Gjilani shpall «Qytetarë Nderi» Beau Biden, Shaqirin e Rrustemin

Kuvendi i Komunës së Gjilanit e ka shpallur «Qytetar Nderi» Joseph Robinette «Beau» Biden III, i biri i ndjerë i zëvendëspresidentit amerikan, Joe Biden, për kontributin e tij të jashtëzakonshëm për Kosovën.

Për shpalljen e tij «Qytetar Nderi» kanë votuar 17 këshilltarë komunalë. Ndërsa opozita e kishte bojkotuar seancën ngase ka vlerësuar se në seancat e mëhershme, qeverisja komunale nuk i kishte respektuar pikat e rendit të ditës dhe për shkak të mungesës së hapësirës për debat, raporton korrespodenti i KOHA-s nga Gjilani.

Ndërsa Komuna e Gjilanit, në këtë seancë, e ka shpallur «Qytetar Nderi» edhe Xherdan Shaqirin, përfaqësuesin e kombëtares zvicerane, dhe Erzen Rrustemin, boksier, që të dy këta nga fshati Zhegër i Gjilanit.

Për këtë ka pasur vërejtje edhe nga Arben Mehmeti, këshilltar komunal nga radhët e LDK-së, i cili subjekt politik ka marrë këtë iniciativë.

«Nuk e kuptoj personalisht qysh në rend dite futen emra dhe personalitete të rëndësishme dhe ne si Kuvend edhe proceduralisht nuk jemi të përgatitur. Kuvendi duhet të ketë dokumente e biografi për të nderuarit. Po e devalvojmë rolin e Kuvendit. Po marrim vendime joserioze. Me këtë vendim po i degradojmë edhe ata që po shpallen Qytetarë Nderi», ka thënë ai.

Ndërsa Ibish Ibishi ka deklaruar se Kuvendi Komunal do të duhej që të kishte para vetes një histori të personaliteteve që janë shpallur Qytetarë Nderi ngase këtë e kërkojnë procedurat.