Beogradi kërkon kompetenca qeveritare për bashkësinë e komunave serbe dhe pronësi në sistemin energjetik në veri

Pas gati pesë vite bisedimesh mes Serbisë dhe Kosovës, tri pikat kyçe të Marrëveshjes së Brukselit edhe më tej presin zgjidhje.

Liqeni i Gazivodës.



Raundi më i ri i dialogut të Brukselit, në të cilin të premten e kaluar kanë marrë pjesë kryetarët e Serbisë e Kosovës, Aleksandar Vuçiq e Hashim Thaçi, ka përfunduar pa rezultate konkrete. Pas pauzës disamujore, është pritur më shumë. Përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Europian për politikë të jashtme e siguri, Federica Mogherini, e cila ka ndërmjetësuar në dialog, nuk e ka fshehur dëshpërimin.

«Përfaqësuesja e lartë ka nënvizuar rëndësinë e zbatimit të gjithë atyre për çka deri më tash është arritur marrëveshje dhe ka nënvizuar nevojën e ngutshme që të fillohet me themelimin e Asociacionit të Komunave Serbe dhe të zgjidhet çështja e energjisë dhe urës në Mitrovicë», është thënë në një kumtesë jashtëzakonisht të ashpër nga kabineti i saj.

Të tri pikat e përmendura kontestuese në parim – po jo edhe në detaje – janë zgjidhur me nënshkrimin e Marrëveshjes së Brukselit më 19 prill të vitit 2013. Në ndërkohë të dyja palët me arsyetime të ndryshme shtynë realizimin e marrëveshjeve, gjë që e bëjnë edhe sot. Ja ku qëndrojnë problemet:

ASOCIACIONI I KOMUNAVE SERBE (AKS)

Është kontestues madje edhe emri i institucionit të ardhshëm kosovar, i cili do të duhej t’i bashkojë dhjetë komunat më shumicë serbe. Në fakt, dy palët e interpretojnë ndryshe fjalën angleze association, kështu që serbët e përkthejnë si «bashkësi», ndërsa shqiptarët përdorin një term më të lirshëm, «shoqatë» [asociacion]. Nga kjo rrjedhin edhe mospajtimet mbi rolin e kompetencat e AKS-së.

Ndërsa për palën prishtinase AKS është «diçka si organizatë joqeveritare», siç e shpjegon këtë Hashim Thaçi, Beogradi kërkon kompetenca të gjera të AKS-së në arsim, shëndetësi dhe planifikim urban, si dhe rol në emërimin e shefave lokalë të policisë.

Hartimi i statutit të AKS është në duart e qeverisë së Kosovës, pastaj do të duhej ta miratojë parlamenti i atjeshëm. Gjykata Kushtetuese e Kosovës, ndërkaq, tash e dy vjet po e shqyrton kushtetutshmërinë e disa pikave të projekt-statutit. Duke pasur parasysh raportin e forcave në parlamentin e Kosovës, ka pak shpresë se në këtë përbërje ai mund të kalojë. Prandaj tingëllon realiste deklarata e Vuçiqit se AKS «duket se do ta presë vjeshtën». E edhe kjo, me gjasë, është tepër optimiste.

LIQENI I GAZIVODËS

Bëhet fjalë për një liqen akumulues në veri të Kosovës, me sipërfaqe rreth 12 kilometra katrorë. Pak më shumë se nëntë janë në territorin e Kosovës, deri sa pjesa tjetër është në Serbi. Me ujin e liqenit ftohen turbinat e hidrocentralit në Obiliq dhe rregullohet furnizimi më energji elektrike i tërë veriut të Kosovës.

Pushteti i Kosovës në kuadër të privatizimit ia ka shitur këtë impiant një kompanie turke, por Beogradi nuk e pranon këtë. Hidrocentrali e nënstacioni elektrik edhe më tej faktikisht janë në përbërjen e Elektroekonomisë së Serbisë. Beogradi ka propozuar që pronësia mbi sistemin t’i besohet AKS-së, apo të themelohet një kompani e përzier, në të cilën Elektroekonomia e Serbisë do të kishte gjysmën e pronësisë. Prishtina ka hedhur poshtë të dy propozimet.

URA NË MITROVICË

Ura përmbi Ibër, e cila do të duhej të bashkojë Mitrovicën e jugut me atë të veriut është pikë nevralgjike që nga përfundimi i luftës në vitin 1999. Grupe shqiptarësh nga jugu disa herë kanë tentuar ta kalojnë urën, duke kërkuar që Mitrovica e veriut të «integrohet» dhe vihet nën kontrollin e Prishtinës, dhe që shqiptarët e dëbuar të kthehen. Ka pasur edhe konflikte të armatosura, dhe KFOR-i është detyruar t’i ndajë dy palët. Serbët kalimin e shqiptarëve e kanë penguar së pari nëpërmjet «rojave të urës», një grupi jo formal i të fuqishmëve, të cilët e kanë ruajtur anën serbe të bregut.

Pastaj në vitin 2011 në urë janë vënë pengesa betoni, të cilat në vitin 2014 janë zëvendësuar me vazo betoni. Pala serbe këtë pjesë e ka shpallur «Park të paqes», por ka qenë e qartë se bëhet fjalë për pengimin e kalimit të automjeteve. Pas bisedimeve të gjata e të mundimshme është gjetur një zgjidhje solomonike: serbët kanë pranuar t’i heqin vazot, por në breg kanë vënë një mur betoni. Është planifikuar që menjëherë pas urës të ndërtohet një rreth-rrotullim, ndërsa qendra e Mitrovicës së veriut të jetë zonë këmbësorësh, kështu që të pengohet hyrja me automjete nga jugu në qytet. Dy vite pas marrëveshjes, muri ende qëndron, ndërsa punimet në rreth-rrotullim as që kanë filluar.