Beogradi i vë rrugës emrin e aleatit të Millosheviçit

Një rrugë në Beograd do të marrë emrin e shkrimtarit nacionalist Brana Crnceviç, i cili ishte një aleat i presidentit Sllobodan Millosheviç dhe të dënuarit serb të Bosnjës për gjenocid Radovan Karaxhiç.

Shkrimtari nacionalist Brana Crncevic (majtas). Foto: Wikipedia

Qyteti i Beogradit vendosi të enjten se një rrugë në komunën Vracar të qytetit duhet të marrë emrin Crncevic, një shkrimtar i shquar, i njohur për idetë e tij nacionaliste dhe mbështetjen për liderët e luftës si Millosheviçi dhe Karaxhiçi.

«Brana Crncevic ishte një lojtar dhe dëshmitar në ngjarje të mëdha sociale, politike dhe historike», tha qyteti në një deklaratë.

Crncevic, i cili vdiq në vitin 2011, ishte një bashkëthemelues i Partisë Progresive Serbe së bashku me kryeministrin aktual Aleksandër Vuçiç.

Vuçiç e propozoi idenë e emërtimit të rrugës pas Crncevicit në qershor, duke thënë se pesë vjet pas vdekjes së tij, rëndësia e tij për historinë dhe kulturën serbe është e padiskutueshme.

«Ai ishte një bashkëbisedues me autoritet, një bashkëpunëtor i rastit dhe padyshim një mik i rëndësishëm bashkëkohor i disa njerëzve të rëndësishëm dhe të pushtetshëm – burra shteti, politikanë dhe liderë partish që formësuan historinë moderne serbe», shkroi ai në një artikull për gazetën Vecernje Novosti në atë kohë.

Crncevic fitoi famë dhe lavdi për letërsinë e tij, kryesisht për stilin e tij të butë në librat për fëmijë, të cilët janë lexuar gjerësisht dhe i dhanë atij një çmim në vitin 1987. Aforizmave e tij u vlerësuan për ironinë e tyre të mprehtë në trajtimin e çështjeve bashkëkohore.

Por ai fitoi famë në sferën politike me qëndrimin e tij nacionalist dhe lidhjet e ngushta me figura polemike si Millosheviçi, ish-lideri serb i Bosnjës Radovan Karaxhiç dhe kryetari i Partisë Radikale Serbe Vojisllav Shesheli.

Si shumë shkrimtarë të tjerë serbë, Crncevic përqafoi nacionalizmin pas rënies së Murit të Berlinit në vitin 1989.

Ai u afrua shumë me presidentin Millosheviç, duke mbështetur armatosjen e rebelëve serbë të Kroacisë gjatë luftës së vitit 1991-1995.

Crncevic mbështeti gjithashtu politikat nacionaliste të Karaxhiçit, i cili u dënua për gjenocid në Gjykatën e Hagës këtë vit për organizimin e masakrave të më shumë se 7’000 boshnjakëve nga Srebrenica.

Në vitin 1994, Crncevic tha në një artikull që shkroi për gazetën Politika se «serbët nuk kanë kriminelë lufte».

Në kulmin e luftës, Crncevic mbajti anën e Karaxhiçit në një mosmarrëveshje me Millosheviçin.

«Në vitet 1990 besoja te Millosheviçi», tha ai në një intervistë. «Por pasi ai u nda me serbët në Bosnjë, edhe unë humba kontakt me të.»

Pas përfundimit të luftës në Bosnjës, Crnvevic në vitin 1996 iu bashkua një grupi nacionalistësh të famshëm që bënin fushatë për Karaxhiçin dhe publikisht mbrojtën politikanin e arratisur kundër akuzave për gjenocid të ngritura nga Gjykata e OKB-së në Hagë.

«Ndonjëherë merrja letra nga Radovani në kutinë time postare. Ishin letra miqësore, por pa ndonjë të dhënë se ku ndodhej ai. Edhe pse fshihej, ai ishte më i lirë sesa ne. Ne po jetojmë nën një qeveri që është tradhtare ndaj popullit të saj», tha Crncevic.

Për pak kohë, ai ishte anëtar i Partisë Radikale Serbe, lideri i të cilës, Shesheli, u lirua nga akuzat për krime lufte nga Gjykata e Hagës.

Pasi u largua nga Partia Radikale, ai iu bashkua dy ish-anëtarëve të tjerë, Vuçiçit dhe Tomislav Nikoliçit, në themelimin e Partisë Progresive.

(reporter.al: http://www.reporter.al/beogradi-i-ve-rruges-emrin-e-aleatit-te-milloshevicit/)