bllokuan disa objekte publike, rrugë dhe e gjuajtën parlamentin. Ndërkohë ata janë shtyrë mbrapsht. Presidenti Erdogan iu drejtua të shtunën në mëngjes opinionit publik nga Stambolli, duke bërë thirrje për rezistencë. Ndërkohë që puçistët kishin shpallur të drejtën e luftës dhe ndalim-qarkullimin. Kësaj nuk iu bindën qytetarët. Shefi i ushtrisë turke Hulusi Akbar për një kohë ka qëndruar i zënë nga kryengritësit në një bazë ushtarake dhe është liruar vetëm të shtunën në mëngjes. Të katër partitë turke në parlamentin, duke përfshirë edhe tre opozitaret, janë shprehur kundër puçit. Ngjarjet e kanë rrëzuar vlerën e valutës në tregje. Ato kanë skaktuar reagime në të gjithë botën, para së gjithash SHBA-të u pozicionuan për qeverinë dhe presidentin.

Situata në vend është e turbullt, ende të shtunës ka pasur raportime për shkëmbime të izoluara zjarri. Nuk dihet edhe sa puçistë janë duke bërë rezistencë. Flitet për arrestimin e më se 1’500 ushtarëve dhe oficerëve të rebeluar. Ka viktima të shumta, numri i të cilëve nuk është konfirmuar. Sipas qeverisë numri i viktimave të puçit shkon në 265, 161 nga ana e forcave të sigurisë dhe civilëve. Numri i të plagosurve shkon në 1’100 vetë. E paqartë ngelet se kush qëndron pas përpjekjes së puçit. Sipas qeverisë duhet të jetë një oficer i rrëzuar i shtabit të përgjithshëm. Ajo e fajëson klerikun turk dhe opozitar në SHBA, Fethullah Gülen. Ndërkohë që ai nga ana e tij e ka mohuar përfshirjen e tij në këtë ndërmarrje. Pasojat e përpjekjes së puçit nuk mund të parashihen akoma saktësisht. Pritet një spastrim në radhët e ushtrisë. ks