Bibajt derdhin mbeturinat para ndërtesës së Komunës së Ferizajt

Banorët e fshatit Bibaj të Ferizaj kanë derdhur të martën simbolikisht mbeturina e gurë para ndërtesës së Komunës së Ferizajt. Me vete kanë sjellë edhe shishe me ujë të turbulluar të puseve të fshatit, si dhe një shtyllë të rrëzuar të rrjetit elektrik, transmeton Koha.net.




Me hartën e territorit të Ferizajt ua kanë përkujtuar komunarëve se Bibajt janë vetëm dy kilometra larg qytetit, por banorët janë anashkaluar prej përfundimit të luftës prej institucioneve komunale.

«Banorët e fshatit Bibaj janë tatimpaguesit e Ferizajt» dhe «15 vjet pa ujë të pijshëm vetëm 2 km larg Ferizajt», kanë qenë dy prej pankartave që kanë mbajtur dy banorë të Bibaj në sheshin e qytetit.

Faton Haxhisalihu, kryetar i Këhsillit të Fshatit, ka thënë se banorët janë detyruar të protestojnë para komunës për shkak se fshati ndihet i lënë anash prej strukturave lokale të qeverisjes.

«Jemi 2 kilometra larg qytetit dhe ende nuk kemi ujë të pijes», ka deklaruar Haxhisalihu, duke treguar se shishet e ujit si «dëshmi» të gjendjes.

«Dëshmitë janë edhe këto fotografi të rrugëve në fshat. Nuk është manipulim, është gjendja qysh ëhstë sot», ka thënë ai, duke shpresuar se sivjet do të rregullohet kanalizimi i Bibajve dhe Fshatit të Vjetër. Ai ka kërkuar që ndërmarrja komunale e mbledhjes së mbeturinave «Pastërtia», të mbledhë mbeturinat e fshatit, ku deri tani bërllokun e heq një sipërmarrës privat. Ua merr nga katër euro në muaj për shtëpi. Haxhisalihu nuk është kundër kësaj mënyre, por kërkon që përgejgjësinë ta marrë ndërmarrja komunale.