Beogradi kërkon mekanizma për kthimin e pronave serbëve të zhvendosur në Kosovë

Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, deklaroi sot se në Serbi aktualisht ndodhen 204.049 persona të zhvendosur intern nga, siç e quan Beogradi Republikën e Kosovës – Krahina Jugore Serbe, ndërsa ka shtuar se kthimi i serbëve dhe joshqiptarëve në Kosovë është i kufizuar nga mungesa e mekanizmave për kthimin e pronave të uzurpuara, transmeton Koha.net raportimet e medieve të Beogradit.

Gjuriq këto komente i bëri në Forumin e Tretë Rajonal të nivelit të lartë për zgjidhjet që qëndrueshme për personat e zhvendosur nga Kosova, që po mbahet në Beograd. Ai tha se «as pas 17 vjetësh nga përfundimi i konfliktit në Krahinën Jugore Serbe edhe më tutje është aktual problemi i personave të zhvendosur».

Sipas tij, me gjithë përpjekjet për përmirësimin e situatës së tyre, problemi mbetet, meqë të zhvendosurit intern nuk mund të realizojnë të drejtat e tyre individuale në vendin e origjinës.

Problemi, siç u shpreh ai, nuk mund të zgjidhet pa një set aktivitetesh të të gjitha palëve të interesuara, në mënyrë që të vendoset një kornizë adekuate implementuese në Kosovë, tha Gjuriq.

«Është fakt se 17 vjet pas konfliktit këta persona nuk kanë të drejtë të kthehen lirshëm në shtëpi të vet, t’u kthehet prona e grabitur, ose të kompensohen për atë që nuk mund të kthehet. Kjo na obligon të gjithëve që me besim të plotë të vazhdojmë të punojmë në mënyrë konstruktive dhe me kohë për përparimin e pozitës së tyre», deklaroi ai.

Ministri për Komunitete e Kthim në Qeverinë e Kosovës, Dalibor Jevtiq, pjesëmarrësve të konferencës u foli për projektin “Lugina e Diellit”, duke e konsideruar si projekt të parë të suksesshëm për kthimin e personave të zhvendosur.

«Është me rëndësi që ne sot dhe në periudhën e ardhshme, përmes proceseve që kemi, të sigurojmë të gjitha detyrimet e marra me ligj, në mënyrë që projekti «Lugina Diellit» të jetë i suksesshëm dhe që të jetë projekt i cili do të ndihmojë procesin e pajtimit, që na duhet tepër shumë», ka thënë Jevtiq.