Berlin 1945, Grozni 2000, Halep 2016

«Qe sa kohë jeton familja juaj këtu?», e pyeta dikur një njeri në Halep të Sirisë. «Në këtë rrugë apo në Halep?», ma ktheu ai. Para se t’i përgjigjesha unë, ai më tha: «Në këtë rrugë, qe 800 vite. Në Halep qe 1200 vite». Në bashkësi gjallon shpresa. Shkatërrimi i kësaj është qëllimi i tiranëve dhe vrasësve masivë. Dhe kjo është çfarë po na shfaqin video-xhirimet me dron nga Halepi i rrafshuar.

Pamje nga e kaluara: Kur perëndonte dielli në Halep të Sirisë. Foto: Shutterstock

Gjithçka është shkatërruar, saqë të humbë edhe sensi i kohës. Në fillim video-xhirimet të kujtojnë Berlinin më 1945 ose Groznin më 2000. Vdekja masive ka shkrirë të gjitha linjat dalluese të një qyteti.

Por fjala është për Halepin, më saktë lagjen «Al-Mashhad», ose ajo çfarë ka mbetur prej rrënojave të shkaktuara nga sulmet ajrore qeveritare siriane dhe aleatëve të tyre rusë. Antena satelitore të rrëzuara prej kulmeve, të mbuluara prej pluhurit dhe lule që po prishen prej katastrofës. Nëpër rrënoja shihen figura që lëvizin, por prej video-xhirimeve me dron zor të merret vesh çka po frymon nëpër rrënoja.

«A nuk do t’ju vinte turp nëse nuk do të shihnit asgjë të gjallë në këtë vend për jetë të jetëve?», pyet harry Lime në «The Third Man», film klasik që pasqyron epërsinë superiore të bombarduesve që kryejnë krime masive në emër të kryengritësve joxhihadistë luftëtarë. Videoja është xhiruar për të dokumentuar shkatërrimin dhe për t’ia dëshmuar botës hatanë, por sigurisht se njerëzit në rrugë reduktohen nga qielli në pika të zeza.

Pas Luftës së Dytë Botërore, të mbijetuarit e Auschwitzit ndihmuan për organizimin e pasqyrimit të kampit memorial dhe mblodhën thasë me këpucë dhe qime flokësh, valixhe e gjësende të tjera si dëshmi e gjallë. Shpresohej se kështu do të dëshmohej përmasa e krimeve në kohën kur nazistët kishin vrarë qindra-mijëra njerëz. Të mbijetuarit refuzonin të përqendroheshin në historinë e viktimave individuale. Ata ngulmonin se të gjithë në Europë e kishin parë vdekjen nga afër dhe kishin rrëfimet e veta për t’i dëshmuar, ndërsa natyra industriale e vrasjeve ishte diçka tjetër, e paimagjinueshme dhe qenësore për t’u mbajtur mend.

Sot kemi mundësi që gjithçka të shohim në kohë reale dhe në gazeta me shifra viktimash që nuk merren me mend. Së paku 140 persona u vranë në një bombardim të kryer saudit në një funeral në Jemen; qindra të tjerë u masakruan prej makinave-bombë në Bagdad; mijëra të tjerë po masakrohen në Halep. Në shumë prej fotografive, po mjegullohen skenat e përgjakshme, sepse zor se mund të përballojë zemra e njeriut krime të ngjashme t’i shohë me sy, si ajo e Alan Kurdit, djaloshit trevjeçar që po mundohej të kalonte detin si refugjat, por dallga e nxori të vdekur në brigjet turke, ose video-xhirimin e Omran Daqneeshit, djaloshit nga Halepi që dukej i tronditur, derisa po nxirrej i vërshuar nga pluhuri në rrënojat, duke qëndruar pastaj ulur në ambulancë, duke fshirë gjakun nga fytyra.

Është e pamundshme që t’i harroni këto fotografi pasi t’i keni parë njëherë. Më fort se spektri i strehimoreve të pafundme të njerëzve të dëbuar, çfarë të shkon më shumë ndërmend kurdo që lexoj për luftën janë fytyrat e pluhurosura të dy fëmijëve gjashtëvjeçarë këmbëzbathur që i fotografova me celular derisa po qëndroja jashtë tendës së shqyer nga erërat në Zaatari, kamp refugjatësh sirian, matanë kufirit në Jordani. Hamendem se çfarë mund të jenë duke bërë.

Janë rreth 65 milionë persona të zhvendosur anembanë botës, apo barabar me numrin e popullsisë së përgjithshme të popullsisë së Mbretërisë së Bashkuar a Francës. Refugjatët i kalojnë mesatarisht nga shtatëmbëdhjetë vite nëpër kampe. Njerëzit në atë kamp sirian ishin dëbuar prej shtëpive pak para se të shkrepeshin armët e të lansoheshin raketat. Hamendem se çfarë do të thotë për ta «shtëpia» në të ardhmen.

Për ata që janë me fat, shtëpia premton siguri, familje. Pamjet e rrënojave që po emetohen nga Halepi të kujtojnë fushatën ushtarake ruse në Grozni, ku dikur kishte bashkësi tregtarësh, rrugë të zhurmshme – dhe shtëpi. Dhe zor se mund të merrje me mend se si do të mund të dukeshin përsëri këto rrënoja deri para pak kohësh, kur nisën të mbusheshin me njerëz; fëmijë që po kalonin çastet e fëmijërisë së tyre. Me zëra të ndryshëm dhe fjalë për dashurinë dhe zemrat e thyera. Me muzikë, miq, aroma ushqimesh që zihen nëpër stufa. Me ëndrra për jetë më të mirë.

Kjo dikur ishte lagje e gjallë, me fjalë të tjera. Lagjja ka kuptim më të madh se sa një numër ndërtesash a shtëpish, e rrugësh. Mëhalla është jetë, vend ku bashkëjetohet e ndahen gjërat, ku rriten gjeneratat e vijnë të tjerat – dhe askund nuk ishte e dukshme kjo se në një qytet të vjetër, si Halepi, ku para disa vitesh më çoi në shtëpinë e tij një njeri që jetonte në një rrugicë që kishte emrin e familjes së tij.

«Qe sa kohë jeton familja juaj këtu?», e pyeta. «Në këtë rrugë, apo në Halep?», ma ktheu ai. Para se t’i përgjigjesha unë, ai më tha: «Në këtë rrugë, qe 800 vite. Në Halep qe 1200 vite». Në bashkësi gjallon shpresa. Shkatërrimi i kësaj është qëllimi i tiranëve dhe vrasësve masivë. Dhe kjo është çfarë po na shfaqin video-xhirimet me dron nga Halepi i rrafshuar.

«New York Times»