Beteja e gazetarëve kundër anonimizimit: Minon transparencën në gjyqësor

Fshehja e emrave të palëve nga vendimet gjyqësore dhe i të dhënave të tjera të rëndësishme kundërshtohet nga një grup gazetarësh dhe juristësh, të cilët e quajnë këtë vendim një përpjekje për të minuar transparencën dhe llogaridhënien në sistemin e drejtësisë.

Foto: Shutterstock.



Elton Qyno, gazetar prej 12 vitesh i çështjeve të krimit dhe gjyqësorit në Shqipëri po përballet së fundmi me pengesa të shumta në raportimin e proceseve të rëndësishme gjyqësore apo të vendimeve që marrin gjyqtarët.  Shkak është bërë një praktikë e nisur në shkurt nga Gjykata e Tiranës për të anonimizuar emrat e palëve në çdo gjykim si dhe të dhëna të tjera të vlefshme nga vendimet gjyqësore që publikoheshin në faqen zyrtare të kësaj gjykate.

«Marrja e informacionit si dikur tashmë ka humbur, sepse për të marrë një vendim gjyqësor tani të duhet të paktën një javë kohë»,  thotë Qyno.

«Jemi në një gjykatë që duhet të ndjekësh sekretaren e gjykatës nga mbrapa, ndërkohë që në Gjykatën e Strasburgut, që është kupola e gjykatave europiane mund ta gjesh fare kollaj vendimin e gjykatës pa qenë fare në Strasburg, por thjesht nga zyra jote», shton ai.

Falë përpjekjeve dhe investimeve disa-vjeçare të organizatave ndërkombëtare për rritjen e transparencës në gjyqësor, faqja online e Gjykatës së Tiranës ishte kthyer në një burim të rëndësishëm informacioni  për gazetarët, palët në gjykim dhe praktikuesit e ligjit.

Për të mbrojtur këtë standard, 25 gazetarë shqiptarë janë përfshirë në një betejë me institucionet përgjegjëse, duke kërkuar publikimin e plotë të vendimeve gjyqësore për çështje me interes publik.

Njëri prej gazetarëve, Flamur Vezaj i televizionit ABC News e cilëson anonimizimin e të dhënave një përpjekje për të minuar transparencën dhe llogaridhënien e njerëzve të sistemit të drejtësisë në Shqipëri.

Ai shpjegon se sistemi i ri e pengon të informohet në kohë mbi proceset gjyqësore, vështirëson sigurimin e lejeve për të qenë i pranishëm në sallat e gjyqeve si dhe i heq të drejtën për të pasur akses në vendimet gjyqësore të së shkuarës.

«Ne kemi qenë të interesuar për ngjarjet e krimit të organizuar, të korrupsionit, të vrasjeve apo plagosjeve, ku në përgjithësi ka histori të ndryshme, sidomos edhe gjyqtarë të ndryshëm abuzojnë me kualifikimin e veprave penale. Ka gjyqtarë që për një vepër të njëjtë penale mbajnë pesë apo gjashtë qëndrime të ndryshme në bazë të interesave të caktuara», tha Vezaj për BIRN-in.

Sipas tij, anonimizimi i të dhënave shkon në favor të gjyqtarëve, të cilët tanimë nuk mund të ekspozohen për standardet e ndryshme që aplikojnë në dhënien e drejtësisë.

«Unë mendoj që anonimizimi i të dhënave ka ndihmuar këtë kategori gjyqtarësh që i fshihen opinionit apo i fshihen komisioneve që do të ngrihen në të ardhmen – rasti i vetingut, për të parë se ky gjyqtar çfarë standardi ka mbajtur në rastin e gjykimeve», shton Vezaj.

Procesi i fshirjes së emrave të palëve në proceset gjyqësore u nxit nga dy udhëzime të Komisionerit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, të lëshuara në vitin 2011 dhe 2012. Të lëna prej disa vitesh në harresë, këto udhëzime u riaktivizuan në qershor të vitit 2016 nga ministri i Drejtësisë në atë kohë, Ylli Manjani për t’u zbatuar fillimisht në faqen online të Gjykatës së Tiranës dhe më pas në të gjitha gjykatat e vendit.

Ish-ministri Manjani i tha BIRN-it se udhëzimi i tij erdhi në respekt të sugjerimeve të Komisionerit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale si dhe të raportit të progresit të Bashkimit Europian. Ai thekson se mbrojtja e të dhënave personale është gjithashtu një detyrim kushtetues.

«Vendimi i gjykatës mbetet aty në jetë të jetëve dhe për opininion publik shteti duhet të japë fenomenin dhe jo degjenerimin e personit, siç ndodh për fat të keq me njoftimet për shtyp të Ministrisë së Brendshme…Ky është element i drejtësisë popullore, që populli të ka parë në burg dhe s’ka rëndësi më se ç’thotë gjykata. Ky është një fenomen që vjen nga shoqëritë totalitare dhe nuk ka vend në shoqëritë demokratike ku ne duam të bëjmë pjesë», tha Manjani.

Ndërsa gjykon se raporti mes të drejtës për informim dhe asaj për mbrojtjen e privatësisë është i vështirë, Manjani thekson se askush nuk mund t’i ndalojë gazetarët që të jenë të pranishëm në sallën e gjyqit-ç’ka sipas tij është shërbimi më i mirë që gazetarët mund t’i bëjnë publikut në funksion të transparencës.

Ndryshe nga Manjani, Dorian Matlija, drejtor ekzekutiv i Qendrës Respublica e cilëson një hap mbrapa vendimin për të anonimizuar të dhënat në faqet online të gjykatave.

«Këtë lloj vendimi e gjykoj si një hap mbrapa në mbrojtjen e së drejtës për informim në radhë të parë. Sigurisht që ka gjithmonë një përplasje mes të drejtës për mbrojtjen e të dhënave dhe asaj për informim, por gjithmonë rregulli i përgjithshëm është që e drejta për informim prevalon dhe ajo për mbojtjen e të dhënave personale përbën përjashtimin nga rregulli», thotë Matlija.

Matlija shpjegon se gjyqtarët i kanë të gjithë mekanizmat për të mbrojtur të dhënat sensitive në raste të veçanta, ndërsa aplikimi për të gjitha çështjet dëmton rëndë sipas tij të drejtën për informim.

«Ky vendim është në vazhdën e një fushate më të gjerë që po aplikohet dhe në institucione të tjera, ku gjithmonë e më shumë po shohim fshehjen e të dhënave dhe gjithmonë e më pak po shohim transparencë nga institucionet publike», përfundoi Matlija.

(https://www.reporter.al/beteja-e-gazetareve-kunder-anonimizimit-minon-transparencen-ne-gjyqesor/)