Bienalja e muzikës klasike në Durrës ringjall tingullin e kompozitorëve të përndjekur

Gjatë netëve të muzikës klasike në Durrës nga datë 1 deri në 8 gusht, artëdashësit do të kenë mundësi të ndjekin 11 koncerte, pjesë e tyre në kërkim të muzikës së humbur të kompozitorëve që u persekutuan nga regjimi komunist.

Koncert në muzeun Arkeologjik në Durrës, gjatë Bienales «Netët e Muzikës Klasike» 2015



Në vitin 1963 një djalë i ri nga Durrësi i apasionuar pas muzikës, Gëzim Çela, i kërkoi të ëmës t’i siguronte një kitarë me të cilën do të mbyste dhimbjet dhe vuajtjen e dënimit për tentativë arratisje në burgun e Spaçit dhe më vonë në atë të Zejmenit. E ëma i solli një kitarë të dhuruar nga këngatarja Vaçe Zela. Kjo kitarë me një histori të rrallë, tingulli i së cilës gjëmoi për gati 22 vite pas telave me gjemba të burgjeve të diktaturës, do të jetë një nga instrumentet muzikore që kompozitori Florian Vlashi do të përdorë për të sjellë si pjesë e Bienales «Netët e Muzikës Klasike», tingujt muzikorë të kompozitorëve vendas dhe të huaj që janë persekuatuar gjatë regjimeve diktatoriale.

Bienalja «Netët e Muzikës Klasike» në Durrës është në edicionin e saj të tetë. Ky event muzikor është i ideuar nga violinisti dhe kompozitori Florian Vlashi, i cili edhe pse e zhvillon aktivitetin e tij profesional si anëtar i Orkestrës Simfonike të Galicias në Spanjë, kthehet gjatë muajve të verës në qytetin e tij të lindjes me familjen e tij prej muzikantësh, dhe së bashku me miq spanjollë dhe shqiptarë i dhuron emocione publikut të dashuruar me muzikën klasike. Bienalja e muzikës klasike në Durrës, përveç Vlashit si drejtues artistik përfiton dhe nga eksperienca e kompozitorit Haig Zachairain si drejtues i përgjithshëm i festivalit.

Drejtori artikistik Vlashi, shprehet në një promemorie për Bienalen, se qëllimi i saj këtë vit është të tejçoj një ‘mesazh biblik’ që mundohet t’i japë përgjigje pyetjeve për forcën që ka muzika për të lindur tinguj sublimë në mesin e vuajtjeve dhe territ të krijuar nga dhuna.

«Çfarë e bën muzikën aq të nevojshme e shpresëdhënëse, aq sublime e hyjnore, aq ngushëlluese e ëndërruese», pyet Vlashi. «Në fund të fundit, çfarë ka ky art që tremb djallin dhe shpëton njeriun të mos vdesë nga e vërteta», mëton ai.

Këto dhe pytjete të tjera violinisti durrsak ka kërkuar t’i japë përgjigje duke hulumtuar muzikën e humbur të kompozitorëve të persekutuar, e cila pritet të mbushë me tinguj shprese gjatë javës në vazhdim katedralen katolike të Shën Luçisë, hollin e teatrit Aleksandër Moisiu, shkollën e muzikën ‘Jan Kukuzeli’ si dhe Muzeun Arkeologjik të Durrësit.

Koncert në hollin e teatrit A. Moisiu në Durrës, gjatë Bienales “Netët e Muzikës Klasike” 2015

I pyetur mbi pikëtakimet e Bienales muzikore «Netët e Muzikës Klasike» me projektet  e kohëve të fundit në Tiranë si «BunkArt» apo me «Shtëpinë e Gjetheve», të cilat kthejnë vëmendjen nga persekutimi gjatë regjimit komunist, 54-vjeçari Vlashi, nënvizon se është e rëndësishme që bashkë me viktimat të evidentohen edhe persekutorët. Edicioni i 8 i Bienales synon të sjellë bashkë me muzikën e këtyre krijuesve, edhe kujdesin për ta njohur më mirë jetën dhe veprën e tyre.

