Besa e shqiptarit, leksion për botën?

Në kohën kur refugjatëve po u mbyllen kufijtë anembanë botës, duket se Shqipëria ka çfarë të na tregojë për mikpritjen krahëhapur, shkruan BBC.

Berat: Foto: dinosmichail / Shutterstock.com

«Kampe refugjatësh për kosovarët ishin ngritur anembanë vendit. Familjet shqiptare shkonin nëpër kampe, gjenin ndonjë familje dhe e çonin në shtëpinë e tyre. Refugjatët nuk ishin farefis a miq, ishin të huaj, por shqiptarët i çonin nëpër shtëpi të e veta, i vishnin dhe i trajtonin si të ishin pjesë e familjes së tyre».

Derisa po e përgatiste me përkushtim makiaton në kafenën e vogël në Berat, qyteti shqiptar i famshëm për 1’001 dritaret e tij, po dëgjoja Nevila Mukën teksa kujtonte efektet e luftës së Kosovës në vendin e saj. Më shumë se pesëqind mijë refugjatë nga Kosova, duke ikur prej vdekjes dhe shkatërrimit që sillnin forcat ushtarake serbe në vitet nëntëdhjetë, ishin zhvendosur nga Kosova në Shqipëri në kërkim shpëtimit gjatë atyre dy viteve lufte. Menjëherë e mora vesh se Muka nuk e kishte vërejtur eksodin masiv prej së largu.

«Gjyshja ime mori një familje. Isha e re, kështu kujtoj se sa shumë luaja me fëmijët e refugjatëve. E kujtoj fort mirë se ishin bukëpjekës të hatashëm. Gatuanin bukën me shijen më të mirë që kam shijuar ndonjëherë».

«Për ne përnjëmend nuk ishte problem. Por për shumë familje ishte betejë në vete, shumë prej tyre nuk kishin para për të mbajtur kosovarët. Shumë njerëz morën borxhe për t’i mbajtur, por kurrë nuk ia mbyllën derën askujt».

Dhe kur pyeta pse, ajo mori frymë thellë, pastaj tha: «Është traditë shqiptare. Është puna e besës».

Kisha dëgjuar edhe më parë për fjalën besa, dhe e dija se kishte kuptimin e besimit të pakontetsueshëm, por nuk kisha dëgjuar asnjëherë shpjegim të ngjashëm. Muka ma shpjegoi se është kod i shqiptarëve, asi që dikton mikpritjen bujare shqiptare. Nëse dikush të troket në derë për ndihmë, ju i bëni konak. Më thjesht, s’ka ku shkon.

Pas diskutimit tonë, u mahnita prej konceptit të besës dhe doja të merrja vesh më gjerësisht, kështu që e kontaktova Orges Beqirin, student shqiptar dhe njeri i pasionuar pas historisë që e kisha takuar gjatë kohës së qëndrimit tim në vend. E dija se nëse kishte njeri që mund të më tregonte më shumë për besën, pa fije dyshimi se ishte ai.

Kur u takuam më shpjegoi se tradita është përcjellë për shekuj me radhë si pjesë e Kanunit të Lekë Dukagjinit, kod zakonesh në shekullin pesëmbëdhjetë me të cilin qeveriseshin fiset veriore në Shqipëri. Megjithëse Kanuni shpeshherë konsiderohet si burim i besës, shumëkush argumenton se tradita është në fakt edhe më vjetër dhe se Knauni vetëm sa u kishte lënë emër traditave fisnore që kishin ekzistuar edhe më parë.

«Ka një fjalë të urtë shkruar në Kanun», thekson ai. «Shpija para se me qenë e Shqiptarit, asht e Zotit dhe e mikut». Është traditë e fortë, dhe në kohët e vjetra, nëse ishe udhëtar ose kërkojnë strehim, mund të trokisje në derën e shtëpisë së parë dhe të pyesje «O i zoti i shpisë, a do mysafirë?» dhe i zoti i shtëpisë ta çelte derën. Kanuni thotë se i zoti i shtëpisë gjithnjë e ka një shtrat thatë ditën e natën, në rast se papritmas ia beh ndonjë mysfair.

