Befasitë e tregut zviceran të punës

Shtatori përfundoi me një rritje të numrit të të papunëve në Zvicër. Megjithatë nuk ka një trend të vendosur negativ në çështjen e punësimit.

Foto: Shutterstock.com



Në shtator, në Qendrat Regjinale për Ndërmjetësimin e Punës (RAV) ishin të regjistruar 138’226 të papunë, që i bie 8’261 veta më shumë se vitin e kaluar. Megjithatë, në shtator trendi i rrittjes së papunësisë ishte ngadalësuar, në gusht me 8’549 veta ajo kishte qenë më e lartë. Në sektorin e shërbimeve papunësia në krahasim me vitin e kaluar u rrit për 5 për qind, ndërsa në industri me 15 për qind. Në sektorët e prekur posaçërisht nga forcimi i frangës, si maqineria, indusria e metalit dhe e elektros – rritja e papunësisë kishte shënuar 20 përqind. Kurse në industrinë e orëve ka regjistruar mbi 30 për qind më shumë të papunë se vitin e kaluar. Ka befasuar hoteleria, ku numri i të papunëve të regjistruar në krahasim me vitin e kaluar është rritur me 0,8 për qind.

Sipas Sekretariatit Shtetëror për Ekonominë (Seco), rritja e papunësisë në një masëtë madhe shpjegohet me ndikimet sezonale dhe konjunkturale, transmeton NZZ. Por, pasiguria në tregun e punës vazhdon të jetë e madhe. Druhet që për shkak të frangës së fortë firmat mund të fshijnë vende pune. Në dy muajt e kaluar papunësia te të rinjtë ishte rritur për shkak të përfundimit të shkollës dhe kualifikimeve. Në shtator, në fakt, nuk ka pasur ndonjë rritje domethënëse të papunësisë së të rinjëve. Te 15 deri 24-vjeçarët ajo ishte te 3,7 përqindshi, kurse te mbi 50-vjeçarët – 2,8 për qind.

Në qershor, 3’211 persna kishin qenë të prekur nga shkurtimet e orarit të punës – 40 për qind më pak se një muaj më parë. Kurse numri i ndërmarrjeve që kishin praktikuar shkurtime të orarit të punës ishte zvogëluar për 20 për qind, në 404. Në shtator ishin 403 ndërmarrje me 5’341 punëtorë të prekur, por Seco nuk denjon të flasë për një trend. Ndërsa numri i vendeve të hapura të punës në qendrat e ndërmjetësimit është rritur në krahasim me vitin e kaluar për 2,7 për qind, në 11’342.

Tregu zviceran i punës është zhvilluar sipas parashikimeve të ekonomistëve. Papunësia për këtë vit pritet të jetë 3,3 për qind. Sekretariati për ekonomi, për vitin e ardhshëm llogarit me një shkallë papunësie prej 3,6 për qind. ks