Persekutimi në art nuk është vetëm fenomen shqiptar, prandaj gjatë Bienales do të luhen pjesë nga kompozitori rus Dimitri Shostakoviq, apo «Kuarteti për fundin e kohëve» e njërit prej kompozitorëve më të mëdhenj të shekullit të 20-të, Olivier Messieaen. Ky kuartet u shkrua në kampin e përqëndrimit nazist Stalag VIII A afër Drezdenit, ku Messiaen ishte i dënuar dhe është e konsideruar sot një nga  veprat më të mira të historisë së muzikës. 76 vjet pas territ të diktaturës naziste, kuarteti për fundin e kohëve do të vijë për artdashësit në Durrës nën interpretimin e instrumentistëve shqiptarë dhe të huaj të Grupit «Siglo XX».

Në tetë koncertet e Bienales 2017 janë angazhuar mjaft artistë profesionistë nga Durrësi, Tirana dhe Spanja, ndërsa si çdo vit në «Natën e yjeve të rinj» nxënësit e shkollës artistike «Jan Kukuzeli» do të konkurojnë për çmimin e parë dhe për Emblemën e përgatitur nga skulptori durrsak Kujtim Turkeshi. Ideatori Florian Vlashi, nënvizon se në një mbrëmje të veçantë të Bienales do të trajtohet edhe veprimtaria e liuterëve shqiptarë, krijuesve të instrumentave më korda.

Mbrëmja e 6 gushtit, kushtuar kompozitorëve shqiptarë të persekutuar do të nisë me disa këngë të muzikologut të shquar Ramadan Sokoli. Në mesin e viteve 1940, disa muaj pas kthimit nga studimet në konservatorin e Firences, ai u burgos në kampin e Bedenit në Kavajë.

«Në kushtet çnjerezore të internimit, në mes të të burgosurve nga të gjitha anët  e Shqipërisë,  Ramadan Sokoli mbledh «mushtin» e folklorit duke u bërë më pas krijuesi i etnomuzikologjisë shqiptare», shprehet Vlashi.

Edhe në partiturat e artistëve shkodranë Palok dhe Lec Kurti, babë e bir, Floriani ka gjetur disa të vërteta të hidhura për mohimin sistematik që i bëhej veprimtarisë së tyre nga regjimi komunist. Kompozitori Haig Zacharian, bashkëdrejtues i Bienales «Netët e Muzikës Klasike» në Durrës, thotë se në këngën «Turtulleshë», e cila për më shumë se 50 vjet është paraqitur vetëm si «këngë popullore» gjen një harmoni orkestruese mjaft profesionale për të kuptuar vlerën e autorit të vërtetë.

«Palok Kurti, është i pari muzikant, i cili duke shpëtuar nga humbja traditën popullore, e mblodhi atë, e vuri në notë, e ekzekutoi, duke hedhur kështu, bazat e krijimit të artit të kultivuar shqiptar», thotë Vlashi.

Sipas tij, romancat: «Marshallah bukurisë sate», «Ta dish, ta dish», «Për mue paska kenë kismet», «Karajfil të zgiodha», «Kur fillon drita me dalë», «Të due, moj të due», «Karajfili i kuq si gjaku» etj., janë këngë të cilat do të arrinin majat më të larta të krijimeve popullore shqiptare. Në arkivin familjar të Kurtëve gjenden thesare të krijimtarisë së Lecit, djalit të Palokë Kurtit, duke nisur nga Sonatat e romancat, të shkruara në vitet 1910-1920, pjesë të vëna në programin e Bienales, që do të nisi më 1 gusht të këtij viti.

Koncert në katedralen «Shën Lucia» në Durrës, gjatë Bienales “Netët e Muzikës Klasike” 2015

Kompozitori e studiuesi Ed Buharaja, dëshmon se në Shkodër ka një numër të madh kompozitorësh të persekutuar, ose që kanë krijuar në kushtet e terrorit psikologjik.

«Rasti i pianistit Bernardin Palaj, i njohur si mbledhës i «Eposit të kreshnikëve», e që vdiq nën torturat e telave me gjëmba në fund të viteve 1940 tregon fytyrën çnjerëzore të diktaturës», shprehet studiuesi nga Durrësi.

«I njejti qëndrim është mbajtur edhe ndaj Martin Gjokës, kompozitorit që shkroi në vitet 1930 simfoninë «Dy lule mbi varr të Skënderbeut», të cilën propaganda e regjimit e quante thjesht suitë», përfundoi ai.

(https://www.reporter.al/bienalja-e-muzikes-klasike-ne-durres-ringjall-tingullin-e-kompozitoreve-te-perndjekur/)