«Kështu që i bie se ka qenë detyrë atëherë?» e pyes atë. «Edhe nëse nuk doje t’i bëj ekonak dikujt, ishte i detyruar prej besës?».

«Jo tamam ashtu. Po, është detyrë, por sinqerisht shumica e shqiptarëve gëzohen kur u bëjnë konak mysafirëve. Është një pikë krenarie për ta. Në fakt, ka një mesele të vjetër për një qytet diku në veri kur ishte ndërtuar aty një hotel. Të gjithë banorët kishin shkuar në komunë dhe ishin ankuar, duke thënë se njerëzve që u duhej konak, mund të shkonin e trokisnin nëpër dyert e tyre».

Megjithëse disa prej aspekteve të vrazhda të besës kanë humbur fuqinë me kalimin e kohës, kjo ndjenjë e përgjithshme obligimi dhe dashamirësie ka vazhduar të jetojë në mesin e shqiptarëve. Megjithëse lufta e Kosovës ishte kriza më e madhe me të cilën është marrë vendi, nuk ishte as e para e as e fundit.

Për ata që kanë pak informacione, Shqipëria ishte shteti i vetëm evropian që kishte popullsi më të madhe hebraike kah fundi i Luftës së Dytë Botërore se në fillim, duke i ruajtur pothuajse të gjithë hrebrenjtë, njëherësh duke u ofruar strehim më shumë se dy mijë hebrenjve të vendeve fqinje. Pavarësisht presionit prej fashistëve italianë dhe ushtarëve pushtues nazistë, shqiptarët refuzuan t’i dorëzonin mysafirët, meqë duke vepruar kështu, jo vetëm se do të turpëroheshin, por do ta detyronin të zotin e shtëpisë «lante gjakun», apo të merrte hakun.

Shqipëria së fundi përsëri i është kthyer besës, kësaj here duke u bërë konak atyre që po udhëtojnë nga Lindja e Mesme. Qindra refugjatë iranianë po qëndrojnë tani brenda vendit, meqë janë zhvendosur nga shtëpitë e djegura nga lufta. Vendbanim u është ofruar edhe refugjatëve sirianë; kryeministri Edi Rama ka thënë gjatë një intrviste se pesëqind mijë refugjatët kosovarë të strehuar prej shqiptarëve ishin dëshmi se e gjithë BE-ja mund të bëjë më shumë për ta ndarë bashkërisht barrën e refugjatëve.

Pavarësisht të gjitha sipërmarrjeve heorike, Shqipërisë nuk po i njihen shërbimet e mrekullueshme që u ka bërë njerëzve në halle. Është e vërtetë se ky shtet ballkanas është i vogël dhe i varfër, dhe kështu zor se e rroki vëmendjen ndërkombëtare për të mirat e saj. Megjithatë në kohën kur refugjatët po kthehen nëpër të gjithë kufijtë anembanë botës, duket se shumëçka mund të mësohet prej mikpritjes pa hile të Shqipërisë.

Më vonë e ndava këtë përshtypje me Mukën, shumë kohë pas diskutimit për kosovarët që kishin qëndruar në shtëpinë e saj.

«Është turp që pjesa më e madhe e kësaj historie ka mbetu e panjohur. Shqipëria është aq larg radarit, saqë shumica e gjërave që kanë ndodhur këtu kanë mbetur pa u njohur», i thashë.

Ajo po qeshej, duke lëvizur kokën. E dinte.

«Po, por ju e dini, dhe kjo ka rëndësi. Ju mund të filloni t’u tregoni të tjerëve. Mbase një ditë do ta marrë vesh edhe bota».

(BBC)